KosovaLive360

Zhvillimi ekonomik dhe qëndrueshmëria ekonomike e fermës janë faktorët kyçë për një zhvillim sa më të suksesshëm të bujqësisë.

Sektori i pemëve të imëta është bërë njëra ndër kategoritë më profitabile në Kosovës duke pasur një ekspandim të madh në tri vitet e fundit.

Frutat e imëta të cilat përdoren, si të freskëta po ashtu edhe të përpunuara, po gjejnë interesim të madh si në tregun e brednshëm ashtu edhe në tregun e vendeve evropiane.

Pavarësisht nga sfidat nëpër të cilat po kalojnë kultivuesit e pemëve manore, vërehet rritja e sipërfaqeve të mbjellura me këto kultura.

Tregu i pemëve të imëta karakterizohet me kërkesë të madhe për pemët e imëta, qofshin ato të freskëta apo të përpunuara. Ka shumë raporte financiare pozitive, duke siguruar kthim të shpejte të investimeve dhe me norma të mëdha të fitimi. Pra, rentabiliteti për këto kultura është shume i madh dhe se në fillim të ngritjes së pemishtes kostoja është e lartë, mirëpo më pas kostot operative janë në linjë normale me nivelin e qarkullimit mujor apo vjetor si dhe kthimi fillon që nga viti i dytë.

Si një përparësi më e madhe e shteteve të zhvilluara në krahasim me ato në zhvillim janë përdorimi i pajisjeve teknologjike dhe inovative të cilët mundësojnë një profit më të lartë dhe qëndrueshmëri në ekonominë bujqësore. Por edhe pse Kosova ka vështirësi në përdorim të pajisjeve teknologjike të përsosura, prapë se prap disa praktika të mira dhe përkushtimi si dhe vullneti i madhe i fermerëve të përkrahur nga Qeveria e Kosovës dhe kushte të volitshme klimatike arrin një rendiment dhe profitabilitet të lartë në këtë fushë.

Disa karakteristika të preferuara të pemëve të imëta:

Si kërkesa kryesore të industrive qofshin për tregti apo përpunimit, karshi prodhuesve mund të jenë:

Të japin rendiment të lartë dhe të ketë qëndrueshmëri ndaj dëmtuesve

Të kenë cilësinë e dëshiruar si në shije ashtu edhe në pamje

Të jenë të përshtatshme për ngrirje dhe të ruajnë vetitë e tyre pas shkrirjes.

Mjedra – Fruti i mjedrës përdoret për konsum të freskët dhe për përpunim. Mjedra ka vlere të lartë industriale në shumë vende të Evropës, krijon në mënyrë direkte, vende të reja të punës në bujqësi dhe po ashtu në mënyra indirekte në zinxhirin e vlerave të ushqimit.

Sipërfaqja me mjedër në Kosove është rritur nga 23 ha sa ishte në vitin 2013 në 141 ha në vitin 2014 ndërsa në vitin 2015 ka të mbjellur rreth 350-400 ha, me një rendimet rreth 8- 15 t/ha, çmimi mesatar për 1kg, në tre vitet e fundit ka qenë 1.65 €. Në frytedhënie të plotë llogaritja e fitimit neto për 1 ha është rreth 16,425 € . Në 15 vjet  fitimi vjetor mesatar neto për 1 ha me mjedër është rreth 14,445 €.

Dredhëza – Nga totali i sipërfaqes së kultivuar me pemë prej 6,921 ha, dredhëza mbulon rreth 2.9% të pjesëmarrjes me sipërfaqe të kultivuar për vitin 2014,  ndërsa kapaciteti i prodhimit në këtë vit ishte mesatarisht 965t. Kurse në vitin 2015 rreth 300 fermer kanë të mbjellur 150 ha me dredhëz. Rendimenti i plantacioneve komerciale me fidan cilësor është përafërsisht 15 – 25 t/ha, ndërsa plantacionet e tjera kanë arritur rendimet prej 8 – 12 t/ha.

Boronica – Në vitin 2012 dhe 2013 Kosova ka prodhuar rreth 73 ton me boronicë, kurse në vitin 2015 sipërfaqja është dyfishuar kështu edhe prodhimi është vlerësuar të jetë rreth 108.2 ton. Në vitin 2016 sipërfaqja e mbjellur me boronicë është 40 ha me sasi të prodhimit 156 ton.

Kostoja e ngritjes së pemishtes prej 1 ha për kultivimin në fushë të hapur, në baze të disa llogaritjeve, është rreth 25 – 30 mije Euro, ndërsa kultivimi në kontejnerë arrin shumën rreth 70 mije Euro. Mesatarja e rendimentit për 10 vjet në frytedhënie të plote është rreth 15,000 Euro.

