KosovaLive360

Si vajzë e vogël M.K. nga Prizreni ëndërronte të jetë një frizere e zonja që do t’i rregullonte këngëtaret e njohura.

Sot është 21-vjeçare, jeton në Pejë dhe nuk punon. Nuk e ka të përfunduar as shkollën fillore.

Jeton në një banesë dhe për KosovaLive tregon se bën një “jetë më të qetë”, sepse sot është në lidhje me një burrë të martuar, i cili kujdeset edhe për gjendjen e saj financiare.

Por, ajo si vajzë e re pas vetes e ka një jetë të tërë, plot zhgënjime dhe sfida.

Të kuptuarit në moshën 12-vjeçare se është fëmijë i adoptuar, e kishte çuar në “rrugë”, ku ishte lidhur shpesh me burra të panjohur dhe më të moshuar.

Edhe rruga nuk ishte ‘shtëpi e sigurt’ për mua pasi që atje gjeta fatkeqësinë time më të madhe. U dhunova nga një njeri të cilin kurrë nuk e kam denoncuar dhe nuk e kam parë kurrë më”, thotë ajo.

M.K. si adoleshente kishte ikur nga shtëpia dhe familja adoptuese dhe kishte përfunduar në Therandë.

Atje u njoh me një burrë në moshë, i cili për fillim i ofroi strehim. Më vonë kjo njohje u shndërrua në një lidhje afro dyvjeçare.

Unë ika prapë edhe nga i dashuri dhe u punësova në një klub të lojërave të fatit. Atje kam dëgjuar se djemtë e axhës nga familja adoptuese do të vinin të më kërkonin. Vendosa prapë të ik, këtë here në Pejë,” tregoi M.K..

“Ikja” e kësaj radhe ishte ndryshe, e shndërroi M.K., zeshkane atraktive në punëtore individuale, jo të detyrueshme, të seksit, gjithmonë me tarifë të lartë për shërbimet e saj, për plot pesë vite.

Gjatë kësaj kohe kam pasur aborte dhe asnjë lindje. Madje, këto vite fitova edhe vese të reja. Të gjitha paratë që i fitoja i lija në lojëra të fatit dhe alkool”, tha ajo.

Ajo tregon se është edhe biseksuale dhe gjatë kohës kur ka qenë punëtore e seksit ka pasur marrëdhënie intime edhe me gra.

Me paratë që ka fituar si punëtore e seksit do të mund të jetonte, siç thotë ajo, gjithë jetën, po mos të ishin veset e saj.

“Sot nuk kam nevojë të punoj sepse kam një standard të mirë jetese por konsideroj se megjithë kokëçarjet që më ka sjellë ‘profesioni’ im, nuk do mund të bëja ndonjë punë tjetër”, shton ajo.

Kur është vetëm ajo shpesh kujton familjen me të cilën prej vitesh nuk ka kontakt, fëmijërinë dhe çdo gjë rreth saj.

Më merr malli për ta edhe për atë rrugicën e ngushtë nga e cila ika, por jeta tani ka marrë kahje tjetër”, thotë ajo.

Deri dje shoqëri e saj e vetme kanë qenë klientët. Sot ajo i ka edhe dy shoqe të cilat përpiqen t’i ndihmojnë të gjejë një rrugë më të sigurt për të ardhmen.

Njëra nga to është S.H. frizere 40 vjeçare nga Peja e cila thotë se për një kohë të gjatë e ka inkurajuar që ta vazhdojë shkollimin.

Ajo është shumë inteligjente dhe ka fituar mjaft para gjatë jetës sa të mund të shkollohet, të martohet e të krijojë një familje të shëndoshë. Gjatë kohës sa ka qenë duke e ushtruar atë ‘profesion’ i kam thënë gjithmonë se bota nuk sillet rreth teje, njerëzit kur të shuajnë epshet ti gjithmonë do të mbetesh në rrugë”, tregon ajo.

Por, sipas saj, këshillave të kësaj natyre ajo rrallëherë ua vuri veshin.

Njëherë më është dukur që po kupton, por nuk ka kuptuar aspak. Unë nuk kam vazhduar më ta këshilloj.Megjithatë, ajo vazhdon të vijë tek unë sepse asnjëherë nuk e kam paragjykuar a përbuzur. I kam dhënë këshilla siç do ia jepja çdo vajze”, përfundoi ajo.

Shoqja tjetër e ngushtë, B.H., amvise 38 vjeçare nga Peja, thotë se e kupton se M.K. nuk pendohet që e ka bërë “atë punë” për pesë vite.

“…tani e di që e ka lënë. Kishte raste kur më ka thirrur duke më thënë se është e vetmuar apo e dehur, dhe unë kam shkuar tek ajo. Rastet e dërgimit të saj në spital janë shtuar pasi që ka mësuar se babai i saj ka vdekur”, tregon ajo.

Brikenë Bunjaku, psikologe në qendrën “Labyrinth” në Prishtinë, që kryesisht merret me trajtimin e të varurve nga droga, nuk përjashton mundësinë se M.K. ka qenë punëtore e seksit për të siguruar ekzistencën.

Sikurse unë që jam psikologe me profesion, edhe ajo e ka ushtruar atë profesion për të mbijetuar. Unë i përshtatem procesit terapeutik nëpër të cilin duhet të kalojnë pacientët, ndërsa ajo u është përshtatur nevojave të klientëve të saj. Ajo mund ta ketë dashur profesionin sepse ka njoftuar njerëz të rinj dhe ka qenë më e afërt me ta. Ndoshta edhe ka qenë e bindur se nuk do të përfitonte njëjtë në qoftë se do të ushtronte ndonjë profesion tjetër”, tha Bunjaku.

Policia e Kosovës pohon se vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ka identifikuar 71 lokale që dyshohej se bënin trafikim me qenie njerëzore.

Prej tyre inspektorët në disa komuna kanë mbyllur 34 lokale, në të cilat ka identifikuar 389 femra që merreshin me aktivitetet që ndërlidheshin me trafikimin. Prej tyre 238 shtetase të Shqipërisë, 137 shtetase të Kosovës dhe 14 të tjera nga Serbia, Maqedonia, Bullgaria e Moldavia.

Në këtë rast janë identifikuar 16 viktima të trafikimit, nga to 15 kosovare dhe një shtetase e Shqipërisë.

Për veprën penale të trafikimit gjatë kësaj kohe janë arrestuar gjithsej 97 njerëz.

Fjolla Hajrizaj

 

Të Rekomanduara