KosovaLive360

Sa Druge Strane – “Ndërpreje, ndërpreje. Po xhiron qe sa kohë. A jemi shtazë a njerëz? Mos po do që të kalojë nëpër ty?

A të kalojë nëpër ty!!!.

Mos. S’ka nevojë.

Pse po bëheni të marrë. O ju kafshë. O ju kafshë.”

Kështu ishte pritur ekipi i Televizionit të Bosnjë-Hercegovinës në fshatin Gluha Bukovica në Vllashiq, në shkurt të vitit 2009.

Ky është vetëm një nga sulmet e shumëta ndaj Avdo Avdić-it, redaktorit të dikurshëm të Televizionit Federal, shërbimit publik të Federatës së BeH dhe gazetarit të tashëm të portalit të Bosnjë-Hercegovinës “Zhurnal”. Sulmi ndodhi në shkurt të vitit 2009, por kjo skenë është e gjallë edhe sot, meqë është pasqyrim i gjendjes së raportit ndaj gazetarëve.

Sulmi ndodhi në fshatin Gluha Bukovica, dhe udhëhiqej nga mutevelia Alija Musić.

“Pati kërcënime që menjëherë rezultuan me sulme fizike, sikur ishte rasti në Gluha Bukovica, ku u sulmova nga krerët e Këshillit të Xhematit, kur po punonim rreth pedofilisë brenda komuniteit islam në BeH. Ka pasur kërcënime edhe nga ish pjesëtarët e Njësisë së Dhjetë Diverzante të Ushtrisë së Republikës Serbe, të cilët kërcënuan dhe fill pas filluan me sulme fizike…”, rradhitë Avdić vetëm disa prej sulmeve.

Nga Gluha Bukovica ai kishte dalë me ndihmën e policisë së Kantonit të Mesëm, të cilën e priti një orë. Para kësaj, ishte sikur një peng, në një nga shtëpitë e fshatit, ndërkohë që i kërcënoheshin edhe me përdorim të armëve të zjarrta.

Edhe pse policia paraqiti raportin kundër sulmuesve të Avdić-it në fshatin Gluha Bukovica, nuk pati kurrfarë aktakuze.

Kërcënimet e fundit Avdić-it iu drejtuan në shtator të vitit 2017 nga pjesëtari i sigurimit të kryeprokurores së BeH, Gordana Tadić-it. I punësuari në Drejtorinë për koordinimin e organeve të policisë, Nermin Džafić iu kërcënua Avdić-it meqë ishte nervozuar me pyetjet që ky ia shtronte prokurores Tadić.

“Më tha se do të më keqtrajtonte seksualisht nëse vazhdoj të raportoj ashtu si raportoja deri atëherë rreth kryeprokurores. Rastin ia paraqita, sipas rregullit, Prokurorisë kompetente Kantonale në Sarajevë, para ndoshta nja shtatë muajsh. Megjithatë, asgjë nuk ndodhi, ata i morën në pyetje disa dëshmitarë, mendoj se e dëgjuan dhe e morën në pyetje edhe të dyshuarin, mirëpo aktakuzë nuk ka”, thotë Avdić.

Edhe pse është sulmuar fizikisht disa herë, dhe përkundër asaj se kërcënimet që iu bënë dhe i bëhen janë më shumë se brutale, dhe edhe pse i ka paraqitur me rregull tek organet kompetente, asnjë aktakuzë e vetme nuk është ngritur.

Rasti i gazetarit Avdić njëherësh është edhe rasti i shumë gazetarëve të tjerë, që u janë nënshtruar kërcënimeve dhe sulmeve, por janë shumë të ralla rastet kur sulmuesit procesohen.

Sipas të dhënave të Asociacionit BH – Gazetarët, që na i ka prezantuar Borka Rudić, sekretare gjenerale e këtij asociacioni, në periudhën 2006-2017 janë regjistruar 91 sulme fizike, kërcënime me vdekje ndaj gazetarëve dhe raste rrezikimi të pronës së mediave, me ç’rast 22 janë zgjidhur në favor të gazetarëve, ndërkohë që në 19 raste nuk është përcaktuar përgjegjësia penale e sulmuesve të akuzuar.

“Katërmbëdhjetë raste janë ende aktive në institucionet e drejtësisë, e në 37 raste institucionet kompetente policore dhe të drejtësisë nuk kanë ndëmarrë asgjë për zgjidhjen e tyre, ose rastet janë tërhequr me kërkesë të institucioneve kompetente dhe gazetarëve,” thekson Rudić.

