KosovaLive360

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 113-të të saj, ka aprovuar Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Kryeministri Isa Mustafa e ka quajtur projekt buxhetin e vitit të ardhshëm buxhet zhvillimor që reflekton Programin Qeverisës të koalicionit.

“Ky buxhet si i tillë është buxhet zhvillimor dhe reflekton drejtpërsëdrejti Programin Qeverisës të koalicionit. Është Buxhet i Qeverisë së Koalicionit, që shpreh përcaktimin tonë për zhvillimin ekonomik, shpreh përcaktimin tonë për krijimin dhe hapjen e vendeve të punës dhe shpreh përcaktimin tonë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe stabilitetit fiskal brenda vendit”, tha Mustafa.

Kryeministri Mustafa, ndër të tjera tha se Buxheti prej mbi 2 miliardë eurosh siguron rritjen e investimeve kapitale rreth 50 %.

“Këtë vit kemi pas investime kapitale rreth 500 milionë euro, vitin e ardhshëm do të kemi 700 milionë, që është diku 46 % më shumë, që flet se orientimet tona buxhetore i kemi orientime zhvillimore, sepse dëshirojmë që të krijojmë mundësi të angazhimit të kapaciteteve të firmave tona, edhe rritje të mëtutjeshme ekonomike”, tha kryeministri.

Ministri i Financave, Avdullah Hot, gjatë prezantimit të Projekt Buxhetit për vitin 2017, tha se ai reflekton përkushtimin e Qeverisë në adresimin e sfidave zhvillimore dhe zbatimin e reformave dhe projekteve specifike që ndikojnë në përmbushjen e objektivave që ka Qeveria e Kosovës për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.

“Përmes këtij propozim-buxheti, ne kemi bërë më të mirën për të balancuar kërkesat e shumta me mundësitë buxhetore që kemi. Parimet mbi të cilat është ndërtuar ky buxhet, përfshinë: ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, sigurimin e financimit të projekteve që janë në vijim, ruajtjen e rezervës fiskale në nivele të mjaftueshme, rritjen e shpenzimeve kapitale si zëri më produktiv buxhetor në adresimin e barrierave dhe ofrimin e insentivave fiskale që mundësojnë konkurrueshmërinë në sektorin privat”, tha ministri Hoti, duk shtuar se ky propozim-buxhet e ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në të gjitha pozicionet buxhetore, me të cilat është përgatitur ky buxhet.

Pas diskutimeve, Projekt Buxheti u miratua me disa propozime shtesë, duke përfshirë alokimin e brendshëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndarjen e 1 milionë e 500 mijë eurove për fondin për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë në Dhomën e Veçantë dhe ndarjen e 500 mijë eurove për Ministrinë e Punëve të Jashtme si mjete të cilat do t’i destinohen kodit të blerjes së Ambasadës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më tutje, Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale. Ky projektligj ka të bëjë me mundësinë e zgjerimit të afatit për zhvillim të hetimeve për kategori të caktuara të veprave penale, ndjekja e të cilave nuk parashkruhet.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2015, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Mes dy institucioneve, të Kosovës dhe BE-së, është arritur marrëveshja për shumën prej 81 milionë euro, prej të cilave 78 milionë euro do të jenë nga BE, ndërsa 3 milionë bashkëfinancim nga buxheti i Republikës së Kosovës. Fushat e veçanta në të cilat do të fokusohen këto mjete do të jenë kryesisht në energji, bujqësi dhe zhvillim rural, dhe në sundim të ligjit. Po ashtu është paraparë përkrahje edhe për fushën e integrimit evropian të vendit tonë dhe përafrimin ligjor të BE-së.

Kabineti qeveritar miratoi edhe rregulloren për themelimin e institucioneve Korrektuese për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Republikën e Kosovës, që ka për qëllim të përcaktoj tipin dhe llojin e institucioneve korrektuese si dhe selinë e tyre. Ky institucion është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe në të do të dërgohen personat e mitur.

Qeveria në mbledhjen e saj miratoi edhe rregulloren për Organizimin e Mbrojtjes Radiologjike, Kimike dhe Biologjike, si dhe Mjeteve dhe Masave për Mbrojtje, që ka për qëllim përcaktimin e mjeteve dhe masave të cilat zbatohen me qëllim të parandalimit, zbutjes dhe eliminimit të pasojave të efekteve të armëve radiologjike, kimike dhe biologjike, si dhe zbutjen dhe eliminimin e pasojave të avarive teknologjike dhe aksidenteve tjera nga materialet radiologjike, kimike dhe biologjike në kohë paqe.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe Raporti Nëntëmujor i Buxhetit për vitin 2016.

