KosovaLive360

E.K. 38 vjeçare nga komuna e Lipjanit thotë se për shkak të mbipeshës jo vetëm që ka pasur ngacmime nga shoqëria por edhe probleme me shëndetin.

“Jam diku rreth 86 kilogramë që janë tepër për gjatësinë që kam. Mund të them që shoqëria më kanë thënë fjalë që më kanë bërë të ndihem shumë e fyer për shkak të peshës që kam, mirëpo nga ana tjetër është diçka që unë vet ia kam shkaktuar vetës si pasojë e moskujdesit gjatë ushqyerjes. E kjo ka ndikuar që të kem edhe probleme shëndetësore disa herë”, thotë E.K.

Sipas rezultateve të vizitave sistematike mjekësore në shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Prishtinës gjatë vitit 2016, 22.3% e fëmijëve janë obezë, ose thënë ndryshe çdo i pesti fëmijë është në mbipeshë.

Mirlinda Bejta, konsulente për obezitet dhe nutriciste klinike për fëmijë dhe të rritur, i referohet obezitetit si shkaktar të një sërë sëmundjesh serioze siç janë: shtypja e lartë e gjakut, niveli i lartë i kolesterolit, triglicerideve, rezistencën e insulinës, sëmundjeve koronare të zemrës, sulmit ishemik, diabetit, osteoaritriti, apnoea e gjumit, disa llojeve të kancerit si i gjirit, zorrës, prostates e endometriumit.

“Shkalla e vdekshmërisë rritet me rritjen e mbipeshës dhe obeziteti shkakton më shumë vdekje në botë në krahasim me keq ushqyeshmërinë. Përveç tjerash, obeziteti shoqërohet me pasoja tjera siç janë ato psikologjike dhe një kualitet më i dobët i të jetuarit”, thotë ajo.

Arianit Gashi, menaxher dhe trajner në fitnesin “Art” në Lipjan thotë se që nga kohët e lashta konstrukti i trupit të njeriut ka ndryshuar dhe kjo si pasojë e mungesës së zgjedhjes së ushqimit. Mirëpo në kohëra të tilla njeriut nuk i mungonte aspak kontakti me natyrën dhe aktivitetet e mjaftueshme fizike.

“Me rritjen e standardit jetësor dhe me zhvillimin e kapitalizmit, njerëzit filluan të jenë më pasiv duke punuar me orë të tëra në zyrë, pa aktivitete fizike dhe duke udhëtuar vazhdimisht me makina. Gjithashtu, gjë e cila shkakton obezitetin është ushqyerja e tepërt me ushqime kalorike sikur se ‘fast food’ dhe pijet e gazuara”, thotë Gashi. 

Valmir Xhemshiti, student në Universitetin e Prishtinës thotë se konsumon “fast food” së paku tre herë gjatë javës edhe pse e di që ky lloj i ushqimit nuk ka ndikim të mirë në shëndet.

“Gjatë javës më së paku tre herë ha ushqim ‘fast food’ dhe atë me orar jo të rregullt, mirëpo për shkak të jetës dinamike dhe kohës të paktë të lirë ushqehem në këtë mënyrë. Mbase jam i vetëdijshëm për efektet negative, së paku aktivitet fizike mundohem të mos i lë anash edhe pse kryesisht udhëtoj me mjete transporti dhe shumë pak ec”, thotë Xhemshiti.

Sipas konsulentes Bejta, të rriturit dhe fëmijët obezë shpesh ballafaqohen me stigmatizimin në shoqëri; ngacmimet për peshën e tyre, diskriminimet në shoqëri dhe në punë, të cilat janë me pasoja dhe çojnë tek paraqitja e sëmundjeve psikologjike siç janë depresoni, çregullimet në ushqim, sulme të frikës dhe sëmundje tjera psikologjike me pasoja për shëndetin.

“Obeziteti ka ndikuar edhe në mënyrën e jetesës, stilin e veshjes, mënyrën se si sillem. Në Lipjan fatkeqësisht nuk kam zgjidhje e as zgjedhje për veshje, kështu që më duhet të shkoj në Prishtinë mirëpo as aty nuk ka shumë dyqane ku mundem të përshtati veshjen time, andaj më duhet gjithmonë të bëj ndërhyrje te rrobaqepësja”, rrëfen E.K.

Bejta thotë se shkaktarët e obezitetit janë të shumtë dhe kompleks.

“Sipas të dhënave, rritja e shpejtë e trendit të obezitetit është si pasojë e globalizimit, rritjes ekonomike dhe urbanizimit të shpejtë të cilët ndikojnë në mënyrën e të ushqyerit, aktivitetin fizik dhe mënyrën e të jetuarit”, thotë ajo.

Indeksi i Masës Trupore (IMT) që përbën matjen e gjatësisë dhe peshës është forma më e pranuar për matjen dhe klasifikimin e obezitetit. Një person konsiderohet obez kur pesha e tij tejkalon 20% e më shumë të peshës normale. Njëherit, matja e obezitetit klasifikohet në disa shkallë sipas IMT-së, sa më e lartë shkalla e obezitetit aq më i lartë është rreziku për paraqitjen e sëmundjeve të shkaktuara nga obeziteti.

“Trajtimi i obezitetit duhet të përfshijë trajtimin psikologjik, me ekspertë të kualifikuar në këtë fushë, sidomos stigmatizimin e në veçanti ngacmimet tek fëmijët rreth peshës së tyre. Kjo mund të bëhet me programe edukative të realizuara për prindër, nxënës dhe staf të shkollave”, shton Bejta.

Obeziteti është në rritje e sipër në mbarë botën dhe, sipas OKB-së trendi i rritjes është alarmant dhe më se i dyfishuar ndërmjet viteve 1980 dhe 2014. Në vitin 2014, 39% e popullatës prej moshës 18 e më lartë, prej tyre 38% meshkuj dhe 40%, femra konsideroheshin mbipeshë. Obeziteti fëmijënor, si tek vajzat po ashtu edhe tek djemtë, është rritur nga 4.2% në vitin 1990 në 6.7% në vitin 2010. Vendet me status të ultë ekonomik janë më të prekur me shifra të larta të obezitetit të fëmijëve dhe obezitetit të të rriturve sesa vendet e zhvilluara.

Në vitin 2008 më shumë se 1.4 miliardë në botë kanë qenë mbipeshë. Sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetësisë, 300,000 njerëz vdesin çdo vit si shkak i obezitetit, prej tyre numri më i lartë nuk kanë qenë duhan pirës e as kanë pasur sëmundje paraprakisht.

Fatbardha Terpeza

Të Rekomanduara