KosovaLive360

Duke qenë dëshmitarë të shkeljeve të shumta që i’u bëhen praktikantëve nga punëdhënësit e tyre, një grup të rinjësh kosovarë kanë filluar me iniciativë me qëllim ndryshimin në ligjin për praktikantë.

Iniciativa “Pay my Internship – Kosovo” (Paguajeni praktikën time – Kosovo) për qëllim ka të ndikojë tek institucionet e ndryshme në njohjen e punës praktike, pagesën e praktikës dhe respektimin e praktikantëve (mosshfrytëzimin e tyre).

Linda Gjokaj, iniciatore e kësaj nisme shpjegoni se “Pay my internship – Kosovo” synon që të gjithë praktikantët të paguhen për punën që e kryejnë pa marrë parasysh sektorin në të cilin punojnë.

“Idea për këtë nismë më erdhi duke u bazuar në përvojën time personale nga praktikat e shumta që i kam kryer, kam punuar ndoshta edhe më shumë se punëtorët e rregullt dhe nuk jam paguar”, thotë ajo.

Kjo nismë synon të ndikojë edhe në institucionet ligjvënëse që të bëjnë korrigjim në ligjin për praktika në të cilin duhet të jetë e përcaktuar një pagë sado simbolike të jetë duke e shpaguar kështu mundin dhe angazhimin e praktikantëve për punën që kryejnë.

 “Ne nuk kërkojmë shumë por vetëm një shumë simbolike me të cilën studentët mund të paguajnë një pjesë të shpenzimeve të tyre apo në qoftë ajo edhe vetëm një shujtë ditore”, thotë Gjokaj.

Egzon Mumxhiu student i nivelit Master në Politikë Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës e mbështet fuqishëm këtë iniciativë. Ai shpjegon eksperiencën e tij si praktikant në Komunën e Prishtinës.

“Kam përfunduar punën praktike në Drejtorinë e Kulturës në Komunës e Prishtinës. Praktika ka zgjatur nga 1 nëntori deri me 31 dhjetor të vitit 2016, kemi punuar me orar të plotë dhe me përgjegjësi sikurse një nëpunës civil, mirëpo nuk jemi paguar”, thotë ai.

Edhe pse gjatë praktikës ishte “forcuar shumë profesionalisht”, ishte dëmtuar me mospagesë edhe pse në angazhimin e tij në punë praktike kishte edhe shpenzime, koha e pauzës, ushqimi dhe shërbimet tjera kanë një kosto të konsiderueshme parashë, gjë që e detyroi të mos e vazhdojë më praktikën.

“Sikur të isha paguar me një shumë simbolike sa për të mbuluar shpenzimet normalisht do ta vazhdoja praktikën”, shtoi Mumxhiu.

Punën tjetër praktike që e ka përfunduar tek organizata ”Lëvizja Fol” ishte paguar – 50€.

“Shumë kjo simbolike por me vlerë të madhe për një student”, thotë ai.

Sipas tij, një numër i konsiderueshëm i punëdhënësve nuk e marrin praktikën si punë shumë serioze dhe si përvojë të vlefshme.

Mumxhiu thekson faktin se edhe pse ka përfunduar praktikat përsëri nuk është konsideruar si përvojë pune në disa vende ku kishte aplikuar për punë.

Ligji i punës i hartuar në vitin 2010, përcakton se punëdhënësi në marrëveshje me personin e interesuar mund të angazhojë praktikantë pa ndonjë kompensim të pagës dhe të drejta të tjera nga marrëdhënia e punës. Po ashtu duhet të ofrojë mbrojtje dhe siguri në vendin e punës sipas ligjit. Punëdhënësi i cili e angazhon praktikantin pa kompensim page, është i obliguar ta evidentojë praktikantin në listën e evidencave pa kompensim page.

Gjithashtu punëdhënësi i cili pranon praktikantë në ndërmarrjen e tij, është i detyruar që të ofrojë mbrojtje dhe siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës.

Kohëzgjatja e praktikës profesionale mund të ndryshojë në bazë të nivelit të shkollimit: praktikantit me përgatitje pasuniversitare, universitare dhe të lartë kjo mund t’i zgjasë më së shumti një vit, ndërsa puna praktike e praktikantit me shkollim të mesëm mund të zgjasë më së shumti gjashtë muaj. Mënyra e aftësimit profesional dhe kohëzgjatja e stazhit të praktikantit mund të përcaktohet me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit.

Adeline Gjergji

Të Rekomanduara