KosovaLive360

Shoqata e Botuese e Shqiptarëve në Maqedoni, në kuadër të Panairit të Librit “Tetova 2015”, të organizuar në hapësirat e Qendrës Nacionale për Kulturë në Tetovë, këtë vit dha edhe çmimin “Ramadan Sinani”. Çmimi u dha nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe i takoi poetit nga Kosova, Lulzim Tafa.

Poeti Tafa gjatë pranimit të çmimit tha se për të si Tetova, ashtu edhe shkrimtari Ramadan Sinani kanë një domethënie të veçantë.

 “Janë dy arsye që më bëjnë që të ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar me këtë çmim, e para se ky çmim  ndahet në një festë të librit këtu në Tetovë, e që për ne kosovarët Tetova ka qenë dhe mbetet dashuria jonë e madhe dhe tjetra për faktin se ky çmim e mban emrin e poetit dhe intelektualit të shquar Ramadan Sinani, me veprat e të cilit jam njohur si student e sidomos me librin e tij, ‘Kavallet e Sharrit’ ”, ka thënë Tafa.

Ndërsa, kryetari i jurisë, Salajdin Salihu, duke cituar arsyetimin e jurisë për dhënien e çmimit, ka thënë se Lulzim Tafa ka arritur të krijoj një vepër poetike ku ndjehet magjia gjuhësore dhe se lirikat e tij  shquhen për ekonomizimin e skajshëm të fjalëve.

Përveç përfaqësuesve të institucioneve, me rastin e dhënies së çmimit morën pjesë edhe shumë dashamirë të librit dhe kulturës në përgjithësi.

Të Rekomanduara