KosovaLive360

Edhe në Kosovë ende ekziston një numër prindërish të cilët mendojnë se fëmijët mund të disiplinohen me masa të dhunshme ndërkohë që rrahja mbetet një nga format më të përhapura të kinse edukimit të fëmijëve. Ky lloj agresiviteti paraqet problem në vete. Kur nënat apo baballarët  janë pyetur mbi praktikat e edukimit në shtëpi ata jo rrallë kanë pohuar se sjelljes së “pahijshme”të fëmijës i janë përgjigjur me shkopinj, thupër, aty këtu ndonjë shuplakë apo britma.Ajo që brengos është se shumë raste ndodhin dhe në ambiente shkollore por nuk raportohen. Fëmijët që përjetojnë dhunë shpesh viktimizohen edhe në aspekte tjera si në arsim dhe shëndetësi .

Shumë prindër vërejnë se kjo sjellje nuk është korrekte megjithatë edhe pse të vetëdijshëm se në këtë mënyrë nuk edukohen fëmijët jo rrallë kanë vazhduar me masat e tilla. Studimet dhe hulumtimet vënë në pah se asnjë shtet pra as Kosova nuk është imune ndaj këtij problemi. Me qëllim parandalimi të dhunës në familje janë vendosur mekanizma dhe  infrastrukturë përkatëse  ligjore për parandalimin e kësaj dukurie.Viteve të fundit në vend janë marrë masa të shumta, janë miratuar ligje dhe masa e shërbime si konkretisht linja për denoncimin e rasteve dhunës. Megjithatë është evidente se duhet më shumë angazhim dhe shërbime të përshtatshme për familjet të cilat ndoshta ndiejnë strese të veçanta pasi që dhuna ndaj fëmijëve vazhdon  të shpërfaqet  në forma të ndryshme.

Ajo që  më së shumti brengos është se shumë  raste ndodhin dhe nuk raportohen. Fëmijët që  përjetojnë dhunë shpesh viktimizohen edhe në aspekt e tjera si në arsim dhe shëndetësi. Ata janë e lehtë të ndjeshëm karshi grupeve tjera.

Tahire Haxholli, kapitene dhe shefe e Sektorit të Dhunës në familje DPP, Prishtinë thekson se në vitin 2016 nga 1.226 raste të dhunës në familje janë të paraqitura 270 raste kur fëmijët kanë qenë viktima të ndonjë vepre penale, do të thotë ka pas rritje të numrit te rasteve të raportuara në polici kundruall vitit 2015 kur ka pas 206 raste.

S’ka dilemë të ketë pas më shumë raste që kanë  ndodh e nuk janë raportuar apo numri i “errët” siç mund të thuhet pasi që ndodh rastet edhe kur raportohen tërhiqen nga procedurat. Rastet më të shpeshta të raportimit të keqtrajtimit të fëmijëve sipas Tahire Haxhollit ngelin: lëndimet trupore, vetëvrasjet, neglizhenca,braktisja e foshnjës.

“Fëmijët ngurojnë të kërkojnë ndihmë si pasojë e kërcënimit në shtëpi nga prindërit ose kujdestarit ose frika që i shoqëron. Po kështu fëmijët mendojnë se nuk u besohet dhe se storja e tyre mund të konsiderohet e sajuar. Por jo rrallë fëmijët e tolerojnë dhunën që të mos ndëshkohen prindërit. Paraqitja apo denoncimi i rasteve të dhunës ndaj fëmijëve bëhet në disa mënyra dhe kjo varet krejt nga rrethanat e rastit. Kur fëmija është viktimë e ndonjë vepre penale që është shkaktuar nga persona që ka lidhje familjare, këto raste kryesisht i paraqesin anëtarët e familjes, kur ngjarja ndodhë në shkollë paraqitet nga stafi i shkollës, ka raste që paraqiten nga mediet, nga qytetaret, arsimtarët, shokët apo shoqet e fëmijës së keqtrajtuar, por ka edhe raste që paraqiten nga vetë fëmijët viktima,” thotë Haxholli.

