KosovaLive360

18 Mars 2017
Shiroka- Pula: Kosova vërtetë ka çka t’i ofrojë UNESCO-s

Gruaja Demokratike e Partisë Demokrartike të Kosovës, të shtunën, zhvilloi aktivitet kulturor me moton “Kultura e botës është e mangët pa kulturën tonë”.

Aktiviteti kishte porosi të qartë për të bërë më shumë në mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore të popullit tonë, me ç’rast u prezantuan disa nga vlerat e trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të vendit tonë.

Kryetarja e GD-së, Justina Shiroka- Pula, theksoi me këtë rast se vlerën kulturore të identifikimit tonë, duhet ta çmojmë, kultivojmë por edhe konsumojmë.

“Agjencioni i Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë e Kulturë (UNESCO), duhet t’i hapë dyert për kulturën dhe arsimin e vendit tonë. Kosova, vërtetë ka çka t’i ofrojë UNESCO-s”, tha ndër të tjera kryetarja Shiroka- Pula.

Ajo më tej theksoi se shtetit tonë i duhet një politikë më e avancuar e diplomacisë kulturore,  në atë masë që vlera jonë kultuore të shndërrohet në aset ekonomik.

Pas fjalimit të kryetares,  vogëlushja Vanesa Doçi, interpretoi këngën e cila mbart vlerat e trashëgimisë sonë shpirtërore, “Bareshën”.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, çmoi këtë aktivitet të Gruas Demokratike, duke thënë se kjo strukturë po dëshmohet se di ta pushtojë hapësirën politike  që  e meriton, përmes potencialit të dijes politike.

“Konsideroj se porosia juaj, na obligon për angazhim më të shtuar për të zhvilluar diplomacinë kulturore  e  parlamentare në koordinim me Ministrinë e Kulturës  dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Trashëgimia kultuore, qoftë ajo materiale a shpirtërore  është vetë identiteti ynë i mbajtur gjallë me sakrificë të madhe”, ka thënë me këtë rast Reçica.

Veprimtarja, Besa Çeku, foli rreth trashëgimisë kulturore të popullit tonë e në veçanti u ndalë në veshjen popullore të popullit tonë

“Elemente të trashëguara nga kultura ilire dhe ajo e arbërve të mesjetës dhe një varg tiparesh origjinale të përfituara gjatë zhvillimit të tyre historik, bëjnë që veshjet popullore të marrin vlerat e një treguesi etnik, i cili i dallon veshjet shqiptare nga ato të popujve tjerë”, përfundoi veprimtarja Çeku.

Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu Kodra, përmes videoslajdeve, prezantoi disa nga objektet e trashëgimisë kulturore  dhe tha se “Objektet e shumta të Trashëgimisë Kultuore të vendit tonë, janë vlerë në pasurimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë”.

Në këtë eveniment, përmes sllajdeve, është prezentuar edhe një artizanat i veçantë, i cili ka lënë gjurmë në traditën shqiptare, mjeshtria e kultivimit të filigranit.

Në fund të këtij evenimenti, përmes një grupi vajzash, u prezentuan veshjet kombëtare me të gjitha specifikat e saj rajonale.

Të Rekomanduara