KosovaLive360

Në vitin shkollor 2014/2015, 45 nxënës të gjimnazit ‘’Eqrem Çabej’’, ku mësimin e ndiqnin gjithsej 1,500 vushtrrias, kishin braktisur shkollën.

Shkaktar i drejtpërdrejt i një braktisjeje kaq të madhe të shkollës ishte vala massive e shpërnguljes së kosovarëve drejt vendeve përendimore në atë periudhë.

“Por edhe shumica prej tyre shpejt u rikthyen si ‘nxënës të riatdhesuar’, thotë Qëndrim Uka, kryetar i organizatës joqeveritare ‘’Lëvizja Koha’’, që për qëllim ka ngritjen e edukimit praktik në komunën e Vushtrrisë.

Manash shembullit drastik nga disa vjet më parë, braktisja e shkollës fillore dhe të mesme në Vushtrri, në përgjithësi nuk dallon shumë nga mjediset e tjera.

Enver Bajrami, zëdhënës në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, thotë se gjatë vitit 2017 janë 29 nxënës që kanë braktisur shkollën e mesme, ndërsa vetëm një nxënës e kishte lënë shkollën fillore.

Përfaqësuesja e organizatës joqeveritare ‘’Këshilli i Veprimit Rinor Lokal’’ në Vushtrri, Drita Dibrani, I rendit disa arsye për braktisjen e shkollave.

‘’Të rinjtë i braktisin bankat shkollore për arsye ekonomike dhe mungesa e vetëdijësimit nga ana e prindërve për të shkolluar fëmijët, por ne si Këshill i Veprimit Rinor Lokal, do mundohemi shumë të kemi suksese në parandalimin e braktisjes së bankave shkollore nga të rinjtë tanë’’, tregon Dibrani.

Drejtoria për Arsim, sipas zëdhënësit Bajrami mundohet që me bisedat me prindërit e nxënësit që braktisin shkollën, t’i bindin ata ta vazhdojnë mësimin.

‘’Secila shkollë ka ekipin e vet kundër braktisjes së shkollimit. Njëkohësisht kemi edhe ekipin brenda nivelit komunal. Detyrat e ekipit fillimisht janë të provojnë për të zgjidhur këtë problem, por nëse ata nuk munden, e raportojnë te ne. Më pas, ne mblidhemi dhe marim indicative: shkojmë te ato familje për të gjetur nje zgjidhje për t’i rikthyer në mësim ata fëmijë. Javën e kaluar ka pasur dy raste, në njërën prej shkollave fillore, ku me tendencë kthimi kemi arritur që t’i kthejmë dy vajza në mësim’’, thotë ai.

Arsyet për braktisjen e shkollës janë nga më të ndryshmet. Mësimin në gjimnazin Eqrem Çabej vjet e kishte braktisur edhe një nxënëse, ndërsa arsyeja ishte – martesa.

”Kanë ardhur prindërit dhe kanë pyetur për vajzën. Ne kemi qenë të obliguar ta thërrasim policinë, e cila i ka marrë në pyetje shoqet e saj. Pas zbulimit se ku gjendet vajza, kemi mësuar arsyen e braktisjes së mësimit”, thotë Xhevat Lahu, drejtor i këtij gjimnazi.

Shkolla të cilën e drejton, kishte parandaluar një tentim të braktisjes së mësimit nga një nxënëse duke siguruar pagesën e biletës mujore për transport deri në shkollë. Familja ishte në gjendje të rëndë sociale dhe nuk kishte mundësi ta mbulojë këtë shpenzim.

Milazim Hyseni, drejtor në shollën fillore “Ali Kelmendi” në Vushtrri, thekson se edhe në këtë shkollë ka raste të braktisjes, ndonëse jo domosdoshmërisht për këtë duhet fajësuar kushtet ekonomike.

”Ai (nxënësi) ka qenë me aftësi të kufizuara dhe ka vendosur të ndërprejë mësimin. Në shkollën tonë gjendet klasa e veçantë me 13 nxënës, mirëpo nxënësi në fjalë ka pasur edhe familjen me këto probleme”, thotë Hyseni.

Nga fundi i vitit të kaluar, në gjysmëvjetorin e parë, klasën e katërt në po të njëjtën shkollë e kishte braktisur një nxënës tjetër.

”Prej fillimit të klasës së parë nuk ka qenë gjithmonë i rregullt, mirëpo ia ka dalë disi ta kalojë vitin. Nuk ka pasur as probleme shëndetësore e as probleme ekonomike në familje. Ne kemi kontaktuar familjen, kemi biseduar, por nuk e kemi bindur nxënësin të kthehet në mësim’’, thotë mësuesja e tij, Ardita Luta Bajrami.

E.G., 17-vjeçar nga Vushtrria, që deshi të mbetet anonim, thotë se para një viti kishte vendosur të ndërpriste mësimin në shkollën e mesme profesionale në drejtimin e ekonomisë shkaku i punës.  Në familjen e tij, krahas tij dhe dy motrave studente, punonte vetëm babai i tij, dhe këtë vetëm gjatë verës, me një kompani për shtrimin e asfalteve.

‘’Kam filluar vetëm si praktikë, po pas dy muajve të praktikës kam marr edhe rrogën e parë, me të cilën kam kryer disa obligme të familjes dhe për shkak të mungesave në shkollë që nuk kam mundur të shkojë jam detyruar edhe ta ndërprerjë mësimin”, thotë E.G. i cili sot punon si berber.

Ministria e Arsimit të Kosovës, (MASHT-it) pohon se në vitin shkollor 2016/17, mësimet në arsimin fillor I kanë vijuar 247.824 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm gjithsej 86,447 nxënës.

Përqindja e nxënësve që, po gjatë këtij viti shkollor, kanë braktisur shkollën fillore është 0.1 për qind, ndërsa përqindja e atyre që kanë braktisur shkollat e mesme është 1,6 për qind.

Përqindja e braktisjes së shkollës ulët në arsimin fillor edhe në të mesëm është për 0.4 % me e ulët krahasuar me vitin paraprak shkollor.

Venera Grabanica

 

Të Rekomanduara