Këtë fundshtator rreth orës 19 stacioni policor në juglindje të vendit ka marrë një telefonatë se në shtëpinë e N. N ka ndodhur një incident familjar, ku është kërkuar ndihma e policisë. Policia në vendngjarje ka hasur në babain si dhe dy fëmijët e tij: Pas marrjes se informatave dyshohet se babai rreth orës 17:00 ka kanosur vajzën e tij me likuidim fizik pas një konflikti verbal mes tyre për punë shtëpie. Vajza i tregon të vëllait të saj, po ashtu i mitur dhe pastaj fillon konflikti ndërmjet babait dhe të birit, ku ky i fundit merr një sopatë në duar dhe thyen(dëmton) derën e shtëpisë së tyre në fshat. Dyshohet se para se të dëmtonte derën ai edhe është përleshur fizikisht me prindin e tij.Policia konfiskon nga i dyshuari: një sopatë me të cilën ai ka dëmtuar derën e shtëpisë së familjes. Policia ka komunikuar me prokurorin kujdestar i cili ka urdhëruar që rasti të shkojë në procedurë të rregullt hetimore.

Lidhur me rastin në  fjalë , Kanosje dhe Dëmtim prone, të raportuar në polici këtë fundshtator , me kërkesë të Qendrës për punë sociale të komunës  përkatëse dhe viktimave të rastit në fjalë është lëshuar nga policia Urdhër për Mbrojtje të Përkohshme Emergjente. Ky Urdhër duhet të monitorohet dhe zbatohet nga stacioni policor sepse viktimat janë vendosur të banojnë tek një i afër  familjar në një lagje të qytetit, ndersa babai i dyshuar vazhdon të jetoj në fshat.

“Në momentin e parë që kuptojmë informatën e marrin me seriozitetin më të madh dhe e përcjellim në vazhdimësi përveç përcjelljes në prokurori vendosim fëmijën në strehimore dhe fillon trajtimi psikologjik ashtu që t’i kemi nxjerrë fëmijët nga ambienti i dhunës,” thotë  Haxholli.

Basri Kastrati  nga Zyra e e Mbrojtësit të viktimave, bazuar në statistikat e vitit 2016 thotë se nga 1.021 raste të dhunës në familje janë shënuar 62 raste të keqpërdorimit seksual të fëmijëve nën moshën 16 vjeçare kurse ka pasur edhe keqpërdorim të fëmijëve në pornografi.Të pakta janë rastet kur vet fëmija i drejtohet policisë por këtu ndihmojnë raportimet .

Por si është çështja  me raportimet e dhunës në shkolla.

“Sistemi i menaxhimit të informatave në Arsim (SMIA) është një platformë e cila është funksionale tash e pesë vite dhe në raportin e MSA-së të vitit 2015 është  përmendur si e arritur, ” thotë Shqipe Bruqi, zyrtare e statistikave në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Konform kësaj shkollat janë të obliguara të  regjistrojnë të gjitha rastet e dhunës në ambiente shkollore. Nga 42 raste të evidentuara në vitin shkollor 2016/17 janë zgjidhur 16 raste përderisa 26 sosh janë në shqyrtim apo si raste që do të ngelin në vëmendjen dhe përcillen me kujdes, nga shkollat. Tek shumica e këtyre rasteve, respektivisht 26 sosh dominon dhuna fizike, 8 raste dhunë verbale, 2 raste dhunë emocionale ndërsa janë shënuar 6 raste të ngacmimit  në mesin e bashkëmoshatarëve. Pasojat e dhunës familjare tek fëmijët karakterizohen me disponim të keq, jo të lehtë në komunikim kokëfortë dhe mjaft të tërhequr. Kjo gjendje shumicën syresh më vonë i shpie  në  sjellje devijante ndërkohë që jeta  në familjen ku mbizotëron dhuna familjare është tejet me stres për fëmijën.