Është aprovuar vendimi për harmonizimin e brendshëm (transfere dhe rialokime) brenda organizatës buxhetore për vitin 2016. Bazuar në paragrafin dy të nenit 24 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, Ministria e Financave ka përgatit vendimin për kursime në kategorinë paga dhe mëditje te komunat, si dhe harmonizime të brendshme brenda organizatave buxhetore nëpër kategori të ndryshme.

Qeveria ka marrë vendim për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e ndryshimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave.

I është dhënë përkrahje edhe nismës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shkëmbimin e Informacionit për Verifikimin e Terrorizmit. Marrëveshja lidhet me Qendrën Amerikane për Skanimin e Terroristëve, qendër e njohur për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, e cila grumbullon detaje të hollësishme për terroristë të ndryshëm. Marrëveshja e propozuar nga SHBA-ja lidh këtë qendër me Policinë e Kosovës, me synim këmbimin e informacionit në kohë të shpejtë, informacionit të saktë në të dyja drejtimet.

Po ashtu, edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë mbi Bashkëpunimin për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe nga Fatkeqësitë tjera është miratuar në këtë mbledhje.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Financim për Projektin për Sigurinë e Ujit për Mbrojtjen e Kanalit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për financimin e projektit për sigurimin e ujit dhe mbrojtjen e kanalit të Ibër Lepencit.

Qeveria miratoi edhe Nismën për Dhënien e garancisë shtetërore për Fondin e Sigurimit të Depozitave në Kosovë me rastin e huamarrjes së re.

U miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Kosovës për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë për Tatimet në të Ardhurat dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal dhe Shmangie, e cila synon eliminimin e tatimit të dyfishtë për të njëjtën kompani ose të njëjtin person për të ardhura të njëjta në këto dy shtete.

Kabineti Qeveritar miratoi edhe vendimin për Përcaktimin dhe Kategorizimin e Pikave të Kalimit Kufitar të trafikut rrugor të Republikës së Kosovës, përkatësisht për hapjen e dy pikë kalimeve kufitare, Kapi dhe Izvor, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Po ashtu, u miratua vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr.12/86 të datës 29.04.2016, lidhur me Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë.

Qeveria e Kosovës miratoi Koncept-dokumentin për Trajtimin e Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, i cili adreson çështjet që lidhen me Ligjin për Bankën Qendrore dhe buron nga rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për vlerësimin e masave mbrojtëse të Bankës Qendrore të Kosovës.

Edhe vendimi për shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës së KEK-Sh. A. për “Datën e Ndërprerjes për Incizimin dhe Vlerësimin e Ekonomive Familjare (objekteve të banimit) në Zonën Kadastrale Shipitullë”, mori aprovimin e kabinetit qeveritar. Implementimi i suksesshëm i këtij projekti ka një rëndësi të veçantë për marrjen e mbështetjes nga institucionet financiare për projektet e interesit vital të vendit siç është edhe “Kosova e Re”.

Kryeministri Isa Mustafa lidhur me këtë pikë tha: “Është fjala për një vendim i cili duhet të hapë mundësi që të rregullohen disa çështje që kanë të bëjnë me vlerësimin e ekonomive familjare përkatësisht objekteve të banimit në Zonën Kadastrale Shipitullë pasi që është fjala për mihjen sipërfaqësore që ndërlidhet pastaj edhe me zhvendosje dhe shpronësim. Një çështje që ka marrë mjaft shumë kohë dhe ka pas mjaft shumë biseda ndërmjet dy ministrive tona, ndërmjet KEK-ut dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, jemi kyçur edhe ne, edhe unë edhe zëvendëskryeministri Kuçi, në gjetjen e zgjidhjeve.

Unë mendoj se është një vendim që ka ardhur në kohë në Qeveri, që ne duhet ta aprovojmë sepse nuk ndërlidhet vetëm me rastin konkret tani, por ka të bëjë edhe me sistemin dhe me praktikat që ne do t’i ndërtojmë që pastaj do të merren parasysh edhe te Termocentrali i ri “Kosova e re” që do ta ketë parasysh Banka Botërore në vlerësimet e saj lidhur me përmbushjen e kritereve lidhur me shpronësimet dhe me vendosjet që duhet të bëhen në bazë të kornizës e cila është përcaktuar. Ne si Qeveri e kemi parasysh vlerësimin e grupit ndërministror dhe mendoj se duhet ta aprovojmë si të tillë që është e përmbledhur në këtë vendim. Ndërkaq çështja e kompensimeve dhe çështjet tjera material mbesin çështje të KEK-ut”.

 

Të Rekomanduara