KosovaLive360

25 Korrik 2017
 Rrugëtimi i tmerrshëm nëpër ferrin e dhunës në familje

image
Woman is Covering Her Face In Fear Of Domestic Violence as her partner threatens her with his fist

L.T.  nga dita në ditë mendon se sot ose nesër burri i saj do ta mbysë. Një ditë, që sipas saj, ishte e zakonshme, burri i saj e kishte goditur me dru dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, plotë të mavijosura dhe gjak. Madje, nga dhuna e tepërt edhe kishte abortuar fëmijën i cili kishte dy muaj.

L.T ishte 25 vjeç kur u martua me K.T, e që ishte martesë me mësit. Martesa e saj nuk kishte qenë e dhunshme që nga fillimi, por pasi që kishte abortuar fëmijën e saj të parë, të gjinisë mashkullore, në fazën e shtyer të shtatzanisë, kishin filluar problemet dhe dhuna.

E martuar në një familje të varfër është detyruar të punojë në fushë dhe të sigurojë ushqimin për burrin dhe familjen e tij me të cilët jetojnë në bashkësi. Lëvizjet e saj, siç rrëfen, janë vetëm në shtëpi dhe në fushë. Ndonjëherë rrallë, “vetëm dy herë në vit”, viziton edhe familjarët e saj, që jetojnë shumë larg nga vendi ku është e martuar.

Pasi dy aborteve pati vështirësi të mbetej shtatzënë, edhe për këtë ishte rrahur nga burri “ditë e natë.” Përfundimiasht, kishte lindur dy vajza, por tash për faktin që nuk kishte lindur djalë, vazhdon të rrihet përsëri.

“Kam qenë në polici dy herë, e tëra e mavijosur dhe e gjakosur, kam ikë natën prej shtëpisë dhe zvarrë kam shkuar deri në stacionin policor. Policia janë ardhë edhe e kanë marrë burrin tim por pasi që ai ka shoqëri shumë të gjerë, pas dy-tri orësh e kanë liruar dhe ka filluar të më rrahë sërish. Kur edhe policia nuk kanë qenë në gjendje të më mbrojnë dhe të më sigurojnë ndonjë vend, por më kanë lënë në dhunë, unë nuk di më se ku të shkoj apo çfarë të bëj”, thotë ajo.

Fëmijët tani janë rritur, tashmë janë në kohën e adoleshencës, pasi që edhe këto “e kanë parë babain duke ushtruar dhunë ndaj nënës së tyre, “tash vetëm edhe nëse babai i tyre e kërkon një gotë me ujë me ton të lartë ato ikin edhe vijnë afër meje duke qajtur”.

L.T  rrëfen se për të gjitha këto i ka treguar edhe familjarëve të saj, por ata janë të moshuar, shëndetligë,  me aftësi të kufizuara dhe nuk kanë mundur të bëjnë asgjë.  Madje, njëherë edhe ishte ndalur tek shtëpia e prindërve të saj dhe nuk kishte pasur dëshirë të kthehej tek burri. Por, ky i fundit e kishte marrë me dhunë.

Familja e burrit të saj janë në dijeni se si keqtrajtohet, por sipas saj, “ata vetëm shikojnë e në disa raste edhe dalin jashtë shtëpisë” kur burri i saj e rrahë atë.

Për t’i vizituar familjarët, babai duhet ta marrë nga aty, por jo më tepër se katër ditë në vit  dhe ta sjellë sërish.

Adelina Berisha, koordinatore e avokimit në Rrjetin e Grupeve të Grave, pohon se ka raste kur edhe tek ta janë lajmëruar gratë që më parë ishin drejtuar në Qendrën për Punë Sociale (rasti i fundit ishte në Prishtinë), ku u është kërkuar që “për shkak të mungesës së zgjidhjeve aftagjata për gratë” të pajtohen dhe të bashkohen me bashkëshortët e tyre të dhunshëm. Një kërkesë që sipas saj paraqet një shkelje ligjore që e bëjnë punëtorët social.

“Ligjet në Kosovë nuk respektohen në tërësi. Ne kemi qenë dëshmitarë të disa rasteve kur dënimet e dhunuesve nuk kanë qenë në proporcion me dhunën e shkaktuar. Përveç dënimeve, Ligji për mbrojtje nga dhuna në familje i parasheh edhe disa masa tjera mbrojtëse, të cilat shumë rrallë aplikohen nga gjyqësia, p.sh. masa mbrojtëse e trajtimit psikosocial, ajo e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, e ndalimit të shqetësimit personave të ekspozuar ndaj dhunës, e largimit nga banesa, shtëpia apo hapësira tjetër e banimit si dhe masa mbrojtëse e trajtimit mjekësor nga varësia prej alkoolit dhe substancave psikotrope”, thotë ajo.

Berisha thekson se personat e parë që një viktimë i kontakton pas dhunës, “zakonisht dera e parë” është policia, mirëpo një viktimë e dhunës në familje mund t’ju drejtohet direkt strehimoreve apo mbrojtësve të viktimave.

Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2015 janë raportuar 1,038 raste të dhunës  në familje, më  2016 – 1,226 raste, ndërkohë që deri në fillim të këtij qershori u raportuan gjithsej 458 raste. Numri më i madh i viktimave të dhunës në të gjitha këto raste, përgjatë dy viteve e gjysmë, janë femra – 2,197,  ndërkohë që janë gjithsej  525 raste ku viktimë janë meshkujt.

Po duke i referuar Policisë së Kosovës, në vitin 2015 janë evidentuar 20 raste të lëndimeve trupore, më 2016 - 12 raste, e në periudhën janar-maj 2017 janë 6 raste.

Si pasojë e dhunës në familje më 2015 janë evidentuar 4 vrasje, më 2016 -  4, e në periudhën janar-maj 2017 – 2 vrasje të tjera. Në të njëjtën kohë janë raportuar edhe sulmet seksuale: më 2015 – 2, më 2016 – 2 raste dhe prej janarit deri në muajin-maj 2017 një rast.

Sipas një hulumtimi të Rrjetit të Grupeve të Grave në vitin 2015 “Mjaft më me arsyetime”, sfidat mbeten në mosraportimin e mjaftueshëm të dhunës nga ana e qytetarëve dhe në shërbimet joadekuate në dispozicion për personat që kanë pësuar dhunë dhe autorët e dhunës.

Përkundër disa përmirësimeve, të dhënat kualitative në këtë hulumtim, sugjerojnë një tendencë të mbetur në mesin e disa përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme për “ta fajësuar viktimën” për krimet e kryera kundër tyre ose për t’i “pajtuar” familjet. Pajtimi i familjeve nuk është pjesë e roleve dhe e përgjegjësive të shumicës së institucioneve dhe mund të minojë përgjegjësinë e tyre për të siguruar mbrojtjen apo drejtësinë. Disa përfaqësues të institucioneve ende nuk kanë njohuri në lidhje me rolet dhe përgjegjësitë e tyre.

(Inicialet e viktimës në këtë tekst janë të imagjinuar, ndërkohë që identiteti mbetet i njohur për artikullshkruesin dhe redaksinë)

Besarta Breznica

Të Rekomanduara