KosovaLive360

11 Nëntor 2015
Përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale, i dëmshëm

Përdorimi i rrjeteve sociale tashmë është bërë diçka e zakonshme në jetën tonë të përditshme dhe shumica prej nesh mund ta paramendojnë jetën pa shumëçka tjetër, por jo edhe pa internet, pa rrjete sociale, të cilat gjithnjë e më shumë vjedhin kohën tonë dhe ndaj të cilave një numër i konsiderueshëm i të rinjve tashme ka krijuar vartësi nga ato.

Ekspertë të kësaj fushe thonë se kjo i ka të mirat e veta duke krijuar kështu mundësi për qasje më të lehtë në informacion dhe komunikim të shpejt në kohë dhe hapësirë, por përkrah këtyre të mirave i ka edhe anët negative që ndikojnë në shëndetit fizik dhe psikik të njeriut.

Psikologu Esheref Haxhiu vlerëson se rrjetet sociale dhe zhvillimi i teknologjisë së informacionit në përgjithësi ka ndikuar pozitivisht në rritjen dhe zgjerimin e komunikimit mes njerëzve pasi me anë të tyre bëhet i mundur kontakti me shumë njerëz brenda ditës pa marrë parasysh distancën, por që me një rritje të tillë të komunikimit është shënuar zbehje kualitative e marrëdhënieve ndërnjerëzore pasi teknologjia na mundëson të krijojmë raporte të gjera, por jo të thella.

Esheref Haxhiu

“Impakti i teknologjisë në procesin e të mësuarit është shumë pozitiv, natyrisht nëse flasim për përdorim të mirëfilltë të saj. Teknologjia na mundëson marrje të shpejt të informacionit dhe qasje të lehtë në burime shumë të rëndësishme informacioni”, thekson Haxhiu.

Sipas tij, shfrytëzimi i tepruar i rrjeteve sociale ndikon negativisht, jo vetëm në mirëqenien psikologjike, por edhe në shëndetin fizik.

“Brenda secilit njeri ka dy veta, ajo reale që paraqet atë që jemi në realitet dhe ajo ideale duke paraqitur atë që duam të jemi. Normalisht që në ambientet sociale, ne tentojmë të paraqesim më shumë vetën tonë ideale. Jo vetëm që ta paraqesim, por edhe angazhohemi që të jemi ashtu siç duam të jemi.

Pastaj gjërat që paraqesin njerëzit në rrjete sociale mund të jenë të gjitha reale, por ato asnjëherë nuk paraqesin në tonalitet jetën dhe personalitetin e atij personi. Neve shpesh herë, gabimisht, vetëm mbi bazën e disa fotografive krijojmë perceptimin tonë mbi njerëzit e caktuar, por këto fotografi në realitet paraqesin vetëm një dimension te atij personi, jo atë në tonalitet”, shton tutje ai.

I pyetur nga KosovaLive se a ndikojnë rrjetet sociale tek njerëzit që ata të ndihen më të vetmuar, Haxhiu thotë se ato ndikojnë anasjelltas njëra tjetrën pasi përdorimi i tepërt rrjeteve sociale, korrelon me vetminë, pra rrjetet sociale mund t’i bëjnë njerëzit më të vetmuar, por edhe vetmia është faktor që i shtyn njerëzit në përdorim më të tepërt të tyre.

Sociologu Genc Xërxa duke pohuar faktin se në ditët e sotme është mese evidente që një numër i konsiderueshëm i të rinjve veç se kanë krijuar vartësi ndaj rrjeteve sociale dhe sipas disa hulumtimeve një kohë të konsiderueshme të ditës e kalojnë nëpër rrjete sociale apo ueb-sajte të ndryshme thotë se prindërit duhet të jenë shumë më të kujdesshëm kur t’i pajisin fëmijët e tyre me qasje në internet apo telefona ‘të mençur’, që thuaja çdo adoleshent tani ka në posedim një të tillë.

Genc Xerxa

“Prindërit të zënë me punët e tyre profesionale të përditshme nuk kanë kontroll thuajse aspak në ueb-faqet të cilat fëmijët e tyre i shfletojnë, e të cilat në disa raste mund të kenë kundërefekt apo informacione, të cilat nuk përkojnë me moshën e tyre. Iu referohem pornosajteve, të cilat një numër i madh i të rinjve iu qasen, sidomos nga gjinia mashkullore”, thotë Xërxa.

Ai përmend këtu edhe lojërat e shumta, të cilat në përmbajtje kanë dhunën apo shprehin imazhe të dhunës e që si të tilla mund të kenë efekt negativ në psikikën e të rinjve, të cilët janë në zhvillim dhe formim të karakterit dhe me përdorimin e shpeshtë të lojërave të tilla dhuna mund të bëhet diçka thjeshtë e pranueshme dhe e riprodhuar, bartur edhe në jetën reale nga ajo virtuale.

