KosovaLive360

Valdete Sahiti nga fshati Skifteraj i komunës së Vitisë është një ekonomiste e cila me vite të tëra mbjellë perime në kopshtin e saj. Rajoni ku jeton njihet për tokën e plleshme dhe prodhimet bujqësore në përgjithësi dhe kjo kishte qenë edhe arsyeja kryesore që ajo ta kërkojë veten në këtë veprimtari. Sot ajo pos kultivimit të këtyre perimeve, i përpunon ato në prodhime të ndryshme finale, duke prodhuar mes tjerash edhe ajvar.

Rruga deri këtu nuk ishte edhe gjithaq e lehtë: makinat për përpunimin e perimeve ekzistonin, mirëpo shkaku i mungesës së hapësirës, nuk mund të ëndërrohej për zgjerimin e veprimtarisë.

Në mungesë të një objekti të përshtatshëm është dashur që këto makina t’i shpërndaj nëpër dhoma të shtëpisë, e cila nuk ka qenë fare e përshtatshme”, thotë Sahiti.

Në saje të një granti, ajo së shpejti do të bëhet me një mini fabrikë të përpunimit. Granti në vlerë prej 13,360 € do të sigurojë një ambient adekuat të punës, ku Sahiti konsideron se do ta bëjë punën e saj në mënyrë profesionale.

Një mundësi të ngjashme mbështetje dhe zgjerim të bizneseve të tyre të vogla do të kenë edhe dy vitiaset e tjera, Bukurije Alidema e Selvije Isaku.

Që të tria janë përfituese të granteve të projektit InTerDev 2, i lancuar nga programi i Kombeve të Bashkuara për zhvillim (UNDP) e i financuar nga Zyra Austriake për Zhvillim (ADA) përmes Fondit për Zhvillim Lokal (LDF). Ky projekt ka për qëllim sigurimin e granteve financiare konkurruese për fermerë të vegjël, shoqata dhe biznese të vogla për të përmirësuar mjedisin e tyre të punës dhe produktivitetin, e për të krijuar vende të punës dhe rritje të të ardhurave.

Veprimtaria e bletarisë, për Selvije Isakun dhe bashkëshortin e saj, Muhabiun, ishte një mundësi vetëpunësimi dhe sigurimi të një burimi të të ardhurave.

Ka qenë i nevojshëm zgjerimi i kësaj veprimtarie për të pasur të ardhura më të qëndrueshme në familje. Shuma prej 3,750€ (nga granti – v.j.) na mundëson që të zgjerojmë biznesin tonë nga 12 koshere bletësh në 25. Kjo është shumë e rëndësishme për neve sepse do t’i japë një hov të madh punës tonë, gjë të cilën nuk do të mund ta kishim bërë për 4 vite të tëra”, thotë Isaku.

Për Bukurije Alidemajn nga fshati Pozhoran, mishtorja/therrtorja e saj që e mban tash 11 vjet, ka dëshmuar se “gratë mund të jenë jo vetëm amvise të mira por edhe menaxhere, ndërmarrëse të suksesshme”. Tash me grantin e fituar të InTerDev 2 mund të mendojë për zgjerimin e mëtejmë të biznesit të saj.

“Jam përfituese e dy makinave për mishtore në vlerë 15,000€. Njëra është për bluarjen e eshtërave, kurse tjetra për përpunim të mishit për hamburger. Kjo natyrisht se është një ndihmesë shumë e madhe për mishtoren tonë sepse ndikon në ngritje të kapaciteteve, por më së shumti ndihem mirë me lëvizjet pozitive që po bëhen për fuqizimin e grave dhe besimin që po na jepet për të dëshmuar aftësitë tona”, thotë Alidema.

Faza e parë e këtij projekti kishte filluar në fillim të vitit 2014, fillimisht në komunën e Shtërpces dhe Dragashit dhe kishte përfunduar në fillim të vitit 2017. Në ndërkohë, më 17 mars 2017 është nënshkruar memorandumi për vazhdimin e këtij projekti me këto komuna, por edhe për shtrirjen e tij edhe në komunën e Vitisë. Projekti parashihet të përmbyllet në janar të vitit 2020.

Vlora Elshanit, menaxhere e këtij projekti nga UNDP konsideron se projekti ka qenë një motiv shumë i madh për vazhdimin edhe me fazën e dytë.

Nga faza e parë kemi dalë me gjithsej 750 gra e burra të punësuar duke pasur kështu përkrahje financiare rreth 2,600 familjarë, si dhe janë mbështetur e zgjeruar rreth 325 ndërmarrje të vogla rurale”, thotë ajo.

Sipas Elshanit, falë projektit InTerDev, përfaqësuesit e komunave janë më të fuqizuar dhe të përgjegjshëm në planifikimin dhe ofrimin e shërbimeve publike dhe kuptojnë rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse për zhvillimin e komuniteteve të tyre.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, thotë se interesimi për këto projekte, aq më tepër për ato që targetojnë sferën e agrokulturës e cila edhe e karakterizon Vitinë dhe ofrimi i bashkëpunimit dhe partneritetit me donatorët nuk do të mungojë.

Ne si komunë jemi të vetëdijshëm për mundësitë e vogla të përfshirjes së kategorive të ndryshme siç janë gratë, të rinjtë, njerëzit me nevoja të veçanta dhe kategoritë me rrezikshmëri të mos përfshirjes në proceset e zhvillimit dhe punësimit, prandaj projektet e tilla i mirëpresim dhe konsiderojmë  se në masë të madhe ndihmojnë në zbutjen e papunësisë dhe përfshirjes së kategorive të lartpërmendura në proceset zhvillimore të komunës së Vitisë”, thotë ai.

Faza e shpërndarjes së granteve për këtë vit, sipas Bernardina Krasniqit nga Fondi për Zhvillim Lokal (LDF) ka përfunduar, me gjithsej 15 në këto tri komuna.

“Me grante tjera do të vazhdojmë vitin tjetër. Ndërkohë po mundohemi që t’i inkurajojmë njerëzit të aplikojnë për këtë projekt dhe t’i vetëdijësojmë për rëndësinë e tij si dhe të identifikojmë ngecjet eventuale në mënyrë që të përmirësohemi në vazhdimësi”, thotë Krasniqi.

Trëndelinë Haliti

 

Të Rekomanduara