KosovaLive360

Faruk Krasniqi, 22-vjeçar nga Kamenica, tregon se prej kur ishte 16 vjeç kishte filluar të punojë për nevojat e veta. Edhe pse ka përfunduar studimet e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, i zhgënjyer pasi ende nuk ka gjetur punë në profesion, vazhdon të bartë dru për ngrohje.

Faruku mendon se një vend të punës sot mund ta fitosh vetëm nëse je “pjesë e subjektit politik që është në pushtet”.

“Çdo ditë e më shumë po shihet synimi kryesor i të rinjëve të Kamenicës për të dalë jashtë vendit. Një numër i madh i shoqërisë sime tashmë kanë dalë. Mirëpo edhe këta që kanë mbetur, e kanë të njëjtin mendim. Unë gjithashtu, vetëm jam duke pritur nëse do të ketë ndonjë ndryshim në udhëheqjen e qytetit. Nëse jo, do të shpërngulem në Prishtinë, pasi që atje do të më ofrohen mundësi”, shpreson ai.

Ai kujton Kamenicën e para disa viteve si një qytet edhe me jetë nate. Dy diskotekat ishin shumë të frekuentuara nga të rinjtë, por edhe nga qytetet e tjera, të cilët gjallëronin vendin. Sipas tij, sot vetëm një numër i vogël i të moshuarve shihen nëpër kafiteri, zakonisht për kafenë e mëngjesit. Atmosfera në qytet ndryshon vetëm gjatë dy muajve të verës, kur vijnë bashkatdhetarët.

Në vitin 2007, sipas një dokumenti të  përgatitur nga Instituti për Planifikim Hapësinor dhe komuna, Kamenica numëronte rreth 57 mijë banorë. Regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 tregoi se numri i banorëve kishte rënë për 12 mijë veta.

Sot në Kamenicë jetojnë rreth 36 mijë banorë, e dy indikacionet për rënien e vazhdueshme të popullsisë në këtë komunë, janë numri i lindjeve dhe numri i nxënësve nëpër shkollat fillore e të mesme.

Nga janari deri në fund të gushtit të këtij viti, në Kamenicë kanë lindur vetëm 18 foshnje. Shtatë vite më parë, gjatë një viti numri i lindjeve kaloi 450.

Gjimnazin “Ismail Qemali” para do kohësh, më konkretisht pesë vjet më pare, e vijonin 768 nxënës. Trendi i zvogëlimit nuk ka të ndalur: sot, mësimin e përcjellin 485 nxënës, 51 më pak, se vjet.

Shaban Ajvazi, sekretari i këtij gjimnazi, kujton ato kohëra kur një klasë përbëhej nga 35 nxënës; sot ka klasa me 15 nxënës.

“Vetëm për këtë vit pesë nxënës kanë tërhequr dokumentat, për shkak të ndërrimit të vendbanimit me familje. Katër prej tyre janë shpërngulur në Prishtinë dhe një në Gjilan”, rrëfen ai.

Ai thotë se në komunën e Kamenicës, po mungojnë mundësitë e punësimit dhe varfëria e cila po përhapet vazhdimisht, po ndikojnë që shumë të rinj të martohen në vendet perëndimore, ose të shpërngulen në qytete të tjera.

Një ditë vizite në Kamenicë dhe shumë biseda me të rinjtë e këtij qyteti, kanë qenë të mjaftueshme të kuptohet se një numër i konsiderueshëm i kanë ndërprerë studimet, me arsyetim se shpenzimet për shkollim janë të kota. Një nga arsyet ka qenë se “pas përfundimit të studimeve, po vlerësohen gati njësoj si ata vetëm me diplomën e shkollës së mesme.”

Njëri prej tyre, Fatlum Maliqi, 22-vjeçar nga Busavata, fshat në komunën e Kamenicës, ndërpreu studimet e juridikut në Universitetin “Iliria” në Prishtinë. Në një bisedë për KosovaLive tregon se nesër  niset për në Kazakistan, për të punuar për një periudhë njëvjeçare, me shpresën e përmirësimit të kushteve ekonomike familjare.

Edhe pse jo me dëshirë largohet nga vendlindja, kushtet dhe pamundësia e punësimit e kanë shtyrë t’i sheh vendet e tjera si rrugëdalje.

 “Nuk mbaj më shpresa dhe për këtë arsye, pasi të kthehem prapë do të shikoj për një mundësi tjetër për të jetuar jashtë vendit”, thotë Fatlumi.

Gjatë dy viteve të fundit, sipas të dhënave të komunës së Kamenicës, nga ky vend, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë migruar 475 persona, e prej tyre madje 95 kanë hequr dorë edhe nga shtetësia kosovare.

Komuna e Kamenicës kryesisht ka qenë e njohur për nga industria e materialit ndërtimor, pllakave të qeramikës dhe sintermagnezitit. Mirëpo, këtu ka edhe kushte të volitshme për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, bletarisë, pemëtarisë, zejtarisë, tregtisë etj.

Sipas statistikave komunale, në sektorin publik të punësuar janë 1,362 qytetarë, kryesisht të moshës madhore. Të rinjtë mund t’i shohësh vetëm si punëtorë në kafiteri, restorante apo markete.

Valdrinë Pireva, 22-vjeçare nga Kamenica, në etapat e fundit të studimeve të psikologjisë në kolegjin “Fama” në Gjilan, tash një kohë punon në marketin “Driloni”.

Ajo thotë se nuk ka motiv as ta marrë librin në dorë e të mësojë për provime, pasi konsideron se nuk do të mund të arrijë asgjë në qytetin e saj. Valdrina thotë se mungesa e perspektivës për të rinjtë i detyron familjet që vajzat e tyre t’i martojnë shumë të reja, dhe tregon për disa raste të martesave të vajzave me moshë 17 ose 18 vjeç kohëve e fundit.

 “Me dëshirë nuk do të jetoja në Kosovë. Dua të iki sa më larg Kamenicës e Gjilanit…Shpresoj të më jepet mundësia jashtë vendit, të paktën pasardhësit e mi të mos e kenë të njëjtin problem. Së pari të mos u mungojë motivi për shkollim e pastaj të tjerat…”, thotë ajo.

Mendimin e saj e ndan edhe Gazmend Berisha, 22-vjeçar, i cili këtë vit ka diplomuar në histori në Universitetin e Prishtinës, i cili gjatë periudhës së studimeve punoi si kamarier.

Edhe sot punon si kamarier, i bindur se mundësia për ushtrim të profesionit është shumë e ulët, gati e pamundur.

“Shpresoj që në të ardhmen e afërt të bëhet ndonjë ndryshim, sepse Kamenica ka të rinj shumë të shkathët, e të zot, të cilët meritojnë shumë”, thotë Gazmendi.

Nëse, në ndërkohë nuk hapet ndonjë perspektivë për punësim, edhe ai do të provojë të krijojë një jetë në Prishtinë ose jashtë Kosovës.

Ndërkohë që pranon largimin e shumë të rinjve kamenicas, nënkryetari i komunës, Valon Maliqi, si arsye kryesore përmend mosinvestimin në Kamenicë që prej pas luftës. Sipas tij, kjo i demotivon qytetarët për të vazhduar jetën në vendlindje.

“Për këto arsye cilitdo qytetar që t’i jepet mundësia e parë për t’u larguar nga vendi, do ta bëjë”, thotë Maliqi.

 Nafie Sylejmani

Të Rekomanduara