“Këtu më nuk bëhet fjalë për atë se policia ndoshta edhe mund bëjë diç, por prokuroria sigurisht nuk bën asgjë”, përfundon Avdić.

Gazetarët në Bosnjë-Hercegovinë përjetohen si një cak i lehtë, e sulmuesit madje janë edhe policët, të cilët i imitojnë shefat e tyre, liderët politikë. Kemi të bëjmë me zemërim dhe arrogancë, që konfirmon edhe rasti që i ndodhi gazetarit të “Avazit” të Sarajevës, ditores më me tirazh në BeH, Goran Dakić-it.

Nga fillimi i vitit 2017, gazetarët në Pallatin Presidencial po pritnin përfundimin e takimit mes kryetarit të Republika Srpska, Milorad Dodik dhe prefektit të komunës së Srebrenicës, Mladen Grujičić.

“Pritnim aty poshtë në korridor. Meqë takimi zgjati shumë, gjysmë ore, 45 minuta, unë isha ulur në shkallë dhe, në një moment, ndjeva se dikush, nga prapa, më shqelmoi me majen e këpucës apo çizmes dhe tha ‘largohu o trashalluq, që të kaloj’. U ktheva dhe e pash se ky ishte një nga policët që legjitimonin në atë shtëpizë nga llamarina, tek hyrja,” thotë Dakić.

Nuk ka kurrfarë dileme se sulmet ndaj gazetarëve në Bosnjë-Hercegovinë janë një trend në rritje dhe se janë pasojë e demonstrimit negativ të fuqisë politike dhe tentimeve të liderëve të këtij vendi që me një goditje ndaj gazetarëve t’i pacifikojnë edhe ata edhe mediat, e me këtë edhe opinionin publik.

“Mendoj se këto, në të njëjtën kohë, janë pasojë e trashëgimisë autoritare, pushtetit autoritar, kulturës së politikës autoritare, ku politikanët, në fakt mediat i perceptojnë si të dëgjueshmit, që do të duhej të ishin aty si një transmetues të ideve të tyre, tregimeve të tyre, të ideologjive të tyre,” konsideron Tanja Topić, një nga analistet kryesore në Bosnjë Hercegovinë.

Është fakt se në dhjetëvjetëshin e fundit është krijuar një ambient ku çdo mendim kritik dhe prezantim i një qëndrimi tjetërfarë, me automatizëm shikohet si sulm ndaj strukturës së pushtetit, strukturës politike; dhe nomenklaturat sunduese këto i trajtojnë si rrezik elementar, e bartësit e tyre automatikisht shpallen tradhtarë të vendit dhe mercenarë të huaj.

“Pra, pluralizimi i mendimit këtu është shumë i ngushtuar, është reduktuar në një minimum, dhe individët që mendojnë me kokën e tyre, në fakt janë shumë të rrezikuar, si prej strukturave politike, ashtu edhe prej grupacioneve të caktuara të interesit”, thekson Topić.

Në disa vite të fundit në mënyrë dramatike është shtuar numri i sulmeve dhe kërcënimeve përmes rrjeteve sociale. Shembuj drastik janë sulmet ndaj gazetares Lejla Čolak, që është dashur përkohësisht të largohet nga vendi, por edhe shumë të tjerëve.

“Kam frikë se, thjesht, askush nuk ka guxim të mjaftueshëm politik, nuk ka guxim në postin që e mban, që t’i jap fund kësaj”, thotë Dakić.

Dakić, gjithsesi, ka të drejtë, por është fakt se pakkush, thuajse askush, nuk do që t’i jap fund kësaj, meqë sulmet ndaj gazetarëve janë një nga “mallrat më konkurrues” në Bosnjë-Hercegovinë, pa marrë parasysh nga vijnë, nga politikanët apo kapadainjtë e rrjeteve sociale, të mbrojtur me anonimitet.

“Mendoj se problemi i përgjithshëm është se politika e ka formuluar dhe etabluar një aso pozicioni se në fakt, është mirë të sulmohen gazetarët. Pastaj, të gjitha këto sulme ndaj gazetarëve përjetohen si diç e pranueshme, normale, që i përket diskursit të përditshëm”, përfundon Tanja Topić, analiste politike.

Fjalët e saj janë diagnoza më e saktë e burimeve të vërteta të “zgjidhjes së hesapeve” me gazetarë.

 

Të Rekomanduara