Presidenti Thaçi mori pjesë në hapjen e Samitit të 17-të të Frankofonisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Samitit të 17-të të Frankofonisë, në Jerevan të Armenisë.

Në ngjarjen që ka bashkuar mbi 80 shtete dhe qeveri anëtare, të cilat kanë të përbashkët gjuhën frënge dhe vlerat që i ndajnë ato, ndër çështjet më me rëndësi që do të diskutohet për Kosovën është edhe avancimi i statusit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë, nga vëzhgues në anëtar të asociuar.

Në mesin e krerëve të shteteve që po marrin pjesë në këtë samit janë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, Princi Albert II i Monakos, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe shumë liderë të tjerë të vendeve frankofone.

Para hapjes së Samitit, fjalë rasti kanë mbajtur presidenti i Senatit të Madagaskarit, Rivo Rakotovao, si dhe sekretarja e përgjithshme e Frankofonisë, Michawlle Jean.

Organizatat dhe partnerët e përfaqësuar në Samit përfshijnë Organizatën e Shteteve Amerikane, UNESCO-n, Komunitetin e Shteteve të Gjuhës Portugeze, Unionin Afrikan, Ligën Arabe, Urdhrin Sovran të Maltës, Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikimeve, Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale, Komisionin e Oqeanit Indian, Këshillin e Evropës, Kombet e Bashkuara, Organizatën Ndërkombëtare për Migrim dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.

Me ftesë të presidentit të Republikës së Armenisë, Armen Sarkissian, presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në koncertin dhe darkën presidenciale shtetërore.