KosovaLive360

Kosova dhe Bullgaria kanë nivel shumë të lartë të bashkëpunimit dypalësh, i cili duhet të intensifikohet veçanërisht në planin ekonomik”, thanë në një gjatësi vale dy ministrat e jashtëm të dy vendeve, njëherazi dhe zëvendëskryeministra, Ekaterina Zaharieva dhe Behgjet Pacolli, gjatë një takimi në Sofje.

Dy homologët trajtuan në këtë perspektivë vijimin e ndihmës së Bullgarisë në shtet-ndërtimin e Kosovës, rritjen e pranisë së kompanive nga ky vend, ashtu dhe ndërmjetësimin bullgar për zhbllokimin e Marrëveshjes së Interkonieksionit midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e dimë se ju keni marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, njëjtë me Serbinë, si dhe me ne, diçka që ju krijon hapësirë për të ndihmuar dialogun mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë”, tha kryediplomati kosovar.

Tutje, Pacolli falënderoi gjithë institucionet bullgare për ndihmën e deritanishme, duke kërkuar mbështetjen e këtij vendi dhe në kuadër të Samitit të Sofjes, që ai e quajti Samitin më të rëndësishëm europian për vendet e Ballkanit, pas atij të Selanikut të 2003-it, ai e quajti shumë të suksesshme presidencën bullgare të Bashkimit Europian.

Nga ana e saj, ministrja bullgare Zaharieva e garantoi ministrin Pacolli se do të angazhohej që në samitin e Sofjes të merrnin pjesë gjithë të ftuarit e nivelit të lartë nga BE dhe Ballkani Perëndimor. Sa i takon pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit, ajo tha se “Ne do të gjejmë një mënyrë që të ruajë koherencën, elementët protokollarë të një forumi të Bashkimit Europian, dhe duke respektuar dinjitetin e Kosovës”.

Dy ministrat folën dhe para mediave në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe, përpjekjet e Kosovës në shtet-ndërtim si dhe mbi marrëdhëniet rajonale.

Ministri Pacolli falënderoi publikisht Bullgarinë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës dhe foli për disa prej proceseve ku ka hyrë shteti i tij në konsolidimin e shtetit ligjor, në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe integrimin europian. Në këtë drejtim ai, kërkoi liberalizimin e vizave për kosovarët, pasi Kosova, sipas tij i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian.

Njëra nga pyetjet e mediave të pranishme ishte në lidhje me ndalimin që policia e Kosovës i bëri Drejtorit të Zyrës për Kosovën, në qeverinë e Serbisë, Marko Djuric.

Në lidhje me këtë, Pacolli shpjegoi se arsyeja e ndalimit të hyrjes së tij atë ditë lidhej me përkujtimin e disa masakrave të tmerrshme serbe në disa komuna të Kosovës,  arsye që nuk u respektua nga z.i Gjuriç, i cili i rezervoi vetes të drejtën të fliste nga Mitrovica me një gjuhë që nxiste urrejtjen midis shqiptarëve dhe serbëve.

Takimet e ministrit Pacolli në Sofje vijojnë me takimin me shefen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit bullgar, Gemma Grozdanova.

Të Rekomanduara