KosovaLive360

 Në ato pak dhoma, mungonin shtretërit, tepihët dhe e gjithë shtëpia, ku jetonte Zejnepja vetëm me nënën dhe vëllain, ishte shumë e papastërt. Babai i kishte vdekur, ndërkohë që motra ishte martuar, kështu që në këto kushte të rënda ekonomike, nëna e Zejnepes ishte detyruar të kërkojë lëmoshë në rrugët e Fushë Kosovës.

Zejnepja nga komuniteti rom nuk e dinte mbiemrin e saj madje as sa vjeç është. Siç tregon, ajo kishte ndjekur arsimimin vetëm në klasën e parë dhe të dytën por nuk kishte arritur që të mësojë as shkrim dhe as lexim.

“Në shkollë kam qenë te serbët jo te shqiptarët dhe nuk jam shoqëruar asnjëherë me shqiptarët por vetëm me komunitetin rom këtu në Fushë Kosovë. Shkrim dhe lexim nuk kam qenë në gjendje të mësoj dhe pasi që kushtet ekonomike në familje i kam të rënda më është dashur ta ndërprej shkollën”, thotë Zejnepja.

Shpresa Berisha, 18 vjeç nga komuniteti rom në Fushë Kosovë pohon se edhe ajo vetëm një vit ka qenë në shkollë por pasi që gjatë gjithë kohës është përulur me fjalë të ndryshme nga fëmijët shqiptarë është detyruar ta ndërpresë shkollimin.

Në anën tjetër djemtë në këtë komunitet shkojnë në shkollë dhe nuk punojnë por merren vetëm me mësime. Muhameti 13 vjeç nga Fushë Kosova vijon mësimet në klasën e tetë në shkollën afër shtëpisë së tij dhe shoqërohet edhe me shqiptarët.

“Kushtet ekonomike në shtëpi i kam të mira pasi që babai më punon dhe dy motrat e mia janë të martuara në diasporë ku herë pas here edhe na ndihmojnë me të holla. Kësisoj më është mundësuar që të shkoj në shkollë. Motrat janë martuar në moshë të re dhe kanë vijuar vetëm shkollën fillore. Në shkollë shqiptarët nuk na diskriminojnë por sillen shumë mirë me ne”, pohon Muhameti.

Jeton Jashari, përfaqësues i komunitetit rom në Fushë Kosovë dhe asistent i zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, tregon se në Fushë Kosovë ky komunitet tanimë nuk diskriminohet nga shqiptarët dhe djemtë po e vazhdojnë arsimimin edhe në studime.

“Vajzat e komunitetit rom e vijojnë mësimin, zakonisht vetëm klasën e parë por kur ato rriten dhe  e arrijnë pjekurinë shkollën po e ndërpresin për shkaqe të ngacmimeve seksuale në shkolla dhe prindërit frikësohen se mos po ndodhë diçka e keqe. Pasi që komuniteti rom, shumica i përkasin fesë islame, vajzat martohen shumë të reja dhe kësisoj po e ndërpresin shkollimin”, thotë Jashari.

Po ashtu ai pohon se kanë vështirësi edhe në punësim, sipas tij, duhet që t’i takosh patjetër ndonjë subjekti politik që të punësohesh.

Lorenta Kadriu, drejtoreshë e organizatës joqeveritare Raise Your Hand for Help, pohon se komuniteti rom në Fushë Kosovë nuk është i integruar sa duhet në shoqërinë tonë kosovare. Sipas saj, ka ende paragjykime ndëretnike dhe më së shumti shfaqen në shkolla dhe ambiente të ndryshme kulturore dhe sportive. Gjithashtu Kadriu thekson se shkalla e alfabetizmit është e lartë te ky komunitet dhe sidomos te femrat.

“Gjendja ekonomike shumë e rëndë te ky komunitet has në detyrimin që shkolla të braktiset për të filluar ndonjë lloj pune për të siguruar të ardhura për familje. Kjo bën që ky komunitet në të shumtën e rasteve të përfundojë jashtë bankave shkollore.  Një masë e madhe e komunitetit rom në Fushë Kosovë nuk i kanë as kushtet më elementare për të jetuar. Numri i papunësisë është dukshëm i lartë, ndërsa një shumicë ka zgjedhur që për të siguruar mbijetesën të mirren me reciklim apo punëtorë krahu”, thotë Kadriu.

Sipas Strategjisë për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, raport ky i realizuar nga Zyra e Kryeministrit, femrat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë në veçanti në pozitë diskriminuese dhe të pafavorshme dhe karakterizohen nga shkalla e lartë e braktisjes së institucioneve arsimore. Gjendja ekonomike e familjeve rome, ashkali dhe egjiptase, varfëria, tensionet ndëretnike, ngacmimet dhe diskriminimi në shkolla është fenomen dhe faktor i shpeshtë i cili ndaloi fëmijët të shkojnë në shkolla.

Një studim i pagave dhe aftësive që e kishte kryer Organizata Ndërkombëtare e Punës, më 2006  kishte konfirmuar pozitën e pafavorshme dhe diskriminuese të këtyre tri komuniteteve. Hulumtimi kishte përfshirë 12,126 nga 1,547 ndërmarrje, kryesisht kompani private në Kosovë.

Vetëm 0.1%, apo vetëm 12 individë që punonin aty ishin nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas.

Studimi gjithashtu kishte treguar se të hyrat mesatare mujore të romëve, ashkalive dhe egjiptasve, janë më të ulëta krahasuar me të ardhurat e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Shumica e të punësuarve nga këto komunitete duket se janë të punësuar kryesisht në sektorët e pagave të ulëta dhe në pozita që nuk kërkojnë trajnim profesional.

Besarta Breznica

Të Rekomanduara