KosovaLive360

Edhe këtë vit, me përfundimin e vitit shkollor 2016/2017 në opinion dhe në stafin profesional ka hapur pyetje: a është e arsyeshme që nxënësit maturant të mbajnë testin e maturës ose jo? Edhe këtë herë mendimi dhe argumentet janë ndryshe. Por edhe njëri edhe tjetri thonë se “fati” për mbajtjen e testit të maturës është në duart e Ministirë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Mustafë Kadriu, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, për KosovaLive tregon se për heqjen e këtij testi është diskutuar me ndërkombëtarë e me vendor, por siç thotë ai, nuk ka arsye për t’u hequr fare, sepse ky provim është sfida e parë për maturant në hapat për universitet.

“Në universitet ka më shumë studenta se sa trendi i punës kërkon, andaj me testin e maturës duhet t’i bëjmë pengesë që aty të hyjë vetëm ai që e meriton”, thotë Kadriu.

Universiteti i Prishtinës  (UP) “Hasan Prishtina”, në vitin akademik 2016/2017 ka regjistruar mbi 8,000 studentë. Por, menaxhmenti i  UP-së  ka bërë rekomandim për zvogëlimin e numrit të studentëve për vitin 2017/2018, pasi konsideron se numri i madh i studentëve mund të reflektojë në rënien e cilësisë së studimeve në universitet.

Por edhe këtë vit shumica e maturantëve janë në ankth, në pritje se a do të mbrrijnë pragun e kalueshmërisë.

Mes tyre është edhe Fitore Hyseni, maturante në Gjimnazin shoqëror “Ahmet Gashi” në Prishtinë. Ajo thotë se do dëshironte që ky test në të ardhmen të mos ishte fare, për arsye se në të shumtën e rasteve siç thotë ajo, nuk është real.

“Shpeshherë nxënësit që nuk kanë pasur sukses shembullor në shkollë tregojnë sukses në test të maturës, të zot për të kopjuar, të pastresuar ani pse monitorusi është aty,” thotë ajo.

Edhe Vesel Veseli, maturant po në këtë shkollë pretendon se testi i maturës është i panevojshëm dhe  i parregullt.

“Përderisa ne për tri vite vazhdimisht vlerësohemi gjatë vitit shkollor dhe sikur të mos mjaftojë kjo, kemi edhe provimet pranuese në të gjitha fakultetet e universiteteve tona”, thotë ai.

Sipas tij, fokusi i institucioneve do duhej të ishte në luftën për një arsim më cilësor dhe në luftën kundër nepotizmit si çelës ndaj shumë problematikave në Universitetet e Kosovës.

Përpos nxënësve, mbajtjen e testit të maturës të panevojshëm dhe joreal e sheh edhe Pranvera Misini, profesoreshë e gjuhës angleze në Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Ajo mendon se me ndryshimet e shumta në çështjen e arsimit të të gjitha niveleve në vitet e pasluftës, është bërë një hap i gutshëm edhe në vendosjen e testit të maturës.

“Si një mësimdhënëse me përvojë, nuk e shoh shumë të arsyshme qe testi i maturës të mbahet. Duke marrë parasysh përpilimin, parregullsitë, mosrealizimi me hapt e arsimit të shteteve në Bashkimin Evropian dhe në botë, nuk është një vlerësim real”, thotë ajo.

Ajo pretendon se nxënësit janë shumë testofobik, siç e quan ajo frikën nga testi, dhe se aftësia e të shprehurit është mbizotëruese tek ne.

“Kopjimi është shumë i shprehur si metodë e plotësimit më të shpejtë, pa u lodhur, pa menduar, nga frika dhe shumë raste edhe jopërgaditja për këtë test. Unë po të isha në një pozitë më të lartë, për të mirën e fëmijëve tanë, nuk do ta kisha praktikuar fare”, përfundon ajo.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Mustafë Kadriu pohon se parregullsitë nuk kanë munguar as në këtë test.

