Shuhet nga jeta shkrimtari shqiptar, Fatos Arapi

Në moshën 89 vjeçare, ka ndërruar jetë shkrimtari shqiptar, Fatos Arapi duke lënë pas vetes krijime që do të vazhdojnë ta mbajnë gjallë emrin e tij edhe te brezat e ardhshëm, sidomos tek adhuruesit e poezisë.

Arapi lindi në vitin 1929 në qytetin e Vlorës ku përfundoi edhe shkollën e mesme. Studimet e larta i vazhdoi më pas në Sofje të Bullgarisë në Fakultetin e Matematikës dhe Ekonomisë.

Krijimtaria e Fatos Arapit shquhet për llojllojshmërinë e zhanreve. Ai ka shkruar poezi, novela, romane dhe drama. Më së shumti njihet për poezitë e tij të cilat i kanë sjellë edhe çmime ndërkombëtare. Ai madje u bë poeti i parë shqiptar që ka marrë shpërblimin “Kurora e artë”  në manifestimin poetik ‘Mbrëmjet e poezisë strugane’ të vitit 2008. Disa nga poezitë e tij janë “Jeta”, “Lamtumirë”, “Alarme të përgjakura” e të tjera.

Mes titujve të novelave të tij dallohen: ‘Patat e egra’, ‘Cipa e borës’, ‘Gjeniu pa kokë’.  Ai ka shkruar edhe romanet  ‘Dhjetori i shqetësuar’, ‘Shokët’, ‘Deti në mes’, dhe dramat ‘Partizani pa emër’,  ‘Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk’, ‘Në front diku’.

Krijimtaria e tij e hershme është më e kufizuar tematikisht për shkak të rrethanave politike të kohës. Në krijimet e tij ai shpeshherë ka përqeshur burokratët dhe demagogët. Në anën tjetër, poezia e tij “Pse erdha në jetë” ku Arapi thur vargje për lirinë dhe ‘mejtimin e lirë’ siç e quante ai, është shumë ekspresive.

Përveç këtyre, Fatos Arapi ka bërë edhe disa përkthime si dhe ka shkruar shumë artikuj e studime të ndryshme.

Shkrimtari shqiptar kishte pësuar një hemorragji cerebrale dhe nuk dilte nga banesa prej 10 vitesh.