Një arsimtar kishte pohuar në mesin e kolegëve, se një nxënësi madje as një herë të vetme nuk ia kishte dëgjuar zërin brenda vitit shkollor. Kjo, por nuk e kishte nxitur kureshtjen e tij për të ngritur këtë problem përderisa nuk është biseduar për nevojën e vetëdijësimit përkitazi me dhunën në familje dhe si ajo manifestohet tek fëmijët që e përjetojnë dhunën.

Një drejtor shkolle, në kushte anonimiteti shprehet se shifra e fëmijëve që përjetojnë dhunë  në  ambientet e shkollës mund të jetë shumë më e madhe por se rastet nuk raportohen për shkak të  paragjykimeve për namin e  keq që mund t’i  vihet shkollës që për pasojë mund të ketë hezitimin e prindërve për t’i regjistruar fëmijët në ato shkolla. Po ky burim thekson se do të duhej të ishte e kundërta sepse kur shkolla mban në kontroll evidentimin dhe raportimin e dhunës ajo është e gatshme edhe të  parandaloj më me sukses këtë dukuri.

Periudha e pas-luftës u karakterizua me një numër sfidash politike dhe sociale përfshirë: migrimin e brendshëm nga zonat rurale drejt qyteteve të mëdha; mbipopullimin e shkollave në qytet, mbyllja e shkollave rurale; diskrepanca mes numrit të nxënësve dhe mësimdhënësve; vendndodhjen e shkollës (urban kundrejt rural); varfërinë në mesin e të rinjve;.braktisjen e shkollës etj. Të gjeturat nga studimet argumentojnë se karakteristikat kombëtare të shkollimit janë të lidhura ngushtë  me nivelet e dhunës në shkollë. Nga llojet e dhunës do përmendur atë fizike emocionale verbale, seksuale dhe psikologjike.Pasojat e dhunës shfaqen  me probleme të shëndetit mendor.

Një studim ka nxjerrë në pah se 80 për qind e të rinjve të cilët kanë përjetuar  dhunë  vuajnë  të  paktën  nga një çrregullim psikiatrik si: depresioni çrregullime të ankthit të të ngrënit apo probleme në sjellje,” thotë Vebi Mujku drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.

Mungesa e stafit social (Prishtina ka gjithsej 15 punëtorë ) dhe profilizimi i stafit si dhe mungesa e dhomave adekuate të intervistimit ku brenda vitit realizohen mbi 1.150 kontaktime janë vetëm disa nga  sfidat me të cilat përballet Qendra për punë Sociale. Por këtu do përmendur edhe  mungesën e programeve ri integruese dhe të fondeve  për sigurimin e banimit social për prindërit  vetushqyes me theks të veçantë nënave vetushqyese.

Disa studime kanë gjetur se shkollat janë vende të sigurta, ndërkaq studimet e tjera kanë dokumentuar se një numër i jo i vogël i të rinjve janë të viktimizuar në shkolla

Ky viktimizim ndikon në zhvillimin dhe mirëqenien psikologjike dhe pengon performancën akademike të fëmijës. Prandaj,dhuna në shkollë nuk pengon vetëm zhvillimin e fëmiut, por paraqet problem serioz për komunitetet dhe shoqërinë.

Përmirësimet në kornizën ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, janë evidente por duhet pasur parasysh se çdo herë kur ngec të mbrojtja e një fëmijë, dështon mbarë shoqëria.Investimi në fëmijë, është investim në të ardhmen e Kosovës ndaj implementimi i kornizës ligjore për mbrojtjen e fëmijëve mbetet si çështje me prioritet si kur është fjala për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna  në familje apo shkolla po aq edhe parandalimi i përfshirjes së fëmijëve në punë të rënda.

Nezaqete Rukovci –  (Ky shkrim është mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung – Prishtinë)

 

 

Të Rekomanduara