KosovaLive360

Mervete Hashani, tash 24 vjeçare u detyrua nga familja e saj të martohej kur ishte e mitur. Ajo thotë se nuk dëshironte të martohej aq herët sepse kishte synime për të ardhmen, të cilat prindërit ia shuan duke marrë këtë vendim për të.

“Në moshën 17 vjeçare kam folur me një djalë. Kur babi e kuptoi më detyroi të martohem me të, pasi sipas tij nuk ishte e drejtë e as e moralshme të dilja me një djalë me të cilin nuk kam lidhje martesore“, thotë Hashani.

Ajo donte të përfundonte Fakultetin e Edukimit dhe të bëhej një mësuese e zonja, por nga shkaqet ekonomike të familjes së burrit kjo nuk u realizua. As prindërit e saj nuk e ndihmuan, për ata ajo tashmë ishte një e huaj.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, në një hulumtim për kurorëzimet në Kosovë, rezulton se gjatë vitit 2015 janë kurorëzuar 134 femra të moshës 16-19 vjeçare.

Meqë një vit më herët ishin evidentuar 95 martesa legale të hershme, ndërsa në vitin 2013 gjithsej 105, duket se ky trend jo vetëm se vazhdon, por edhe është në rritje. Të gjitha këto raste kishin të përfshira vajza të moshave 16 dhe 17-vjeçare në martesë me burra më të vjetër. Dhe të gjitha këto, natyrisht, janë vetëm rastet e paraqitura; numri i rasteve të paevidentuara është vështirë të përcaktohet.

Nëna e Mervetës, Z.H tregon se është më mirë të martohen fëmijët se sa të lihen nëpër rrugë. Sipas saj, për një vajzë gjëja më e rëndësishme në jetë është të krijojë një familje të lumtur.

“Vajza ime ishte e re, nuk e dinte çka është mirë e çka keq. Kemi vendosur për të dhe ja ku është tash: një nënë e një djali dhe një bashkëshorte e mirë”, thotë ajo.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, një person që e detyron një fëmijë (nën moshën 18-vjeçare) të martohet, mund të dënohet me burg prej 2 deri në 10 vjet. Kur kjo shkelje bëhet nga prindi ose kujdestari, për martesë të detyruar të fëmijëve të moshës 14-16-vjeçare, dënimet me burgim mund të jenë prej 5-10 vjet, dhe së paku 15 vjet burgim, për fëmijët nën moshën 14-vjeçare. Nëse të rinjët nuk janë të martuar zyrtarisht, sipas ligjit, kjo shikohet si shkelje që bie në kategorinë e “bashkësisë jashtëmartesore”. Mirëpo të njëjtat dënime vlejnë edhe për ata prindër apo kujdestarë të cilët i detyrojnë fëmijët të bashkëjetojnë në “bashkësi jashtëmartesore”.

Sipas një raporti të Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA (United Nations Fund for Population Activities) për martesat e fëmijëve në Kosovë, i publikuar në vitin 2012, rezulton se në vitin 2010 ishin martuar 1,451 femra të moshës 16-19 vjecare, kurse vetëm 161 djemë të të njëjtës moshë.

‘’Regjistrimi i menjëhershëm i martesave të hershme është shumë i rrallë. Së pari, ndëshkimi penal për prindërit, kujdestarët ose bashkëshortët e pjekur është një shkas që ata të evitojnë kontaktin me autoritetet sa i përket martesave të tilla. Dhe e dyta, procedurat administrative për martesë të ligjshme në moshën nën 18 dhe pagesat qoftë në gjykatë apo mjekësi ligjore marrin shumë kohë dhe janë të kushtueshme. Prandaj, ata zgjedhin të presin moshën 18 vjeçare për regjistrimin e kësaj martese”, thuhet në këtë raport.

Arsye tjera për martesa të hershme në Kosovë përfshijnë ato nga dashuria, presioni nga familja, siguria e femrës, kushtet socio-ekonomike, shtatzënia e paplanifikuar, presioni nga bashkë-moshatarët dhe tradita.

Ky fenomen nuk është tipik vetëm për Kosovën. Sipas statistikave, çdo vit, 15 milionë vajza në botë martohen para moshës 18-vjeçare dhe rreth 720 milionë gra që jetojnë sot, janë martuar para moshës 18-vjeçare. Është llogaritur që nëse ky trend vazhdon, ky numër mund të rritet në 1.2 miliard deri në vitin 2050.

Xhenete Hasani

 

Të Rekomanduara