“Fushata #PërTëMirën është një iniciativë vullnetare, që ka për qëllim inspirimin dhe edukimin e qytetarëve për të rritur kontributin shoqëror”

Fushata #PërTëMirën do t’i ketë tre komponente:

1. Do të përfshihen tregime dhe metodologji të ndryshme për inspirimin dhe edukimin e secilit qytetar.

2. Krijimin e Facebook Grupit Të Bashkuar Për Të Mirën për mobilizimin e qytetarëve të Prishtines për të mirën. Bashkoju grupit këtu:  https://www.facebook.com/groups/151381405554423/

3. Organizimin e eventit për ndarje të çmimeve për qytetari aktive që do të mbahet me datën 23 korrik në Kino Armata. Ejani (biletat falas): https://www.facebook.com/events/415142408989320/?active_tab=about

(Tregimi frymëzues i Mentor Nimanit dhe fqinjëve të tij)

Nëse numri i problemeve tona e tejkalon numrin e zgjidhjeve, nuk duhet të kërkojmë zgjidhjet gjetiu, por në mesin tonë. Presidenti i SHBA, John F. Kennedy ka thënë se “Mos pyet se çka mund të bëjë shteti yt për ty, por çka mund të bësh ti për shtetin tënd”. Kjo është një pyetje kritike të cilën duhet t’i bëjnë vetes qytetarët nëse duan që shoqëria e tyre të lulëzojë:

Çka jam duke bërë për të mirën e vendit tim?

Edhe pse politika është njëra prej mënyrave për ta shtyer përpara komunitetin tënd, duhet ta pranojmë se ky është një proces shumë i ngadalshëm dhe burokratik që kërkon përkushtim shumë serioz, profesionalizëm dhe përpjekje. Por për fat të mirë, politika nuk është rruga e vetme për të bërë ndryshim pozitiv në komunitetin tonë. Nuk ke nevojë të bësh fushata e të bëhesh kryetarë komune, apo të themelosh një OJQ, për të adresuar problemet themelore të komunitetit tënd. Ti vetëm duhet të vendosësh të bëhesh Ndryshimtar për të mirën e përgjithshme.

Kur është fjala për t’u bërë Ndryshimtar, ne deshëm t’i ndajmë me juve disa mësime nga veprimtaria e Mentor Nimanit, që është një shembull i fuqishëm i qytetarit aktiv në Prishtinë.

Simbol i gjendjes së mahalleve në Prishtinë

Mësimi i parë: Drejto hidhërimin tënd kah veprimi

Mentor Nimani, 47 vjeç, profesor i të Drejtës ndërkombëtare dhe Politikave publike, ka vendosur që të bëjë ndryshimin për të mirën e të gjithëve. Mentori e ka vërejtur se kosovarët, gjatë kohës së okupimit serb, kanë adoptuar një kulturë që çdo gjë që është jashta shtëpisë sonë është e huaj dhe jo e jona. Ndërkaq që okupimi ka përfunduar, kjo mendësi ka mbetur ende në sjelljet tona dhe Mentori tash është në kërkim të mënyrës për të ndryshuar këtë mendësi, duke iu ofruar qytetarëve vizionin se mjedisi i jashtëm është njësoj si ai brenda shtëpisë së tyre dhe se ata duhet të bëjnë diçka për t’u kujdesur për të. Të gjitha problemet që ai i ka vërejtur në jetën e tij të përditshme, që nga hidhërimi për shkak të mungesës së vend-parkimit, të lypësarëve fëmijë, të hedhurinave të shpërndara gjithandej, e deri te përpjekja e fqinjit për të bërë vetëvrasje – e kanë bërë atë që të drejtojë hidhërimin e vet drejt veprimit për ndryshim.

“Kurrë mos e nënvlerëso fuqinë e zemrës njerëzore” – Sadhguru

Mentor Nimani në BarCamp

Mësimi i dytë: Krijo komunitetin

Mentori jeton në një ndërtesë të vogël banesore në qendër të Prishtinës në një rreth prej ndërtesash të tilla. Një të diele mbrëma ai vendosi t’i vizitojë të gjithë fqinjtë duke iu lënë nga një pusullë njoftimi në derë të banesës së secilit prej tyre. Ai i ftonte fqinjtë për të pirë nga një kafe në kafenenë e lagjes dhe për të biseduar lidhur me disa brenga të përbashkëta që i kanë si komunitet i lagjes së tyre. Në këtë takim ata vendosën ta themelojnë Këshillin e banorëve të lagjes dhe e caktuan Mentorin për kryetar të këtij këshilli. Pas kësaj, ata së shpejti e krijuan edhe një grup të komunitetit të fqinjëve në Facebook, ashtu që të mund të komunikojnë në mënyrë më efektive.

