KosovaLive360

Në cep të rrugës përballë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, disa “punëtorë krahu”, siç edhe e quajnë veten, shpresojnë se do të fitojnë ndonjë euro për ndonjë shërbim, kryesisht punë fizike për ata që kanë nevojë për këtë.

Çdo mëngjes e deri kur bie muzgu, disa të papunë të moshës 20 deri në 60 vjeç ndajnë fatin e përbashkët: varfërinë dhe në anën tjetër shpresën se do ta sigurojnë bukën e përditshme për familjet e tyre.

Abdyl Rexhepi, 60-vjeçar nga fshati Koliq, ankohet se prej shtatorit të vitit të kaluar deri tash nuk ka fituar asnjë punë.

“Jam në moshë, askush nuk më merr, pasi ka të rinj që presin për punë dhe kanë energji e forcë më shumë se unë”, rrëfen ai.

Megjithatë, me një buzëqeshje të lehtë, ai thotë se nuk dëshiron ta humbë shpresën. Rexhepi mban familjen nëntë anëtarëshe dhe fëmija më i vogël i ka dy vjet. Ata jetojnë me vetëm 150 euro në muaj nga ndihma sociale.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në nivel të vendit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 ishte rreth 27%, ndërsa për gjashtëmujorin e këtij viti papunësia është më e lartë rreth 30%.

Vështirësinë si punëtor krahu për ta fituar bukën e gojës për vete dhe për familjen e tij, e përshkruan edhe Enver Ahmeti 49-vjeçar, i cili prej pasluftës del në rrugë prej orës shtatë të mëngjesit e deri në mbrëmje, për të bërë ndonjë punë fizike.

Ahmeti punon punë të ndryshme, varet nga sezona dhe ofertat e qytetarëve. Kohëve të fundit ka punuar në çarjen, palimin, ngarkimin e shkarkimin e drunjve.

“Nuk më vjen turp të dal në rrugë të kërkoj punë, se nuk jam duke bërë diçka të keqe, përkundrazi po dal për ta siguruar ushqimin për veten dhe familjen time”, tregon ai.

Ai jeton me djalin dhe nënën e tij. Djalin e ka me aftësi të kufizuara dhe epilepsi, ndërsa nëna në moshë po ashtu është e sëmurë. Ai thotë se mbijetojnë me pensionin e pleqërisë së nënës dhe me “socialin” prej 75 euro të djalit. Sipas tij, këto të holla janë të pamjaftueshme pasi pjesa kryesore shpenzohet për medikamente.

Dy gjëra e preokupojnë më së shumti. Puna fitohet vështirë, pasi që kur ndalon ndokush për të kërkuar punëtorë, të gjithë vrapojnë dhe e rrethojnë veturën. Ata të cilët janë më të shpejtë, sipas tij, ia marrin mundësinë para syve. Preokupim tjetër është aftësia e kufizuar fizike: për këtë fajëson ushqimin e pamjaftueshëm. Po të hante mirë, ai konsideron se do të kishte energji më shumë dhe forcë për punë.

“Për mëngjes ha mantija, pasi që më kushtojnë më lirë, edhe pse më mirë do të ishte sikur të haja në ndonjë gjellëtore. Besoj se edhe lodhja do të ishte më e përballueshme”, rrëfen ai.

Rruga përballë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë nuk është e vetmja në të cilën presin punëtorët e krahut. Nja një qind metra më poshtë, të tjerë të papunë, nga Prishtina por edhe vendet e tjera, vazhdojnë të presin për punë.

Bashkim Ukaj 40-vjeçar, nga komuna e Podujevës, çdo ditë vjen në Prishtinë. Ai me një karrocë bartë gjërat nga pazari nëpër lagje. Përveç kësaj, ai pret në rrugë për të bërë ndonjë punë fizike tjetër. Kështu e mban familjen 5-anëtarëshe.

“Fëmijët janë të vegjël. Po mundohem të punoj për ta, të paktën sa për kushtet e shkollimit”, rrëfen ai.

Ukaj thotë se ndodh që kalon tri ditë me nga 12 orë në rrugë dhe nuk fiton as një cent. Ai çdoherë kishte punuar privat. Në kohën kur ishte 20 vjeç thotë se fitonte një rrogë që sot nuk mund ta fitojë as me punë tre muajshe.

Por ky nuk është i vetmi dallim prej atyre kohërave: edhe njerëzit kanë ndryshuar.

“Në atë kohë njerëzit kanë qenë më human, kanë ndihmuar njëri-tjetrin, familjarët, kurse sot një gjë e tillë nuk ndodh”, thotë ai.

Krahasime rreth jetesës së tij bën edhe B.A, rreth dyzet vjeçar, që shkaku i fëmijëve deshi të mbetet anonim. Ai për një kohë kishte jetuar e punuar jashtë vendit, por për shkak të rrethanave familjare ishte kthyer në Kosovë. Tash sa vjet, pret në rrugët e Prishtinës për të transportuar gjëra të ndryshme me kamionin e tij.

Ai thotë se mundohet çdoherë të japë maksimumin e tij, që t’ia dal me punë, për ta mbajtur familjen e tij 5-anëtarëshe.

Ai nuk e mendon të ardhmen më ndryshe, edhe pse ka vendosur të marrë patent-shoferin e autobusit, me shpresën që të gjejë një vend pune më të mirë. Ajo që e motivon të vazhdojë janë fëmijët e tij.

“Ishalla vetëm fëmijët i shoh mirë. Ata mësojnë shumë, edhe e di që do e kenë një të ardhme më të mirë se unë”, shpreson ai.

Në Ligjin mbi Qeverisjen Lokale, shërbimet sociale janë përgjegjësi vetanake e komunës. Qytetarët në gjendje të nevojës sociale për çdo shërbim aplikojnë në Qendër Për Punë Sociale (QPS) si organ komunal i administratës në nivel të komunës.

Bajram Kelmendi, udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), tregon se secila komunë e ka QPS-në e cila është edhe organ i kujdestarisë.

“Qendra ka mandat brenda komunës së vet e jo në komuna të tjera. Kjo vlen edhe për ndihma sociale. Aplikohet në QPS-në e komunës respektive, dhe vetëm ankesat në shkallë të dytë vlerësohen nga komisioni i formuar për këtë punë në Ministri- Departament”, tregon Kelmendi.

Musa Demiri – udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik nga MPMS-ja tregon se në muajin shtator 2017, (e cila është pagesa e fundit), ndihmën sociale në nivel të Kosovës e kanë shfrytëzuar 25.472 familje, me 104.090 anëtarë të familjes.

Nafie Sylejmani

Të Rekomanduara