KosovaLive360

Sipas sociologëve, dërgimi i fëmijëve në çerdhe është një hap shumë i rëndësishëm drejt socializimit të tyre dhe se në kopsht fëmijët, në shoqëri të bashkëmoshatarëve, mësojnë shumë rreth sjelljes dhe të menduarit shoqëror.

Për sociologun Avdyl Gashi, kur është fjala për rritjen e fëmijëve, nuk ka zgjidhje tjetër më ideale se çerdhja.

“Edhe pse secila mënyrë i ka dobitë dhe të metat e veta, klasa parashkollore është një ndihmesë përgatitore që i ndihmon fëmijët, ju ofron qasjen sa më të lehtë në klasën e parë dhe këto klasa janë të domosdoshme për t’i përvetësuar elementet e para si të formësimit ashtu edhe të ambientimit me shkollën, me mësimdhënësit dhe bashkëmoshatarët”, thotë Gashi.

Sipas tij, jeta dinamike dhe punësimi gjithnjë e më i madh i të dy prindërve i ka imponuar mënyrat e kujdesit për fëmijët, përkatësisht dërgimin e tyre në qendra të kujdesit për fëmijë.

“Segmentimi i familjes është një faktor tjetër që ka ndikuar që gjithnjë e më tepër po rritet numri i fëmijëve që në baza ditore marrin edukim dhe përkujdesje në çerdhe publike ose private,” thotë ai.

Të mendimit të njëjtë janë edhe disa prej prindërve të cilët për fëmijët e tyre i kanë zgjedhur çerdhet si pikënisje për edukim.

Afërdita Jusufi, nënë e një vajze 5 vjeçare konsideron se është më mirë është që fëmija të shkojë në çerdhe, sepse aty integrohet në një mënyrë tjetër, i rrethuar me fëmijë të tjerë.

“Për vajzën time kam vendosur që të zgjedh institucionet publike, ku trajtimi nga edukatoret është i mirë, ushqimi është tamam për moshën e fëmijëve dhe ne si prindër asnjëherë nuk kemi pasë probleme. Njëra ndër arsyet është edhe paga prej 50 eurove në muaj e cila përshtatet me pagën që bashkëshorti e fiton në punë”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Rejhane Piriqi e punësuar së bashku me bashkëshortin, tregon se për të dy fëmijët e saj preferon çerdhet private.

“Numri më i vogël i fëmijëve në çerdhet private është një plus i madh pasi që edukatorët mund të kenë kohë të përkushtimit më të madh për secilin fëmijë në mënyrë individuale. Kushtet janë të mira, janë në përputhje me çmimin”, shton ajo.

Në komunën e Vushtrrisë aktualisht funksionojnë një çerdhe publike dhe pesë çerdhe private.

Agim Miftari, drejtor i Arsimit në Vushtrri, është i kënaqur me punën në institucionin parashkollor ,,Foleja” , por thotë se komuna planifikon ndërtimin edhe të një çerdhe në oborrin e shkollës fillore “Mustafë Venhari”, të cilën do ta funksionalizojnë në vitin 2019.

“Fëmijët kanë tërë ditën kujdestari. Shumica e kërkesave është për fëmijë të moshës 3 muaj deri në moshën shkollore”, thotë Miftari.

Numri i fëmijëve në çerdhen publike “IP Foleja” akualisht është 175 ndërkohë që prindërit paguajnë 50 euro në muaj.

Në pesë çerdhet private numri maksimal i fëmijëve maksimal është 65 fëmijë, ndërsa pagesa mujore në të gjithat është 60 euro.

Fadil Krasniqi, drejtor i çerdhes publike “Foleja” thotë se në këtë objekt ka hapsirë të mjaftueshme për aktivitetet e ndryshme të fëmijëve. Në çdonjërën nga gjithsej 17 dhoma është e angazhuar nga një edukatore, ndërsa në dhomat ku janë fëmijët me nevoja të veçanta, ka dhe nga një ndihmëse.

Edukatore në këtë çerdhe, Flora Shabanaj, e cila punon në një dhomë me 24 fëmijë, nga mosha tre deri pesë vjeç, e sheh fëmijërinë e hershme si fazë më të rëndësishme të zhvillimit te fëmijët.

“Dërgimi në institucionet përkatëse është pikënisje për zhvillimin e potencialeve të fëmijëve. Ndjekja e këtij procesi ka efekt edhe me kujdesin shëndetësor dhe mirërritjen e fëmijës”, thotë Shabanaj.

Drejtoresha e njërës prej kopshteve private “Gëzimi Ynë”, Pranvera Dallku thekson rëndësinë e kualifikimit të edukatoreve për punë me fëmijë.

“Integrimi i fëmijëve është më i lehtë kur ekziston bashkëpunimi nga ana e edukatorëve me prindërit, ku falë bisedimit me fëmiun për gjërat që do t’i mësojë në kopsht, lodrat me të cilat do të argëtohet”, thotë  ajo.

Në kopshtin privat “Gëzimi Ynë” për 60 fëmijë, të moshës 1 deri në 5 vjeç, kujdesen gjashtë  edukatore. Me grupin parashkollor (pesë deri në gjashtë vjeç) është e angazhuar një mësuese.

Në rast se prindërit nuk mund të regjistrojnë fëmiun e vetë në çerdhe publike ose private, një nga mundësitë që tash së voni aplikohet është edhe angazhimi i dadove.

Nyrtene Muli, e cila për vajzën e saj gjashtë muajshe angazhoi një dado, thotë se për këtë zgjidhje ishin të detyruar sepse ajo punon me ndërrime dhe shkaku se nuk ekzistojnë çerdhet me orar 24 orësh.

“Fëmija është gjithmonë në vend dhe në ambient të mbrojtur të shtëpisë tonë. Dadoja duhet t’i respektojë këshillat tona si prindër. Fëmija çdo ditë në të njëjtin orar duhet të ha dhe të fle”, thotë ajo.

Angazhimi mujor i një dadoje, dy deri në tri ditë gjatë javës, është paksa më i lirë se vendosja në çerdhe, dhe sillet prej 30 deri në 35 euro.

Ajo që mund të paraqitet si mangësi, mund të jetë fakti se fëmijët nën përkujdesjen e dados mund ta kenë më vështirë të nisin klasën e parë, sepse nuk e kanë kaluar fazën përgatitore nga stafi profesional që mund t’iu ofrohet në çerdhe.

Disa prindër, si Nyrtene Muli, janë të shqetësuar me mospraninë e pediatërve nëpër çerdhe.

Në çerdhen publike “IP Foleja” është e punësuar një infermiere por në atë private “Gëzimi Ynë”, sikur edhe në çerdhet e tjera private, nuk kanë të angazhuar pediatër, as mjek të praksës së përgjithshme dhe as psikolog, në rend të parë për shkak të shpenzimeve të larta.

Merita Bajrami, infermiere në çerdhen “IP Foleja”, flet për masat parandaluese kur është në pyetje shëndeti i fëmijëve.

“Kur ka fëmijë të prekur nga ndonjë virus, nga prindërit kërkohet mossjellja e tyre në kopsht pasi që rreziqet për përhapjen e virusit janë të natyrshme. Ne çdo herë kërkojmë vërtetimin nga ana e mjekut…”, thotë ajo.

Sipas përgegjësit të Zyrës Civile në Vushtrri, Bekim Selmani, për pesë vitet e fundit, pra që nga viti 2013 e deri në vitin 2017, në këtë komunë kanë lindur 2,234 fëmijë, ndërsa janë martuar 3,225 çifte.

Venera Grabanica

 

Të Rekomanduara