“Kurrë mos dysho se një grup i vogël i qytetarëve të vëmendshëm dhe të përkushtuar mund ta ndryshojë botën, në të vërtetë, kjo është e vetmja gjë që e ka bërë të ndodhë kjo kurdoherë” – Margaret Mead.

Disa banorë te Lagjes “Hajdar Dushi”

Mësimi i tretë: Identifiko problemet dhe mobilizo komunitetin për t’i zgjidhur ato

Një ditë në mëngjes, Mentori shikonte televizorin dhe derisa bëhej gati për të dalë në punë, berberi fqinj i ra ziles dhe i tregoi se policia është duke ia marrë kerrin! Ai doli jashtë dhe polici i tha se e ka parkuar kerrin në vend të gabuar, edhe pse kerri gjendej pikërisht te dera kryesore e ndërtesës së tij. Kjo ishte një padrejtësi sipas tij, sepse vozitësit që nuk janë të lagjes po i zënë vendet e parkingut të destinuara për banorët e lagjes dhe këtë edhe ia tha policit. Mirëpo, Mentori shpejt e kuptoi se ky polic qenka polic i lagjes, andaj e thirri që ta pijnë nga një kafe dhe t’i diskutojnë temat e trafikut së bashku. Gjatë bisedës me policin, ata erdhën në idenë që banorët e lagjes të vënë nga një shenjë identifikuese në xhamat ballorë të kerreve të tyre, ashtu që policët të mund të njohin se cilat kerre janë të lagjes e cilat jo. Në librarinë aty afër ata i shtypën etiketat identifikuese për të gjitha kerret e lagjes dhe kështu bënë një hap përpara drejt zgjidhjes së problemit të parkingut.

“Fitorja vie nga gjetja e mundësive brenda vetë problemeve” – Sun Tzu

Lagja “Hajdar Dushi”

Mësimi i katërt: Kërko mundësitë

Një mëngjes, duke e pirë kafenë e tij,  Mentori kishte lexuar një raport të një ndërmarrjeje publike që kishte filluar me projektin e meremetimit të korridoreve të ndërtesave banesore. Kishte hyrë në web-faqen e Komunës së Prishtinës, prishtinaonline.com dhe në këndin ë poshtëm të faqes, në anën e djathtë, i ishte paraqitur një kornizë ku shkruante: “Ju faleminderit që po e vizitoni Prishtina Online. Si mund t’ju ndihmojmë?”.  Atëherë, ai iu drejtua Komunës duke shkruar në atë kornizë se dëshiron të bëhet pjesë e këtij projekti, sepse don ta bëjë meremetimin e korridorit të ndërtesës banesore ku ai jeton. Pas 2 minutash, komuna i përgjigjet duke e dërguar një formular aplikimi, të cilin Mentori e plotëson për 5 minuta, por do t‘i duheshin edhe 2 muaj për të mbledhur nënshkrimet e banorëve të lagjes. Pas kësaj, projekti aprovohet dhe si rezultat, u bënë meremetime të rëndësishme në ndërtesat e lagjes që e ndryshuan për të mirë nivelin e jetesës qytetare për të gjithë banorët të lagjes.

“Ka vetëm një gjë më të keqe se të luftosh me aleatët dhe kjo është të luftosh pa ta” – Winston S. Churchill

