KosovaLive360

Sot është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e South Eastern Europe CINEMA NETWORK, ku tani e tutje përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës, edhe Kosovës iu hapën dyert që të jetë pjesë e këtij rrjeti.

SEE Cinema Network e themeluar në vitin 2000, është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon zhvillimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare të saj duke mbështetur zhvillimin e koproduksioneve ndërkombëtare dhe prodhimin e filmave të shkurtër.

Qëllimi kryesor i SEE është promovimi dhe zhvillimi i industrisë filmike kombëtare të secilit vend pjesëmarrës për të forcuar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh me anëtarët e rrjetit.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku, i cili ishte i pranishëm në Asamble dhe e mbrojti aplikimin e Kosovës në këtë rrjet u shpreh: “Anëtarësimi në SEE përveç që krijon mundësi të barabarta të projektet filmike kosovare me projektet e rajonit, gjithashtu krijon lidhje të fuqishme mes filmbërësve tanë dhe atyre nga rajoni. Ky anëtarësim shumë i rëndësishëm për kinematografinë tonë është pikënisje e anëtarësimeve me shpresën që Kosova t’i bashkangjitet fondit evropian më të madh të bashkëprodhimit – Eurimages. Gjithashtu falemnderojmë të gjitha vendet e rajonit për përkrahjen dhe krijimin e mundësive të reja për filmbërësit kosovar”.

Me pranimin në SEE, projektet filmike kosovare do të kenë mundësinë të aplikojnë për zhvillim të filmit të metrazhit të gjatë artistik dhe për subvencionim të filmave të metrazhit të shkurtër, ndërsa në të ardhmen pritet që SEE të përkrah edhe projekte filmike të metrazhit të gjatë.

Shtetet anëtare në SEE janë: Greqia, Serbia, Qipro, Rumania, Shqipëria, Maqedonia, Bulgaria, Slovenia, Kroacia dhe sot bashkë me Kosovën u anëtarësua edhe Mali i Zi.

Të Rekomanduara