KosovaLive360

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) reagon me indinjatë ndaj aktit të njëanshëm e provokativ të nxjerrjes në qarkullim të një pulle postale me emrin dhe portretin e aktorit të shquar Bekim Fehmiu nga Posta e Serbisë nën cilësimin “kolosët e teatrit serb”.

Ngjashëm me aktin e rrëmbimit dhe të përvetësimit të dhunshëm të trashëgimisë tonë kulturore, përkatësisht të perlave të shumta të artefakteve arkeologjike e etnologjike të Kosovës, Serbia tash, përmes një pulle postale, nën cilësimin “kolosët e teatrit serb”, po përpiqet ta përvetësojë pa të drejtë edhe aktorin e përmasave botërore, shqiptarin Bekim Fehmiu, duke dëshmuar kështu se, kur është fjala për shqiptarët, jo veç me këtë gjest dinak e abuziv, logjika e Serbisë, si në të kaluarën ashtu edhe tash, ka qenë dhe vazhdon të jetë logjikë kolonialiste e hajnisë, e rrëmbimit, e përvetësimit, e falsifikimit dhe e manipulimit.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) vlerëson se, po të ishte për teatrin serb apo edhe jugosllav, Bekim Fehmiu, për shkak të hapësirës së vogël e të trajtimit të tij paragjykues si shqiptar pikërisht në këtë teatër, nuk do të ishte ai që e njohim sot. Njohësit e jetës dhe të krijimtarisë artistike të Bekim Fehmiut, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi dhe në ish Jugosllavi, e dijnë se, në të vërtetë, me ndonjë përjashtim të veçantë, rolet e tij në teatrot e Beogradit janë kryesisht role dytësore apo edhe tretësore.

Edhe ashtu, me rolet e tij në teatër, Bekim Fehmiu, më shumë se me teatrin serb, në pjesën më të madhe të artit të tij skenik, identifikohet kryesisht me “Teatrin e Dramës Jugosllave” (“Jugoslovensko Dramsko Pozoriste”), si dhe vetëm pjesërisht me Teatrin Popullor të Beogradit dhe me “Atelje 212”. Ashtu siç del edhe nga shënimet në librin e tij “Shkëlqim dhe tmerr”, edhe në këtë apo atë teatër, atij gati kurrë nuk i është dhënë hapësira e mjaftueshme e as rolet e mëdha që i meritonte. Duke qenë, para së gjithash, kryeqytet i ish Jugosllavisë, Beogradi, asokohe, kishte mundësinë dhe privilegjin që t’i mblidhte rreth vetes aktorët e përkatësive të ndryshme kombëtare nga të gjitha ish republikat dhe krahinat autonome të ish Jugosllavisë, të cilët ishin ajka artistike e atij shteti. Ashtu si edhe shumë aktorë të tjerë të asaj hapësire gjeografike e politike, këtij fati nuk kishte si t’i shpëtonte as aktori shqiptar Bekim Fehmiu.

Në të vërtetë, ai u bë i madh falë roleve të tij në kinematografinë jugosllave e sidomos shkëlqimit dhe roleve të tij grandioze në kinematografinë botërore. Rrjedhimisht, ai ishte edhe aktori më i madh i kinematografisë jugosllave, por në asnjë rast jo “kolos i teatrit serb” e as jo në mënyrën dhe në formën dinake, të njëanshme e primitive siç po përpiqet ta paraqesë tani me këtë pullë postale abuzive e të njëanshme Serbia.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) konsideron se emrat e mëdhenj si artisti me nam botëror Bekim Fehmiu kanë fuqinë, madhështinë, mundësinë dhe magjinë që, në kontekstin e përplasjeve dhe të konflikteve të vazhdueshme ndërmjet dy vendeve dhe kombeve tona, të na shërbejnë për shtendosjen e marrëdhënieve, për tejkalimin e mosmarrëveshjeve e të paqartësive, për krijimin e urave të mundshme të bashkëpunimit e të shkëmbimit artistik e kulturor ndërmjet Kosovës e Serbisë, si dhe përgjithësisht shqiptarëve e serbëve.

Ne do ta kuptonim dhe pranonim me shumë dashamirësi evokimin artistik e kulturor dhe përjetësimin e emrit, të artit e të kujtimit të artistit Bekim Fehmiu në Serbi në çdo formë e cila e respekton përkatësinë e tij kombëtare dhe rolin e tij të madh në artin teatror dhe kinematografik të ish Jugosllavisë, por jo edhe përpjekjen e hapur për përvetësimin e tij të njëanshëm si me rastin e nxjerrjes në qarkullim të kësaj pulle postale nga Posta e Serbisë.

Çdo përpjekje dinake e abuzive për përvetësimin e njëanshëm të emrit, të artit e të veprës së tij krijuese të jashtëzakonshme është përpjekje e dështuar për keqpërdorimin dhe instrumentalizimin e këtij artisti të madh për qëllime të ulëta politike, tendencioze, raciste e shoviniste.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) vlerëson se, me jetën, talentin, artin, veprën dhe shkëlqimin e tij, sidomos në film, Bekim Fehmiu ka qenë dhe do të mbetet një nga aktorët më të mëdhenj botërorë. Me pikëpamjet, bindjet, veprimet, ndjesitë dhe qëndrimet e tij parimore e humaniste, si dhe me emrin, gjenin, gjakun, gjuhën e përkatësinë e tij kombëtare, ai ishte dhe do të mbetet gjithashtu edhe një nga shqiptarët më të mëdhenj e më të devotshëm.

Në çfarëdo rasti, aktori Bekim Fehmiu, mbi të gjitha, mbetet një artist i jashtëzakonshëm dhe një personalitet i përmasave botërore, arti dhe shkëlqimi i të cilit i tejkalon me elegancë, gjentilesë, fuqi e madhështi meskinitetin, çoroditjen dhe paradokset primitive ballkanike.

Të Rekomanduara