KosovaLive360

Sot në Sarajevë ka nisur takimi i përbashkët i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me drejtues të lartë të Komisionit Evropian dhe Britanisë së madhe në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Iniciativës së Triestes, dy instrumenta nxitës të afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Evropian.

Takimi u hap nga nikoqiri, ministri i jashtëm i Bosnjë Hercegovinës, Igor Crnadak, i cili ja dha pastaj fjalën ministres së jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në emër të  Bullgarisë, vend që kryeson Bashkimin Evropian.

Drejtori i Zgjerimit, Kristian Danielson, në emër të komisionerit Hahn, ilustroi pritshmëritë e Bashkimit Europian  prej vendeve të Ballkanit në reforma dhe në bashkëpunim rajonal.

“Ballkani është bërë prioriteti numër një për komisionerët Mogherini dhe Hahn dhe gjithë Bashkimin Evropian, dhe ju duhet të kapni momentumin e artë”, iu drejtua drejtoresha për Ballkanin dhe Turqinë në Komision, Angelica Eichhorst, ministrave të Ballkanit.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, bëri thirrje për më shumë realizëm prej Bashkimit Europian, duke i kërkuar më shumë qartësi për afatet, instrumentet, mjetet, në dispozicion të zgjerimit të vendeve të Ballkanit.

Në fillim të fjalës së vet, ministri i Jashtëm dhe numri dy i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, pati disa fjalë keqardhjeje për përpjekjet e Bosnjës për të përjashtuar Kosovën nga ky aktivitet.

Duke iu përgjigjur ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Dacic, i cili vuri në diskutim pjesëmarrjen e Kosovës në Sofie, në takimin e ardhshëm organizuar nga Bulgaria, Pacolli tha: “Shtetësia e Kosovës është diçka e kryer. Ne do të jemi bashkë në Sofie, si gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit dhe të Bashkimit Europian”.

Më pas, Pacollit foli për implikimet e Strategjisë së Zgjerimit të Bashkimit Europian në veprimtarinë e qeverisë së Kosovës, brenda vendit dhe në marrëdhëniet me rajonin dhe BE-në.

Ministri Pacolli nënvizoi faktin se Strategjia e konfirmoi anëtarësimin e sigurt në të ardhmen e afërt të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, diçka që tashmë u bë e qartë dhe për Serbinë.

“Ne mbetemi të angazhuar fuqimisht në procesin e integrimit europian, zbatimin e marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, ashtu si dhe në Dialogun e Lehtësuar prej BE- për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht detyruese për të dy palët. Po rrisim bashkëpunimin me të gjithë fqinjët, madje dhe me Greqinë që e mbështet integrimin tonë europian”, tha ministri Pacolli.

Duke iu referuar Procesit të Berlinit, iniciativë e Bashkimit Evropian për të nxitur bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturor, etj midis vendeve të Ballkanit, shefi i diplomacisë kosovare propozoi krijimin e një Zone të Lirë Ekonomike ndërkufitare midis Veriut të Kosovës dhe Jugut të Serbisë, si një veprim asimetrik, që do të sillte zhvillim ekonomik, do të normalizonte marrëdhëniet ndëretnike dhe do të relativizonte rëndësinë e kufijve.

Duke iu referuar Zonës së Përbashkët Ekonomike në rajon, Pacolli tha se e mirëkuptonte qasjen e Bashkimit Evropian që e shihte këtë zonë si paradhomën e integrimit.

Por, ai vijoi: “Si të zgjidhim pabarazitë në trajtimin reciprok? Si ta detyrojmë Bosnjën dhe Serbinë që të heqë pengesat për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve në gjithë këtë hapësirë? Si ta detyrojmë Serbinë të zhbllokojë funksionimin e linjës së Interkoneksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, veprim që e kryen për të ruajtur monopolin në shpërndarjen e energjisë në rajon? Si t’i kapërcejmë pabarazitë e krijuara prej pozicionit gjeografik, duke kompensuar ato vende që nuk kanë kufij me BE-në? Na duhet, gjithashtu dhe një instancë arbitrimi për mosmarrëveshjet mes nesh, jo thjesht mbi bazë dypalëshe apo rajonale”, qartësoi ai pozicionin e Kosovës.

Duke iu referuar lëvizjes së lirë të qytetarëve në rajon dhe drejt BE-së, Pacolli kërkoi liberalizimin e vizave me BE-në, sepse Kosova nuk mund të bëhet vrima e zezë e Evropës.

Në fund, Pacolli iu drejtua homologut të tij boshnjak me shaka: “Duhet ta mbyll shpejt fjalimin, sepse qëndrimi im në Bosnjë, është vetëm për dy ditë sipas vizës që më dhatë”.

Ministri i Jashtëm, Pacolli bëri thirrje që të lehtësohen kontaktet midis qytetarëve boshnjak të Kosovës apo kosovarëve në përgjithësi dhe Bosnjës, në përputhje me frymën e bashkëpunimit rajonal.​

Të Rekomanduara