Rregullimi i shenjës së trafikut

Mësimi i pestë: Përfshijë të gjitha palët relevante të interesit

Jo vetëm korridoret, por Mentori dhe fqinjtë e tij e vërejtën se parku i fëmijëve i lagjes së tyre duhet rregulluar pak. Ky park shpesh përdorej prej klubit të tifozëve të futbollit, që bënin skena të frikshme dhe agresive, shpesh të përcjella me të dehura nga alkooli dhe zhurma. Brenga e Mentorit, sikundër shprehet ai, ishte që të sigurojë se këto ngjarje nuk do të përsëriteshin më. Andaj, ai erdhi deri te ideja që t’i thërrasë liderët e këtyre tifozëve që t’i bashkohen grupit të Facebook-ut të banorëve të lagjes, e jo t’i bëjë ata armiq, me qëllimin që edhe ata të marrin pjesë në diskutimt dhe punën që duhet bërë për përmirësime dhe përparim të komunitetit të lagjes. Shpejt pas kësaj, tifozët e futbollit shprehën gatishmërinë dhe mbështetjen e tyre, duke ndihmuar si vullnetarë për të rregulluar parkun e fëmijëve. Mentori së bashku me komunitetin e tij, morrën vesh për një grant që ofronte Ambasada e SHBA-së dhe e shkruan një propozim menjëherë për idenë që kishin për të ndihmuar në rregullimin e parkut, për instalimin e bankave dhe lodrave të fëmijëve dhe për ngjyrosjen e murreve të jashtme të ndërtesave  dhe pikturimin e grafiteve. Ata e fituan grantin dhe me ndihmën logjistike të Democracy for Development (D4D) e realizuan projektin e tyre.

Mësimi i gjashtë: Mos tolero mosllogaridhënien e Qeverisë

Sapo filluan të ndodhin punët e mira në lagje, qeveria komunale filloi të realizonte disa projekte të veta, por pa dijeninë apo paralamërimin e banorëve të lagjes. Mentori tregon se: “Papritmas, rruga e lagjes u shndërrua në një punishte ku punëtorët instalonin kungjat kundër parkimit të kerreve !” Po të konsultonin banorët e lagjes, qeveria lokale do të kuptonte se kjo lagje është e pajisur me shenja të reja për ndalimin e hyrjes së kerreve që nuk janë pjesë e lagjes, ndërsa për kamionë ishin të vendosura shenjat me orarin e lejuar për qarkullim. Për më tepër, ata e kishin policin e lagjes së tyre që siguronte respektimin e këtyre rregullave të qarkullimit.

Mentori rrëfen: “Pas pak ditësh e kuptuam se edhe polici i lagjes ishte transferuar në një lagje tjetër. Nuk kishte transparencë, askush nuk erdhi t’i pyeste banorët e lagjes, ishte shumë dëshpëruese dhe jo fer. Atëherë banorët e lagjes ndërmorrën një iniciativë për të nëshkruar një peticion për kthimin e policit të lagjes së tyre”.

Mentori u përpoq në të gjitha mënyrat që të kërkojë një lloj transparence nga qeveria lokale, por të gjitha këto përpjekje hasën në veshin e shurdhër. Andaj, Mentori vendosi që t’i drejtohet përmes Internetit, Avokatit të Popullit (Ombudsperson-it) me një ankesë për shkeljen e të drejtave njerëzore të banorëve të lagjes së vet nga ana e autoriteteve komunale. (Institucioni i Ombudspersonit përfaqëson mekanizmin për mbrojtjen, monitorimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave fundamentale të përsonëve fizik dhe juridik nga veprimet e kundërligjshme ose jo të rregullta, ose nga mosveprimi i autoriteteve publike.) Ankesa doli të jetë e bazuar dhe hetimet për rastin janë në vijim e sipër.

Kjo histori e Mentorit dhe mësimet e saj janë vërtetë frymëzuese dhe tregojnë se sa i fuqishëm mund të jetë një njeri. Ne na nevojiten më shumë shembuj të këtillë dhe ne po përpiqemi që këta Qytetarë Ndryshimtar, t’i vëmë në fokus të vëmendjes qytetare, për t’i treguar kosovarëve se ekziston një realitet tjetër, më i qytetëruar, se ka edhe një përkufizim tjetër, më të qytetëruar për qytetarin dhe që ne, në shoqërinë tonë, kemi shembuj-model të fuqishëm për këtë.

Nëse ndjeheni të frymëzuar nga ky tregim dhe dëshironi të shihni më shumë qytetarë të Kosovës që do ta ndjekon këtë shembull, bashkojuni grupit të Facebook-ut “Te Bashkuar Per Te Miren/ United for Good”, për të na mundësuar që t’ju dërgojmë tregimet tjera si ky, për t’i pëlqyer dhe për t’i shpërndarë më tutje.

“Gjithmonë është koha e duhur për të bërë punën e duhur” – Martin Luther King, Jr.

Shkruar: Mentor Dida