KosovaLive360

Arti dhe shkenca e rritjes së bimëve duke përdorur tretësira ushqyese minerale në ujë, pa tokë, quhet hidroponi.

Fjala Hydroponik rrjedh nga fjala greke “Hydro” uji dhe “Ponics” punëtor. Kohëve të fundit përveç rritjes se fidanëve në tokë është përdorur edhe mënyra hidroponike e zhvillimit të fidanit. Hidroponia është metodë e rritjes së bimëve në ujë, në lëndë të pasura ushqyese. Në sistemin e hydroponisë nuk përdoret dheu fare, sistemi rrënjorë është i mbështetur në një masë inerte (shtresë të mesme) si është periliti, rockwool (lesh guri), argjilë, myshk torfe ose vermikulit.

Përparësitë e sistemit janë:

Nevojitet përafërsisht 20 herë më pak ujë sesa që përdoret kur janë të mbjellur në tokë, sistemi i ujit mund të ripërdoret çka mundëson përdorim më efecient të ujit edhe për faktin se sistemi është i mbyllur dhe nuk bëhet avullimi i madh i ujit, vjelja (korrja) është më e lehtë, zhvillimi i bimëve është më i shpejtë, rendimenti më i lartë.

Disavantazhet:

Çmimi i sistemit hidroponik është i lartë, është e nevojshme mbikëqyrja e vazhdueshme, rritja e bimëve në sistemin hidroponik kërkon ekspertizë teknike, prodhimi është i kufizuar në krahasim me kushtet në terren, nëse paraqiten sëmundjet të gjitha bimët që ndodhen në të njëjtin kontejner do të infektohen, nëse sistemi dështon bimët thahen shumë shpejtë.

Ekzistojnë disa lloje te sistemit hidroponik:

Wick System

Water Culture

Ebb and Flow System (Flood and Drain)

Drip System (recovery or non-recovery)

Nutrient Film Techinque (NFT)

Aeroponic system

Wick System:

Është sistemi më i thjeshtë hidroponik. Ai është sistem pasiv dhe nuk ka pjesë lëvizëse. Nga rezervari i cili ndodhet në pjesën e poshtme materja ushqyese përcillet tek bima nëpërmjet gypave furnizues. Në këtë sistem mund të përdoret shumëllojshmëri e ambienteve rritëse si perlite ose substrat kokosi.

Water Culture:

Është një sistem aktiv me pjesë lëvizëse. Ndër sistemet aktive ky sistem është më i thjeshti. Platforma e cila i mban bimët është e krijuar nga Stiropori (Polisterol Poroz)  i cili rri pezull (noton) mbi tretësirën me lëndët ushqyese. Ndërkaq një pompë furnizon me ajër sistemin rrënjor përmes gurit për ajrosje (Air Stone) e poashtu furnizon bimën me lëndë ushqyese. Rrënjët e bimëve janë në tërësi të zhytura në ujin, në të cilin ndodhet lënda ushqyese.

Ebb and Flow System (Flood and Drain):

Sistemi Hidroponik Ebb and Flow, njihet si sistem me përmbytje dhe tharje. Në këtë sistem përdoren shumë lloje të substratit për rritje.  Ky tip i sistemit funksionon me përmbytje të sipërfaqes së rritjes në lëndën ushqyese. Lënda ushqyese përsëri kthehet (kullohet) në rezervuar. Pompa është e lidhur me një matës të kohës ku procesi përsëritet vetvetiu. Kohëmatësi është i programuar që ta kryej këtë funksion disa herë në ditë varësisht prej madhësisë dhe tipit të bimëve, temperaturës dhe lagështisë dhe tipit të materialit për rritje (substratit) që është përdorur.

Drip System (recovery or non-recovery):

Sistemi Drip është sistemi hidroponik më i përhapur në botë. Puna me këtë sistem është e thjeshtë, kohëmatësi e kontrollon pompën e cila është e përmbytur në lëndën ushqyese.  Kohë matësi e aktivizon pompën dhe lënda ushqyese fillon të pikojë në vendin ku janë të mbjellura bimët, e cila dërgohet përmes një gypi të vogël deri tek bimët. Ekzistojnë dy sisteme me pikim (Drip):

Recovery apo sistemi kthyes tek i cili tepricat (rrjedhjet) e tretësirës grumbullohen prapë në rezervuar për ripërdorim.

Non – Recovery apo sistemi jo kthyes nuk grumbullon rrjedhjet – tepricat.

Nutrient Film Techinque (NFT ):

Nutrient Film Techinque është tip i sistemit hidroponik që lënda ushqyese rrëshqet vazhdueshëm nëpër rrënjët e bimëve. Ky tip i sistemit është lehtësisht i pjerrët kështu që lënda ushqyese rrjedhë me forcën e gravitetit. Ky sistem i mundëson bimës që të absorbojë më shumë oksigjen nga ajri sesa nga lënda ushqyese. Derisa maja e rrënjës të ketë kontakt me lëndën ushqyese, bima është në gjendje të absorbojë oksigjen, gjë që i mundëson bimës shkallë më të madhe të rritjes.

Aeroponic system:

Sistemi aeroponik është sistemi me teknologjinë me të avancuar. Rrënjët qëndrojnë në ajër dhe ato furnizohen  me lëndën ushqyese e cila shndërrohet në formë mjegulle. Mjegullimi kryesisht bëhet në çdo disa minuta, sepse rrënjët janë të ekspozuara në ajër, dhe rrënja thahet shumë shpejt nëse cikli i mjegullimit ndalet. Tek shumica e sistemeve të tjera hidroponike kohëmatësi e kontrollonte pompën, por tek sistemi aeroponik nevojitet një pompë me cikël të shkurt që aktivizohet për disa sekonda, çdo një ose dy minuta.

Bsc. Erzen Shehaj, Bachelor- Prodhimtari Bimore, Intern RECURA Agro. Recura është njësi eRECURA Financials e specializuar në ofrimin e shërbimeve këshilluese në fushën e bujqësise të dedikuara për agrobizneset në rritje. Qendra fokusohet në ofrimin e shërbimeve për ndërmarrjet bujqësore, qeverinë dhe hartuesit të politikave, investitorët, si dhe programet e asistencës teknike nga donatorët.

Të Rekomanduara