Rita Ora nderohet me Hyjneshën në Fron

Kryeministri, Ramush Haradinaj gjatë takimit në Londër me këngëtaren me famë botërore, Rita Ora, ka thënë se ajo është këngëtarja që ngjyrave të flamurit tonë i ka dhënë shkëlqimin më të mirë. Ajo përmes muzikës ka bërë më shumë se të gjithë ne, e ka ndërkombëtarizuar Kosovën.

Me këtë rast, Haradinaj falënderoi këngëtaren me prejardhje shqiptare Rita Ora, e cila kudo në botë po lartëson jo vetëm emrin e saj, por edhe të Kosovës dhe popullit shqiptar.

“Emri i Rita Orës është bërë i njohur gjithandej botës. Përmes talentit të saj, ajo është bërë një frymëzim për rininë dhe kombin e saj”, tha Haradinaj.

Më tej Haradinaj tha se figurat e shquara si Rita Ora, që arrijnë majat e suksesit në arenën ndërkombëtare janë motiv dhe shembull i mirë për rininë në Kosovë dhe kudo.

“Ambasadores së nderit, të shpallur sot e tri vjet më parë i dhurova Hyjneshën në Fron të gravuar në filigran për ta nderuar dhe për t’i përçuar mesazhin e gjithë shqiptarëve: Faleminderit që të kemi. Faleminderit që duke prek majat e suksesit në botë, nuk i harrove rrënjët tua”, ka thënë kryeministri Haradinaj.