KosovaLive360

Në vitin akademik 2016/17 në Universtitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina” janë regjistruar gjithsej 7,316 studentë, mirëpo edhe përkundër interesimit të madh, pak prej tyre kanë qenë të informuar si duhet për programet universitare në të cilat ata aplikojnë.

Maturantja nga komuna e Klinës, Djellëza Marniku e cila planifikon të konkurrojë në Fakultetin Filozofik, Dega e Psikologjisë, thotë se informacionet për programet universitare i mori nga interneti si dhe nga bisedat me disa mësimdhënës të shkollës së mesme ku vijon mësimin.

”Do të më ndihmonte shumë në përcaktimin tim profesional po të ekzistonte një plan përmes të cilit shpalosen programet e universitetit”, thotë Djellëza.

Të njëjtin mendim ndan edhe maturanti Leotrim Berisha i cili do të konkurrojë në drejtimin e Arkitekturës. Ai e konsideron si të nevojshëm prezantimin e programeve universitare në shkollat e mesme dhe thekson se të vetmin informacion për këto programe e merr nga interneti dhe nga disa reklama televizive.

Prorektorja për Zhvillim dhe Cilësi në Universitetin e Prishtinës, Teuta Pustina-Krasniqi thotë se studentët aktualisht njoftohen me programet universitare nëpërmjet sesioneve këshilluese dhe informuese në Qendrën për Zhvillim të Karrierës (QZHK). Kjo qendër, bashkë me Zyrën për Zhvillim Akademik (ZZHA) organizojnë aktivitete të ndryshme siç janë ditët informuese në shkolla të mesme, si dhe panairi i karrierës, ku maturantët mund ta shkarkojnë doracakun on-line të shërbimeve përmes Platformës Virtuale të Karrierës.

Përveç faqeve zyrtare të njësive akademike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina“, maturantët mund të informohen edhe përmes e-malit zyrtar të QZHK apo përmes profilit të tyre në facebook. Studentët të cilët janë të regjistruar në databazën e QZhK-së mund të informohen në baza javore me njoftime për mundësi zhvillimi në karrierë. Këto qendra (ZZHA dhe QZHK), sipas saj, kanë reformuar qasjen ndaj maturantëve me qëllim informimin e tyre duke i marrë të mirat nga ndryshimet në të gjitha institucionet partnere, MASHT, UP, drejtoritë komunale për arsim dhe shkollat e mesme.

Pustina-Krasniqi shton se kanë ekzistuar edhe idetë tjera rreth krijimit të një plani për orientim në karrierë, që do të realizohej në vitet në vazhdim. Rrjedhimisht, maturantëve do të mund t’iu ofroheshin aktivitete si “Ditët informuese për maturantë”, mbase edhe një kampanjë vizive, ku përmes një videoklipi do të promovohej Universiteti i Prishtinës, shërbimet administrative dhe profesionale, njësitë akademike, qendrat trajnuese, institutet dhe programet studimore të akredituara.

”Pasi që të kemi një material zyrtar (videoklipet informuese-UPHP), atëherë mund të organizohet një kampanjë promovuese në media (portale, radio, TV), para shpalljes së konkursit zyrtar për pranimin e studentëve në vitin e ri akademik 2017/2018”, shtoi ajo.

Adeline Gjergji

Të Rekomanduara