Boronica kryesisht shitet e freskët, vetëm një sasi e vogël dërgohet për përpunim ose për eksport. Pasi që ka kërkesë të madhe në tregun Evropian kultivimi i saj paraqet një mundësi të madhe për krijimin e vendeve të reja të punës, ngritjen e standardit dhe përmirësim të bilancit eksport/import të Kosovës.

Aronia – Është kulturë shkurre shumë vjeçare e cila në botë kultivohet në sipërfaqe rreth 20,000 Ha me prodhim prej 150.000 deri në 200.000 ton në vit. Është kulturë e qëndrueshme dhe lehtë përshtatet në kushte të ndryshme tokësore.

Në  Kosove janë të mbjellura rreth 13 ha me aroni. Çmimi i një fidani është rreth 2.50 € dhe për kultivimin e një 1 ha duhen rreth 2000 fidanë, ndërsa çmimi i shitjes së frutit për kg me shumice është mesatarisht prej 1.50 € (për përpunim).  Profiti për hektar nga viti i tret deri në vitin e shtatë ka një mesatare të rentabilitetit rreth 13.200 euro për vit.

                            TRENDI BOTËROR

Pemët e imëta të freskëta janë një nga kategoritë në rritje më të shpejt në termin e konsumit nga të gjitha llojet e frutave dhe kërkohen në treg si të freskëta tërë vitin.

Megjithatë një trend global është në kërkim të pemëve të freskëta  me cilësi të lartë si dhe çmim të volitshëm gjatë tërë vitit.

Pemë e imëta, si frutat të freskëta, kanë arritur të konsumohen me sasi të konsiderueshme sidomos në SHBA dhe shtetet e zhvilluara.

Teknologjia dhe zbatimi i saj në tregun e pemëve të imëta do të zë një vend të një rëndësie të madhe ne qëndrueshmërinë ekonomike.

Vendet që kultivojnë sasinë më të madhe të pemëve të imëta në botë:

Mjedra: Serbia me 110,000 tonë, pastaj vijojnë Poloni, dhe SHBA.

Dredhëza:  Vendi që prin me prodhimin më të madh në botë janë SHBA-të me sasi prej 1386 tonë në vit, pastaj pasojnë  Meksika dhe Turqia.

Boronica: SHBA-të me prodhim vjetor rreth 239,071 tonë, pastaj është Kanada, Polonia, etj.

                           TRENDI NË KOSOVË

Kosova është duke treguar trend pozitiv karshi pemëve të imta. Tregu i pemëve te imëta mund të themi se nuk do të jetë më vetëm sezonal duke pasur parasysh investimet në rritjen e mundësive të ruajtjes së frutave. Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkrah financiarisht fermerët dhe përpunuesit çdo vit me granate dhe subvencione, çka edhe ndihmon në qëndrueshmëri të prodhimtarisë.

Nëse fermerët fillojnë të inkuadrohen në prodhimin e produkteve organike si dhe në  certifikimin e tyre me standarde si shembull Global GAP, kjo do të ndikonte në zgjerimin e tregut si dhe në rritjen e të hyrave si personale gjithashtu edhe të ekonomive bujqësore, pikave grumbulluese, përpunuesve dhe eksportuesve.

Cilësia është përcaktues i fuqishëm në marrjen e vendimit për blerje në nivele të ndryshme të zinxhirit të vlerave për pemët.

Përmirësimi në cilësinë e pemëve të përpunuara në vend është bërë një ndër shtytësit kryesor për rritjen e konsumit dhe eksportin e këtyre pemëve në tre vitet e fundit.

Disa kompani kanë implementuar Sisteme për Menaxhimin e Cilësisë (SMC) në nivel të prodhimit dhe përpunimit, e cila ka ndikim si në shitjen brenda tregut vendor po ashtu edhe në eksportimin e këtyre produkteve. Ky trend është pozitive me faktin se shumë kompani tjera janë të interesuara për implementim të këtyre standardeve.

Pajtime Dobërdolani – Bachelor Agro Ekonomi – Inter Recura Agro Center.  Recura është njësi eRECURA Financials e specializuar në ofrimin e shërbimeve këshilluese në fushën e bujqësise të dedikuara për agrobizneset në rritje. Qendra fokusohet në ofrimin e shërbimeve për ndërmarrjet bujqësore, qeverinë dhe hartuesit të politikave, investitorët, si dhe programet e asistencës teknike nga donatorët.

Të Rekomanduara