KosovaLive360

Në Qendrën e Shëndetit Mendor, në fshatin Lum i Madh i komunës së Vushtrrisë, aktualisht ka njëmbëdhjetë “banorë”, individë që kanë probleme me prapambeturi mendore dhe ngecje në zhvillim.

Ideja për themelimin e kësaj qendre, për ndërtimin e së cilës më 2006 u investuan mbi 160 mijë euro, ishte integrimi i personave me çrregullime mendore në shoqëri. Trajtimi në këtë qendër, në këto vite të ekzistimit, kryesisht ka qenë i suksesshëm, ndonëse ka pasur edhe raste që me dekada nuk kanë mundur të gjejnë veten në rrethin shoqëror.

Atmosfera në fshatin që u përzgjodh për ndërtimin e qendrës, fillimisht nuk ishte gjithaq miqësore dhe assesi mikpritëse. Përkundrazi ishte përcjellur me protesta të banorëve që kishin pasur frikën se mund të kenë problem nga sjelljet e mundshme, të paparashikueshme të rezidentëve të këtij institucioni.

Sot, banorët e shikojnë me një sy tjetër këtë institucion dhe “banorët” e tij.

Lutfi Thaqi, banor i këtij fshati konsideron se këta persona janë të padëmshëm për rrethin.

“Po edhe ata janë njerëz, tanët janë. Ata nuk bëjnë diçka. Ndoshta ka pasur një vend më adekuat ku me i dërgu’, nuk e di si kanë ardhë por, dëm nuk na krijojnë. Ne probleme s’kemi me ta, nuk janë agresivë. Zoti ashtu i ka krijuar, e s’bën me i humb as ata. …Nganjëherë dalin deri te ato mbrojtëset, lypin ndonjë cigare, tjetër send jo. S’janë agresivë”, thotë Thaqi.

Drejtori, Tahir Krasniqi për KosovaLive tregon se interesimi për kujdesje në këtë qendër është shumë i madh, dhe se rezidentët e kësaj Qendre janë prej moshës 18-65 vjeç.

“Pastaj kur të arrihet mosha 65 vjeç është marrëveshje me Shtëpinë e Pleqve që këta të kalojnë,” thotë Krasniqi duke shtuar se në këto raste do të krijohej vend për një rezident tjetër.

Fatkeqësia qëndron në atë se kjo nuk ndodh. “Kur hyn njëherë njeriu (këtu) nuk del (më),” thotë ai.

Sipas tij, stafi i kësaj qendre në njëfarë mënyre i përgatit këta persona që nesër më lehtë të vazhdojnë jetën brenda familjeve të tyre dhe të risocializohen.

Qendra, që ka një staf të përkushtuar, aktualisht punon përtej kapacitetit të saj – është e paraparë për strehim/përkudesje të më së shumti 10 personave.

Përkundër rritjes së vetëdijes shoqërore për këtë kategori të qytetarëve, stigma shoqërore që i përcjellë, ende po ndikon në mosraportimin e rasteve.

Eroll Venhari, ish-drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Vushtrrisë, e konfirmon përballjen e institucioneve me hezitimin e familjeve që t’i lajmërojnë këto raste.

Venhari sheh mangësi në bashkëpuunimin mes familjes dhe komunës, me më pak faj të kësaj të dytës. Kjo mungesë bashkëpunimi paraqitet si problem më veti.

 “…nuk mundesh me marrë asnjë masë pa e pasur bashkëpunimin e familjes”, thotë ai.

Dhe shton se cilido rast, rrjedhimisht, nuk mund të përcillet as në gjykatë, e cila bashkërisht do të duhej të vendoste nëse një person ka apo nuk ka nevojë për përkujdesje.

Por, nuk është vetëm hezitimi i familjes problem. Rasti konkret është i një familjeje, në fshatin Mihaliq, ku familiarisht kanë pasur probleme mendore, dhe kanë qenë nën mbikëqyrjen e një kujdestari. Kur gjykata së bashku me komunën kishin vendosur me marrë “zotësinë e veprimit”, Venhari thotë se kujdestari e kishte fshehur dokumentacionin, për shkak të interesit të tij personal.

Rezidentë të kësaj qendreje kryesisht janë personat nga të cilët familjarët kanë hequr dorë.

“Personat që hyjnë në këtë shtëpi janë të liruar nga pagesat familjare, për këtë arsye shikojmë që këtu të vijnë ata persona që nuk kanë përkujdesje familjare, që nuk e kanë dikë që të përkujdeset për ta”, thotë Krasniqi.

Rezidentët i presin aktivitete të ndryshme në qendër: rregullimi i kopshtit, pastrimi i tavolinës ose oborrit, e aktivitete të tjera, me synim që këta persona të ndihen më sigurtë dhe të fitojnë besim edhe në personelin e qendrës.

Në kuadër të këtyre aktrivitete me synim integrimit të këtyre personave në shoqëri, është edhe një ndër hapat e parë kur personeli i qendrës i dërgon rezidentët në shitore për të blerë diçka simbolike.

“Çdo dalje prej qendrës, edhe nëse zgjat 2-3 minuta, është kënaqësi për këta persona,” thotë drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor, Tahir Krasniqi.

Sipas Ligjit për shëndetin mendor i Kosovës përcakton mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit mendor, parandalimin e problemeve që lidhen me të, garantimin e të drejtave dhe përmirësimin i cilësisë së jetës për personat me çrregullime mendore. Ligji, njëherësh përcakton procedurat, kushtet për mbrojtjen e shëndetit mendor nëpërmjet sigurimit të kujdesit shëndetësor, mjedisit social të përshtatshëm për personat me çrregullime mendore dhe politikave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit mendor.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, gjatë vitit 2016, gjithsej 61.865 persona kanë kërkuar ndihmë në gjithsej shtatë qendra të shërbimit mendor sa ekzistojnë në Kosovë, ndërkohë që po në të njëjtën periudhë janë kryer edhe 8.458 vizita shtëpiake dhe janë regjistruar gjithsej 22.872 qëndrime ditore.

Shkurte Berisha

Të Rekomanduara