KosovaLive360

Një projekt që synon punësimin e personave me Sindromin DownEglantinë Avdiu, Gresë Murati, studente te psikologjisë dhe Shend Stavileci, student i arkitekturës, në fillim të këtij viti kanë filluar me implementimin e një projekti përkushtuar personave me Sindromin Down,  të perkrahur nga UNICEF Innovations Lab Kosova dhe e kanë titulluar “3DX”.

Qëllimi kryesor i projektit është që përmes aftësimit të personave me Sindromin Down të krijojnë një ndërmarrje sociale, ku do të punësoheshin katër persona që e kanë këtë sindrom.

Projekti është duke u realizuar në ndërtesën e Qendrës Down Syndrome Kosova, në Mitrovicë, në të cilën gati qe dy vite nuk janë zhvilluar kurrfarë aktivitetesh, dhe ku fëmijët që vuajnë nga ky sindrom nim kanë pasur në dispozicion vetëm një ekip medicinal.

Nisma e këtyre tre studenteve në njëfarë mënyre shënon edhe rivitalizimin e kësaj Qendre.

Në kuadër të projektit, deri tash janë realizuar katër punëtori ku kanë marrë pjesë 14 persona me Sindromin Down. Ata çdo ditë vijnë në këtë Qendër dhe krijojnë dizajne për mbështjellësit e telefonave mobilë.

Eglantina konsideron se me këto aktivitete ata do të kenë sukses në realizimin e idesë  së tyre, dhe do të ndihmojnë këta persona të jenë me aktivë dhe më të pavarur financiarisht.

Përkrahje të madhe këta të rinj thonë se kanë pasur edhe nga drejtoresha e kësaj Qendre, Edita Bilalli, me të cilën janë pajtuar se edhe fëmijët me Sindromin Down kanë nevojë për punë.

“E kemi parë që fëmijët që janë deri në moshën 18 vjet, janë të përfshirë në shkolla gjithpërfshirëse dhe disa janë të angazhuar në shkolla speciale. Por, mbi  moshën 18 vjet ata nuk vazhdojnë shkollimin e mëtutjeshëm. As nuk kanë mundësi të hyjnë në një vend të punës”, shpjegon Eglantina.

Sipas saj, në kuadër të projektit është paraparë edhe një lloj “pagese” për katër persona mbi moshën 18 vjeç, me të ardhurat e fituara nga shitjet.

Gresë Murati, studente e psikologjisë, pjesë e këtij projekti, për KosovaLive tregon se emërtimi “3DX” doli gjatë punëtorise, me atë që “3D” I referohet printerit tredimensional me të cilin do të punohen mbështjellësit, ndërkohë që “3X” qëndron për tri kopje të kromozomeve që janë në kromozomin 21.

Sipas Muratit, ideja ka lindur edhe meqë janë tre veta në ekip.

“Është ndjenjë tepër e mirë kur e sheh që ndoshta me hapa shumë të vegjël, ose me një projekt shumë te vogël, jemi duke bërë diçka të madhe për vendin”, thotë Murati.

Edhe Shendi, kolegu i saj është i entuiziazmuar me ecurinë e këtij projekti.

“Ju mund të arrini diçka shumë të mirë me pak punë dhe me shumë dashni. Gjithçka çka duhet të bëni është që kurrë mos ndaloni së ëndërruari, njëkohësisht të punoni në drejtim të realizimit të atyre ëndrrave”, thotë ai.

Edita Bilalli, drejtoresha e Qendres Down  Syndrome Kosova, në Mitrovicë shpreh kënaqësi me zhvillimin e këtyre punëtorive, sepse për shkak të mungesës së buxhetit për dy vite kanë ngecur në zhvillimin e aktiviteteve ditore më femijët.

Në këtë projekt, me pritje se ndoshta do të fitojnë një punë në të ardhmen, janë angazhuar gati gjysma nga gjithsej 25 persona mbi moshën 18 vjeçare, të cilët edhe më herët kanë ardhur në këtë Qendër.

“Të rinjtë kanë treguar një interesim të jashtëzakonshëm, meqë edhe këtyre iu duhet hapësirë për ta dëshmuar veten sepse edhe këta janë të zotë dhe produktiv për rrethin ku jetojnë”, thotë Bilalli.

Kjo nuk është hera e parë që femijët me Sindromin Down në këtë Qendër po merren me dizejnimin: para disa vitesh ata si një nga aktivitetet e kanë pasur krijimin e kartolinave.

Eglantina, Gresa dhe Shendi, mendojnë edhe për realizimin e një ideje të re për krijimin e dizajneve, të cilën e kanë vazhdimësi të projektit aktual.

“Dizajnet kanë me pas një ndërlidhje mes konstelacionit të yjeve dhe dashurisë. Slogani i këtij projekti është ‘3 herë më shumë dashni’, duke e ditur se këta persona janë shumë të dashur, shumë të afërt me njerëz”, thotë Eglantina.

Eglantina thotë se deri tash shumë kompani vendore kanë shprehur interesimin që të krijohen mbështjellës me logon e tyre. Vetëm një kompani ka kërkuar që të dizajnohen 100 mbështjellës me logon e kompanisë për gjithë stafin. Një kërkesë e ngjashme ka arritur edhe nga Galeria e Arteve të Kosovës.

Në Qendrën Down Syndrome Kosova, në Mitrovicë aktualisht janë të regjistruar 65 persona me këtë sindrom nga mosha 1 deri në 57 vjeç.

Shkurta Berisha

Të Rekomanduara