KosovaLive360

Viti 2017 do të jetë vit i zgjidhjes së problemit të energjisë, ndërsa kryefjala në këtë sektor është Termocentrali “Kosova e Re”, projekt i cili do të na siguron furnizim të rregullt me energji, në mungesë të së cilës vendi humbë 300 milionë euro në vit, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri sot në debatin publik, “Fol Hapur” që organizohet nga Lëvizja Fol, ndërsa morën pjesë, student, përfaqësues të sindikatave të punëtorëve të KEK, Trepçës dhe qytetarë.

Ministri Stavileci përsëriti se në fund të këtij muaji do të finalizohet faza financiare, ndërsa shprehu besimin se ndërtimi i tij, do të nis vitin tjetër. “E para çka ne kemi kërkuar është çmimet e përballueshme dhe furnizimi i rregullt. Ne kemi kërkuar që çmimi për megavat të mos shkojë më shumë se 80 euro dhe teknologjia që përdoret të jetë miqësore me ambientin”, tha ai.

Ai tha se me këtë investim zgjidhim problemin për furnizim me energji dhe  rrisim zhvillimin ekonomik duke krijuar vende të reja pune.

Duke folur për sektorët tjerë, Stavileci tha se e ardhmja e ekonomisë tonë do të jetë teknologjia e informacionit. “Ne e kemi një komunitet që e ka një adresë, që është ICK. Është lajm i mirë që dje kemi pasur një bankë nga gjermania që është interesuar që të investojë në këtë sektor, pra tek idetë inovative”, tha ai.

Gjithashtu, Stavileci përmendi edhe projektin WOW “Gratë në Punë Online’, përmes të cilit dy të tretat e pjesëmarrëseve kanë gjetur një vend pune dhe shtoi se këtu duhet të orientohen edhe politikat tona, por edhe rinia jonë.

“E vetmja fushë ku e kemi bilancin pozitiv është fusha e shërbimeve. Sivjet kemi buxhetuar fondin për IT dhe njëri nga programet që mbështetet nga ky buxhet është për femra. Fushat kryesore që ne jemi orientuar janë energjia, minierat dhe teknologjia informative”, tha ai. 

Sa i përket Trepçës, Stavileci tha se ligji ka hyrë në fuqi tash e disa muaj, ndërsa tani pritet studimi i fizibilitetit, dhe vetëm pas tij, do të ndërtohet strategjia, e cila do të jetë gjithëpërfshirës, ky zëri i punëtorëve të Trepçës do të jetë i padiskutueshëm.

“Ne do të jemi aty për të plotësuar kushtet e punëtorëve dhe mendoj që është e nevojshme një ligj shtesë për përmirësimin e kushteve të punës”, tha Stavileci. 

Ministri Stavileci gjatë debatit zhvilloi një diskutim të hapur me pjesëmarrësit.

Të Rekomanduara