KosovaLive360
KosovaLive360

Lëvizja studentore për barazi “Studim – Kritikë -Veprim”, duke vlerësuar se Universiteti i Prishtinës gjithnjë e më shumë po bëhet universitet i numrave e jo i dijës, ka kontestuar rezultatet e procesit të pranimit të studentëve të rinj, duke e konsideruar pranimin e studentëve një proces të parregullt dhe të pabarabartë.

Sipas kësaj lëvizje studentore, provimi pranues që u mbajt javën e kaluar për pranimin e studentëve të rinj që do të fillojnë vitin e ri akademik 2013/2014, konsiderohet një proces, i cili që nga fillimi është i pabarabartë.

“Kriteret e pranimit fillojnë me pikët e testit të maturës dhe me suksesin e shkollës së mesme dhe mblidhen me arritjen gjatë provimit pranues në njësinë përkatëse akademike. Duke pasur parasysh vlerësimin e dobët të nxënësve në shkollat e mesme të Kosovës, organizimin e dobët të testit  të maturës nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe provimin pranues nga ana e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, nuk mund të flitet për drejtësi dhe barazi në pranimin e studentëve të rinj.

Përpos që pabarazia fillon me vënien e kritereve të pabarabarta për pranim, ajo pasohet edhe në parregullsitë enorme që i ka sidomos procesi i pranimit të gjeneratave të reja brenda Universitetit të Prishtinës. Ky proces njihet si proces i parregullsive, nepotizmit, rasteve korruptive, e të ngjashme që kryesisht kontrollohen nga organet brenda Universitetit të Prishtinës, e rrjedhimisht nga pushteti”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes studentore për barazi “Studim – Kritikë -Veprim” (SKV).

Në vazhdim të komunikatës theksohet se Lëvizja studentore për barazi “Studim – Kritikë -Veprim” nuk është ftuar që me aktivistët e saj të marrë pjesë në vëzhgimin e procesit të provimit pranues ashtu si ftohen studentët e organizatave tjera.

“Edhe pse kemi përfaqësues si në Këshillin Studentor dhe në Parlamentin Studentor, nuk kemi pasur as edhe një informim nga organet e Universitetit të Prishtinës rreth këtij procesi. Pra, shihet qartë se Rektorati dhe organet tjera brenda Universitetit të Prishtinës kanë qasje përjashtuese ndaj SKV-së dhe nuk e duan atë si pjesë të proceseve pasi që ajo paraqet potencial për ngritjen e parregullsive”, thekson Lëvizja studentore për barazi “Studim – Kritikë -Veprim”.

Kjo lëvizje paralajmëron se nuk do të shikojë nga larg këtë proces por se do të reagojë ndaj çdo parregullsie të vërejtur me anë të publikimit të skandaleve. Do të organizojë aksione e protesta, siç thuhet që të arrijë “çlirimin e Universitetit nga parregullsitë e orkestruara nga grupet kriminale e shërbyese ndaj pushtetit”. /kl/

Të Rekomanduara