KosovaLive360

Edukimi ka rol të rëndësishëm për të luajtur në promovimin e ndërmarrësisë në mesin e të rinjve në Kosovë, megjithatë nevojitet edhe angazhim i gjithëmbarshëm për ndryshimin e kulturës së përgjithshme e cila do të ishte nxitëse për ndërmarrësi. Kjo u tha gjatë tryezës përmbyllëse të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë 2017.

Panelistët e konferencës Agon Gashi nga Meridian, Visar Jasiqi nga R.I.T. Kosovë (ish Universiteti Amerikan në Kosovë), Ardian Hoxha nga Shkolla Amerikane në Kosovë dhe Naime Brajshori nga Kolegji Heimerer përveq që ndanë përvojat personale në ndërmarrësi, para studentëve dhe të rinjve të pranishëm folën edhe për funksionin e institucioneve arsimore në shërbim të ndryshimit të kulturës së ndërmarrësisë në Kosovë, përmes pajisjeve që të rinjve me shkathtësitë e nevojshme.

Panelistët, folën për rëndësinë që ka ndryshimi i kulturës së përgjithshme shoqërore në Kosovë, nga familja e tutje, e cila do të ishte më inkurajuese ndaj iniciativave, më tolerante ndaj dështimeve dhe ndërmarrjes së rreziqeve në biznes.

Në anën tjetër, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane dhe Uranik Begu nga Qendra e Inovacionit të Kosovës folën për pritjet që ata kanë në kontekst të përkrahjes që shteti mund të ofrojë në aspekt të mbështetjes së ndërmarrësve potencialë, e sidomos për pritjet nga Ministria e re e Inovacionit dhe e Ndërmarrësisë.

Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë organizohet për të pestin vit me radhë nën uhdëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës, derisa Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është partnere e kësaj iniciative për të katërtin vit me radhë.

Të Rekomanduara