KosovaLive360
KosovaLive360

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës si institucion referent i Ministrisë së Shëndetësisë po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike të aksidenteve në trafik e sidomos muajin e fundit ku sipas statistikave të Policisë së Kosovës flasin për një rritjen e numrit të aksidenteve në trafik prej 3 për qind për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), njofton se bazuar në raportin gjashtëmujor të punës, vërehet shtim i rasteve që kërkojnë ndihmën mjekësore si pasojë e aksidenteve në trafik.

Në Klinikën Emergjente gjatë periudhës së lartcekur ka pasur 763 pacientë që pas aksidenteve në trafik, kanë kërkuar ndihmën emergjente mjekësore. Bazuar në raport, 3 persona kanë vdekur pas plagëve të marra nga aksidentet.

Instituti Kombëtar shpreh shqetësimin lidhur me rritjen e numrit të aksidenteve për muajin korrik dhe javën e parë të muajit gusht, ku si pasojë kanë vdekur 10 persona që paraqesin shifra alarmante.

Shkaqet janë të ndryshme, por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet, ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike.

Sipas Policisë së Kosovës, faktorët kryesor të cilët ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve janë të ndryshëm, duke filluar nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor sidomos brengosës është fakti se ndër viktima ka të përfshirë shumë fëmijë.

Vërehet mungesë të edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve. Infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes.

Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundravajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. Andaj, bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme e sidmos këtyre muajve të verës kur ka shtim të numrit të veturave në komunikacion.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë edhe disa rekomandime, një prej të cilave është përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.

Gjithashtu rekomandohet që me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.

Në institucionet shkollore duhet të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit;

Krahas rregullimit të infrastrukturës rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve dhe të kompletohet sinjalizimi, ndërsa drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare, kurse këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Të Rekomanduara