KosovaLive360

Në rreth 500 shtëpi dhe banesa të ndërtuara për të kthyerit e komunitetit serb në komunën e Klinës, sot jetojnë vetëm afro 350 persona.

Në kuadër të projektit të qeverisë për kthimin e minoritetit serb, nga viti 2002, në gjithsej 18 fshatra të komunës së Klinës, 1,466 persona kishin shfaqur interesim për kthimin në vendbanimet e tyre.

Në katër fshatra nga 18 sosh, në shtëpitë e ndërtuara nuk ka asnjë të kthyer: në fshatin Pogragjë (15 shtëpi), Shtupel (2 shtëpi), Leskoc (1 shtëpi), si dhe Budisalci (7 shtëpi).

Silvija Raskovic, zyrtare për kthim në Drejtorinë për Komunitet dhe Kthim të Komunës së Klinës e cila edhe vetë është kthyer në vitin 2010 thotë se shumë shtëpi kanë mbetur të shkreta edhe në fshatrat të cilat tashmë konsiderohet që janë të banuara nga komuniteti serb.

“Të tilla janë fshatrat Biqë dhe Grac banorët e të cilëve janë kthyer në vitin 2002. Në Grapc janë 28 shtëpi të ndërtuara prej të cilave vetëm 5-7 janë të banuara, kurse në Biqë janë të ndërtuara 42 shtëpi por vetëm 2 apo 3 prej tyre janë të banuara”, thotë ajo.

Gjendje e njëjtë është edhe në fshatrat e tjera si Klinafc, Kryshevë e Madhe, Bërkovë, Rudicë, Dollc, Gremnikë, Poterq i Ulët, Dugajevë, Drenoc sikur edhe dhe në qytet, në Klinë. Nga gjithsej 335 shtëpi dhe banesa të ndërtuara, të kthyerit shfrytëzojnë vetëm diku rreth 140 shtëpi.

Raskovic shpjegon se këto statistika nuk janë gjithmonë precize, për arsye se disa familje lëvizin, do të thotë nuk banojnë në Klinë gjatë tërë kohës, herë banojnë në Serbi e herë këtu.

Për dallim nga këto fshatra, fshati Videjë është më i populluari dhe 50 nga 66 shtëpi gjithsej të ndërtuara janë të banuara, mes tjerash edhe për arsye – siç pohojnë të kthyerit – funksionon edhe shkolla.

Në projektin për kthim, tek secila familje përfshihej ndërtimi i shtëpisë, sigurohej ushqimi për 6 muaj si dhe ofroheshin mjete të ndryshme bujqësore, pasi që kjo popullsi kryesisht mirret me bujqësi.

Por Raskovic pohon se pasi që personat e kthyer janë zakonisht njerëz të shtyrë në moshë dhe nuk mund të përdorin mjetet bujqësore, ato mjete i kanë shitur.

Ranko Kostic, zyrtar për integrim në Drejtorinë për Komunitet dhe Kthim të Komunës së Klinës, ishte njëri nga personat që para dymbëdhjetë vitesh ishte kthyer në fshatin Videjë.

Sipas tij, gjeneratat e vjetra janë ato që kthehen më së shumti.

“Gjeneratat më të reja kanë filluar shkollë dhe punë në Serbi dhe kanë krijuar një jetë stabile, por edhe serbët të cilët jetojnë në Kosovë kanë vazhduar jetën normale pa ndonjë problem,” thotë Kostic.

Silvija Raskovic, ndërkaq rrëfen se ka pasur raste kur familjet e kthyera, “kanë përfituar nga projekti për kthim, kanë qëndruar në Klinë për 6 muaj apo një vit dhe i kanë shitur shtëpitë, tokën, mjetet e fituara dhe janë kthyer përseri në Serbi”. 

Ajo shtoi se përveç shitjes së mjeteve, vjedhjet janë një çështje tjetër e cila i bën të ndihen të frikësuar serbët që jetojnë në komunën e Klinës.

“Si shembull mund të marrim fshatin Biqë i cili është i pabanuar dhe shumica e gjërave janë vjedhur madje edhe kulmet e shtëpive. Pastaj rastet në javën e fundit në Poterq dhe Drenoc ku u janë vjedhur shpendët”, thotë Raskovic dhe shton se edhe vetë shtëpia e saj është thyer 8 herë dhe se policia deri tani nuk e ka zbuluar asnjë rast.

Edhe Raskovic edhe Kostic pohojnë se një problem real për mosqëndrimin e serbëve në komunën e Klinës është pamundësia për të gjetur punë. Kjo është arsyeja, sipas tyre, që i shtynë serbët të kthehen përsëri në Serbi pasi që aty ka mundësi më të mira për punësim. Por, ata janë të vetëdijshëm se me këtë problem nuk ballafaqohen vetëm serbët në Kosovë.

“Ky problem nuk është i pranishëm vetëm për komunitetin serb në Kosovë, por është problem me të cilin ballafaqohemi çdo ditë, të gjithë ne si shoqëri, pa ndonjë dallim”, thonë ata.

Adeline Gjergji

logoja

 

Të Rekomanduara