KosovaLive360

Metije Maliqi, 37 vjeç, nga Goshica e Vitisë, qysh në moshë të re kishte treguar etje për pavarësi dhe avancim si femër. Edhe pse pa shkollim të lartë, ajo nuk kishte reshtur së investuari në vete në dy drejtime: në atë profesional duke avancuar aftësitë e saj në rrobaqepësi dhe atë personal si femër duke u angazhuar në shumë aktivitete për të drejtat e grave.

Kishte filluar kursin e rrobaqepësisë dhe në saje të performancës së mirë kishte arritur që brenda një kohe të shkurtë të jetë në rolin e trajnueses tre vjet me radhë. Me një makinë qepjeje kishte arritur të mbajë një butik të rrobave i cili i siguronte asaj të ardhura për vite të tëra. Tash e tetë vjet, e martuar në një fshat të Kamenicës, ajo u detyrua ta mbyllë butikun dhe të përkushtohet në krijimin e familjes dhe rritjes së fëmijëve.

Situata ndryshoi me lajmin se në qytetin e saj të lindjes u hap një fabrikë e tekstilit, si një mundësi punësimi për shumë gra.

“Përvoja ime në rrobaqepësi më dha një vend pune në këtë fabrikë. Me këtë punë do t’i kthehem sërish idealit të një gruaje të pavarur dhe punëtore”, thotë ajo.

Kjo fabrikë e re e tekstilit “Vitex” në Viti, është një partneritet në mes kompanisë gjermane Wenger Industrie Consulting GBH me 51% të aksioneve dhe 49% të një ndërmarrësi lokal. Fabrika do të prodhojë pantallona, sako për femra, funda për femra, xhinse dhe kate për meshkuj dhe i tërë prodhimi do të eksportohet për në Gjermani.

Fabrika ka siguruar mbështetje në forma të ndryshme, sidomos gjatë periudhës së trajnimeve, edhe nga organizata zviceriane Helvetas Swiss Intercooperation, Agjencioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH“ dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Haqif Ibrahimi, njëri nga investuesit në këtë fabrikë rrëfen për ecurinë e punimeve në fabrikë deri më tash.

“Tanimë gjithçka është gati për trajnimin e 150 punëtorëve të pranuar deri më tani, kurse raporti mes femrave dhe meshkujve është 90% me 10%. Trajnimet do të fillojnë më 13 të këtij muaji dhe do të zgjasin deri në tre muaj”, thotë Ibrahimi.

Sipas tij, numri i punëtorëve planifikohet të rritet qysh në shtator, menjëherë pas përfundimit të trajnimeve dhe “për një kohë të shkurtër numri i të punësuarve do të arrijë deri në 500”.

Ai shprehet mirënjohës ndaj kryetarit të Vitisë, Sokol Halitit i cili kishte shërbyer si ndërmjetësues në implementimin e ketij projekti.

“E gjithë kjo ka nisur në një panair për investitorë të huaj nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ku pjesëmarrës ishte edhe kryetari i komunës tonë, Sokol Haliti. Ai i kishte njoftuar ata me mundësitë e mira që Vitia ofron për investim dhe i solli në komunën tonë për vizitë”, thotë ai.

Për kryetarin e komunës, ndërkaq ky paraqet një nga investimet më të mëdha në lëminë e punësimit në komunën e Vitisë. Komuna, sipas Halitit, që nga fillimi ka përcjellë gjithë procesin e punimeve në këtë fabrikë dhe ishte e gatshme dhe do të vazhdojë të ndihmojë aty ku ka nevojë në mënyrë që fabrika të fillojë sa më shpejt me punë.

“Ne si komunë do të bëjmë çmos që të tërheqim sa më shumë investitorë të huaj dhe t’i njoftojmë me kushtet e përshtatshme që komuna e Vitisë ofron për investime të ndryshme. Kësaj here bëhet fjalë për punësim të 500 familjeve dhe kjo paraqet një arritje shumë të madhe për komunën e Vitisë”, thotë ai.

Fitore Bajrami, zyrtare nga GIZ-i gjerman pohon se për këtë investim gjermano-kosovar ishin njoftuar nga partneri i tyre gjerman dhe e kishin vlerësuar si një mundësi reale për punësim.

“Krijimi i vendeve të punës për të gjithë, e në veçanti për të rinjtë, gratë dhe personat e kthyer mbetet prioritet për ne”, thotë ajo.

Bajrami thekson bashkëpunimin e shkëlqyeshëm disa vjeçar me komunën e Vitisë.

„Po ashtu kjo është një nga komunat me traditë në fushën e tekstilit si dhe gjeneratat e reja kanë mundësi të aftësohen në këtë fushë përmes shkollës profesionale që ofron drejtimin e tekstilit”.

Në aktivitetin e mbështetur nga GIZ do të trajnohen 150 vitias.

Leonora Rahimi, edhe pse me profesion juriste, gjithmonë kishte pasur talent por edhe pasion për qepje. Ky bashkëdyzim i dy profesioneve, që në shikim të parë mund të duket i çuditshëm, po i jep asaj mundësi të dyfishtë punësimi në këtë fabrikë.

“Tash e katër vite merrem me rrobaqepësi, kurse që dy vite kam përfunduar juridikun. Kam vazhduar të merrem me rrobaqepësi sepse nuk më është dhënë ndonjë mundësi punësimi me juridik”, thotë Rahimi.

Në këtë fabrikë filloi me rrobaqepësi por shpreson se së shpejti, me funksionalizimin e plotë të fabrikës, do të ketë mundësi të kalojë në pozitën e juristes, për çka do të ishte shumë e lumtur.

Trëndelinë Haliti

Të Rekomanduara