KosovaLive360

Fahrie Rexhepi nga komuna e Lipjanit thotë se për shkak të mospërshtatjes në jetesë në Lipjan, dhe pikë së pari pse nuk mund të gjejë një punë sa do me kushte normale, thotë se do të detyrohet të largohet nga Kosova për një jetë më të mirë.

“Niveli i papunësisë në Lipjan…katastrofë. Nëse unë personalisht nuk e kisha pas vëllaun në Gjermani që të më ndihmojë financiarisht nuk kisha mund me dal as deri në qytet. Kështu që zgjidhja ime e vetme, me pa dëshirë, është se do të largohem nga vendi më së largu deri në muajin e ardhshëm,” thotë Rexhepi.

Edhe në rast të gjetjes së ndonjë pune, ajo sërish nuk do të hiqte dorë nga ky vendim, “pasi që paga është shumë e ultë.” Për secilën punë paksa më të mirë, kriter është fakulteti.

Komuna e Lipjanit me rreth 57,600 banorë, të punësuar ka 8,073 banorë në të gjitha sektoret, kjo sipas statistikave të fundit nga organizata publike për iniciativa dhe mbështetje lokale (POLIS). Ndërkaq, sipas statistikave komunale nga Instituti për Studime të Avancuara GAP në vitin 2016, numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik ishte 1,506, ndërsa numri i personave të regjistruar si të pa punë ishte 9,668.

Valmir Xhemshiti, student në Universitetin e Prishtinës, nga komuna e Lipjanit, thotë se për shkak të papunësisë në vend detyrohet që gjatë verës të punojë jashtë vendit, me vizë studentore për punësim.

“Ka kompani organizuese që u ndihmojnë studentëve që së paku gjatë verës të shkojnë jashtë vendit dhe të punojnë, ndonëse një punë të thjeshtë mirëpo që paguhet më shumë sesa në Kosovë,” thotë Xhemshiti.

Ndërsa Agnesa e cila ka pëfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës (UP) në nivelin Bachelor, po ashtu nga Lipjani, ka thënë se për një perspektivë pune më të mirë ka shkuar në Austri për të vazhduar studimet.

“Edhe pse kam përfunduar studimet në UP, në mënyrë që të gjej një punë më të mire në vendin tonë kam marrë përsipër që në Universitetin e Vjenës t’i vazhdojë studimet për Master. Sa i përket kostos, edhe pse studentët nga Kosova kanë një zbritje, sërish është pak e vështirë për ne,” thotë ajo.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë ka arritur në 32.9 përqind, ndërsa shkalla e punësimit 25.2 përqind. Papunësia më e theksuar është tek gratë me 36.6 përqind, krahasuar me burrat -31.8 përqind.

Albert Gashi, 22 vjeçar, thotë se edhe pse është në përfundim e sipër të studimeve në Universitetin e Prishtinës, synimi i tij për të ardhmen është të jetojë diku larg Kosovës.

“Sot, po të më ofrohej mundësia do të largohesha nga vendi ku po jetoj. Si fillim, në fakultetin ku studioj ka mungesë të praktikës së asaj çfarë kam për qëllim të punoj në të ardhmen, gjë e cila është primare në mënyrë që dikush të ushtrojë vet profesionin/pasionin e tij”, thotë ai.

Ai po ashtu thekson se papunësia në vend e sidomos në komunën e Lipjanit i shtyn shumë të rinj drejt rrugës së migrimit.

Nga një Raport i Migrimit Kosovar në vitin 2014, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), del se numri i kosovarëve që aktualisht jetojnë në emigrim ishte rreth 820,000. Në periudhën 2009-2014 grup-mosha 25-44 vjeç përbënte 47.2% të popullsisë emigruese, ndërkohë që dominonte grup-mosha 30-34 me 12.7%.

Fatbardha Terpeza

Të Rekomanduara