“Normalisht që në rreth 30,000 maturantë, është e pamundshme të mos ketë ndonjë parregullsi, por ka filluar një vetëdisim tek nxënësit, kanë filluar ta kuptojnë që ky test është për ta dhe jo për të tjerët”, thotë ai.

Këtë vit testit të maturës shtetërore iu janë nështruar rreth 32 mijë maturantë, 28 mijë nga ky vit dhe katër mijë të tjerë që kanë mbetur nga vitet e kaluara.

Në webfaqen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në lidhje me testin e maturës shkruan se “kandidati, i cili e arrin kriterin e kalueshmërisë 40% , shpallet i diplomuar i shkollës së mesme të lartë dhe arrin kushtin e përgjithshëm për të vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm.”

Pas përfundimit të testit të maturës, hapet edhe konkursi për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës, ku ndikim kanë edhe pikët e këtij testi.

Sipas konkursit të vitit të kaluar, të publikuar nga Universiteti i Prishtinës (UP), pranimi i studentëve bëhet në bazë të rezultateve të arritura, (30%) gjatë shkollimit të mesëm të lartë, tridhjetë përqind (30%) në provimin e maturës shtetërore si dhe katërdhjetë përqind (40%) në vlerësimin e brendshëm të njësive akademike.

But Dedaj, asistent në Fakultetin Ekonomik thotë se nxënësit e shkëlqyeshëm marrin pikë më pak në test të maturës se nxënësit që kanë pasur nota më të dobta në mësime.

“Duke u nisur nga të fshehtat publike si: testet postohen në webfaqe, nxënësi e ka telefonin e mençur dhe i vijnë përgjigjet, kur nxënësi merr pikë maksimale në lëndën e gjuhës angleze, ndërsa nuk ka njohuri elementare as për t’u përgjigjur në këtë gjuhë kur e pyete se nga vjen, si dhe nga ajo kur testi ku shënohen përgjigjet dhe të cilin e lexon skaneri është i saktë, ndërsa pjesa ku janë pyetjet dhe ku duhet ushtuar dhe provuar përgjigjet janë krejtësisht të paprekura’’, thekson ai.

Dedaj konsideron se testi ashtu si është tani në Kosovë, nuk duhet të organizohet sa për të harxhuar para, e siç thotë ai, as për të dekurajuar nxënësin e mirë dhe shpërblyer nxënësin që nuk ka mësuar.

“Këtë përgjigje e dijmë të gjithë, por nuk dëshirojmë ta pranojmë dhe të ballafaqohemi me realitetin. Në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian dhe më gjerë, testi i maturës është përcaktues kryesor se cilat drejtime nxënësi ka mundësi t’i regjistroj. Në Kosovë, duke u nisur nga situata që është krijuar me test të maturës, mendoj se nuk duhet të merret fare në konsideratë. Pesha kryesore do të duhej të ishte provimi pranues, dhe një vlerësim i vogël për suksesin e treguar në tri vitet e fundit të shkollimit të mesëm”, përfundoi ai.

Pas mbajtjes së pjesës së parë të testit të maturës, Arsim Bajrami, ministër në largim i Ministrisë së Arsimit, ka deklaruar publikisht se Ministria e Arsimit ka marrë të gjitha masat që asnjë maturant të mos mbetet pa shkollim të lartë, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat ndërsa tha se këtë vit nxënësit po refuzojnë keqbërësit në mënyrë që rezultatet të jenë sa më reale.

Pjesa e parë e testit të maturës me lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë u mbajt më 14 qershor, kurse pjesa e dytë me lëndët përkatëse të drejtimeve të shkollave do të mbahet më 24 të po këtij muaji. Rezultatet e testit do të dalin më 30 qershor dhe pastaj universitetet do të njoftojnë rreth afateve për provime pranuese.

Kandidatët e pakënaqur me të arriturat në provimin e maturës shtetërore, kanë të drejtë ta refuzojnë rezultatin e testit para marrjes së diplomës të shkollës së mesme dhe t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore në afatin e dytë.

Njomza Berisha

Të Rekomanduara