Nuk ka sasi “të sigurt” të konsumimit të alkoolit

Një studim i ri i Global Study ka konstatuar se konsumimi mesatar i pijeve alkoolike është më i rrezikshëm sesa është menduar më parë, konsumimi i tyre asnjëherë nuk është pa pasoja. Studimi gjithëpërfshirës që ka analizuar të dhënat e miliona njerëzve në gati 200 shtete, kanë parë se alkooli ka shkaktuar gati 3 milionë vdekje në vit në tërë botën.

Për më tepër, çdo efekt i mirë i tij është lënë në hije shkaku i rrezikut të madh që ka, si për shembull lidhja e ngushtë e konsumimit të alkoolit me rrezikun nga kanceri dhe lëndimet nga aksidentet rrugore.

Ky studim bie ndesh me studimet e mëhershme që besonin se konsumimi mesatar i pijeve alkoolike- një gotë për gratë e dy për burra – nuk është i dëmshëm. Studimi deklaron se alkooli është një nga shkaktarët kryesor të sëmundjeve dhe vdekjes. Në 2016-tën është konsideruar si faktori i shtatë më i rrezikshëm në vdekje të hershme.

Sidoqoftë është e vështirë t’a luftosh këtë fenomen për arsye të numrit të madh të konsumatorëve dhe ndikimit të industrive të fuqishme në tregun e alkoolit. Çfarë mund të bëhet është rritja e taksave të alkoolit, caktimi i orëve kur mund të shitet dhe kontrollimi i reklamimit të tij. Këto do të zvogëlonin konsumimin e tij, një hap thelbësor drejt zvogëlimit të humbjes së shëndetit që vjen si pasojë nga përdorimi i alkoolit.