KosovaLive360

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së lançon fushatën “Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore” për muajin nëntor

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë shfaqi dokumentarin “Five Broken Cameras” (Pesë kamera të prishura) për ta nisur fushatën e saj më të re “Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore” për muajin nëntor.  Dokumentari është një bashkë-produksion i Palestinës/Izraelit nga Emad Burnat dhe Guy Davidi.  “Five Broken Cameras” është dokumentim i jetës së përditshme të popullit palestinez, i luftës së tyre për paqe dhe për të drejta themelore. Dokumentari fitoi shpërblime në festivale të ndryshme filmi në mbarë botën, përfshirë Çmimin për Dokumentarin më të Mirë në Festivalin e Filmit në Jerusalem dhe Çmimin për Regji në Festivalin e Filmit Sundance.

“Five Broken Cameras” e hapi edicionin e 2012-të të DokuFestit ashtu që drejtori Artistik i Dokufestit, Veton Nurkollari, iu bashkua bisedës më pas. Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e mediave të lira, ndikimin e tyre në ngritjen e vetëdijes publike dhe përdorimin e tyre si mjet për ta promovuar aktivizmin social.

“Liria e fjalës është gjëja më e rëndësishme për arritjet e një vendi. Promovimi i mediave të lira dhe aktivizmit social ishte gjithmonë qëllimi i parë i Dokufestit”, tha Nurkollari.

Si pjesë e fushatës së EUICC-së për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat Themelore, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Mitrovicën e Veriut organizoi një master-klasë me Milan Radonjiqin nga BIRN dhe Zhelko Tvërdishiqin nga Kontakt Plus, duke u përqendruar në rolin madhor të mediave në ruajtjen e sundimit të ligji.

Ngjarja synonte fuqizimin e lirisë së medias dhe ndikimit të tyre në këtë proces themelor, si dhe analizimin e të gjitha aspekteve dhe çështjeve lidhur me sundimin e ligjit në Kosovë nga një perspektivë gazetareske duke ofruar një pasqyrë mbi rëndësinë e lirisë së shtypit dhe progresit të sundimit të ligjit në rajon. Milan Radonjiq nga BIRN e theksoi rëndësinë e konferencës së Ditëve të Medias në BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tiranë: “Protesta gjatë konferencës së medias në Tiranë, duke i përfshirë edhe protestat tjera mediatike në të kaluarën, e theksoi rolin vendimtar të medias që i del krah mbrojtjes së interesit publik dhe për t’i kritikuar të gjitha politikat, përfshirë BE-në”.

Në serinë e ngjarjeve të organizuara si pjesë e fushatës së EUICC-së për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat Themelore më 22 nëntor do të organizohen dy ngjarje: një master-klasë për ‘Lirinë e Shprehjes dhe Të Drejtës së Medias’ me Flutura Kusari juristen e së drejtës së medias në EUICC Prishtinë, ndërsa EUICC në Mitrovicën veriore do ta organizojë një panel diskutimi me temën ‘Sundimi i ligjit dhe pse është i rëndësishëm’.

Të Rekomanduara