Sipas Xërxes përdorimi i shumtë i rrjeteve sociale apo ueb-sajteve, të cilat nuk janë edukative-arsimore mund të krijojnë edhe asocializëm tek të rinjtë duke u mbështetur në botën virtuale dhe projektuar komunikim që është jashtë asaj natyrale. Pastaj mund të ndodhë edhe dekurajimi social apo mbyllje në  “kapsulën e egoizmit” dhe “vetëkënaqësisë” me vetën e vetë në botën private të projektuar virtualisht.

“Përveç kësaj kjo mund të jetë indikator i sëmundjeve psikike dhe fizike pasi duke qëndruar ulur apo shtrirë vazhdimisht iu shmangen aktiviteteve fizike. Jo rrallë ushqehen shpejtë gjatë qëndrimit në këto rrjete sociale, epilogu i së cilës gjendje është obeziteti dhe deformimet e ndryshme trupore,  si një sëmundje e shprehur mjaft shumë këtë fillimshekull”, thotë ai.

1

Xërxa shton se edhe përdorimi i ueb-sajteve të ndryshme mund të ketë pasoja në karakterin psiko-social të rinjve duke u keqedukuar apo “përkrahur dhunën” që del si rezultat i projeksioneve virtuale nga rrjetet e ndryshme të ueb-sajteve, apo fenomene tjera jo racionale që mund të jenë denigruese sociale për individin, e që dërgojnë në devijime të ndryshme shoqërore, duke u bërë problem simptomatik që kërkon pastaj “shërbim social”.

Ai porosit prindërit që të kenë kujdes dhe vazhdimisht të kontrollojnë fëmijët e tyre, me qëllim që të përdorin ueb-sajtet për qëllime informacioni, edukimi apo arsimimi në shërbim të ngritjes së kapaciteteve të njohurive formuese e assesi me qëllim destruktiviteti, keq edukimi apo duke përkrahur dhunën.

Por një gjë e tillë paraqet problem për prindërit, të cilët ndër të tjera kanë edhe punët e tyre të përditshme dhe se nuk iu mbetet shumë kohë për të kontrolluar fëmijët e tyre. Madje sipas tyre një gjë e tillë është e vështirë të bëhet edhe nëse ke kohë të mjaftueshme sepse tashmë me telefona ‘të mençur’ fëmija ka internet kudo të shkojë, por që nuk e shohin të arsyeshme tua ndalojnë plotësisht atë marrë parasysh përfitimet që mund të kenë, përderisa ndalimin e tyre as që e pranojnë të rinjtë, të cilët e shohin të nevojshme qasjen e vazhdueshme në internet.

Perdorimi i telefonave

Qytetarja Myrvete Kastrati thotë se nuk është shumë në rregull qasja e fëmijëve dhe adoleshentëve në internet, marrë parasysh sa shumë gjëra jo të duhura gjinden aty, por as t’i kontrollosh ata nuk është e lehtë, sidomos për prind si ne që punojnë.

“Fëmijët ditët e sotme për dallim nga ne e përdorin internetin edhe për t’i kryer detyrat, apo për të mësuar andaj nuk ka logjikë që të ua ndalojmë përdorimin e tij, por përpiqemi që t’ua kufizojmë kohën që e kalojnë në internet dhe me dialog t’i tregojmë atyre se jo gjithçka që shohin aty është e saktë dhe e drejtë”, thotë ajo.

E reja Blerta Maqastena thotë se çështja nuk është a të kemi rrjete sociale por si i menaxhojmë ato.

“Në ditët e sotme qasja në këto rrjete është e nevojshme, ato na mbajnë të informuara, na mbajnë në kontakt me familjarët dhe njerëzit e afërm, por problemi është tek keq menaxhimi i tyre, shpalosja e të dhënave personale dhe siguria e tyre.

Unë i përdori rrjetet sociale mirëpo në një masë jo sa të tejkaloj normat dhe të mbes mbrapa në mësime. Mendoj se përdorimi i tepërt i tyre nuk është i dobishëm për të rinjtë edhe pse nuk mund të mohohet se përmes internetit mund të mësosh shumë gjera të reja, të jesh në hap me të rejat e fundit që ndodhin por megjithatë kam përshtypjen se të rinjtë në vendin tonë nuk dinë t’i përdorin në mënyrë racionale dhe nganjëherë edhe e teprojnë.

Sa i përket asaj se a do të mundesha pa rrjete sociale  meqenëse nuk jam edhe aq shumë e dhënë pas tyre ndoshta nuk do ta kisha pasur edhe shumë problem, por në një kohë si sot qasja e njerëzve në internet i ka tejkaluar kufijtë saqë është problem të mendosh diçka të tillë”, thotë ajo për KosovaLive.

logo

Të Rekomanduara