KosovaLive360

Është ora 5 një të premte mbrëma kur rrezet e diellit bien mbi kopshtin e vogël të rrethuar prapa një shtëpie me gurë ngjyrë hiri. Dërrasa druri dhe një rrugicë me gurë rreshtohen në të tri anët e kopshtit, çadrat e gjera të bardha u bëjnë hije karrigeve dhe tavolinave të tyre.

Një kamarier i veshur në një këmishë të kaltër me pulla gjer në fund ecën poshtë e përpjetë tavolinave dhe kuzhinës. Tabakanë e tij të rrumbullakët e balancon në majet e gishtave, duke mbajtur ushqim dhe shishe uji. Njerëzit ulen në grupe të vogla, duke u zgjatur mbi tavolina për të biseduar për muzikën klasike dhe muzikën funk rok, që del nga zmadhuesit e zërit afër tyre, ndërkohë që përtypin sanduiçët dhe pijnë kafe.

Por atmosfera e Klubit <<M>> nuk është gjithmonë kaq relaksuese.

Brenda pak orësh, vizitorët e Klubit <<M>> do të kërcejnë, lëkunden dhe t’i tundin kokat me muzikën e zhurmshme EDM (Electronic Dance Music). Laserë të ndritshëm të kuq e të gjelbër do ta presin errësirën, në një skenë të krijuar nga një DJ i vetëm me një MacBook dhe kufje. Të veshur me bluza dhe me xhinse të shqyera, taka të larta dhe bluza me dekolte, njerëzit e ndryshëm do të vallëzojnë tërë natën në katin më të lartë të shtëpisë në Prishtinë.

Qysh nga hapja e tij gati një vit më parë, klubi, zakonisht i njohur si “M”, ka fituar një reputacion që është vështirë i definueshëm. Dhjetë minuta larg qendrës së qytetit, “M” funksionon si klub nate në fundjavë, kafiteri dhe restorant gjatë ditës, dhe një qendër  gjithëpërfshirëse për tubime dhe performanca muzikore live.

  “Në fillim nuk kishim ndonjë koncept”, thotë pronarja Vlera Spahija. “Gjëja e vetme që dinim është se do të fillonim të funksiononim si biznes dhe si OJQ, aty diku, që, në njëfarë mënyre të mund siguronim vetëqëndrueshmëri – e ky ishte bari – dhe njëkohësisht t`i organizonim aktivitetet shoqërore dhe kulturore që do t`i bashkonin njerëzit që angazhohen, shumica e tyre artistë – që nuk mund të gjejnë hapësirë, nuk mund të gjejnë tema diskutimi, të etur për të mësuar”.

Para pesë vitesh, shtëpia trikatëshe që tani është Klubi M, ishte braktisur. Në pronësi të gjyshërve të Dren Maliqit, bashkëshorti i Spahijajt dhe bashkëpronar i Klubit M, shtëpia doli në shitje. Por disa çështje ligjore ku përfshihej komuna dolën në rrugë dhe shitja më nuk ishte zgjidhje në një të ardhme të afërt. Maliqi, duke mos dashur që hapësira të shkojë huq, investoi në pronë duke planifikuar që ta shndërrojë atë në një vend për njerëz me stile dhe interesime të ndryshme.

Si muzikant, Maliqi deshi që “M” të fokusohej në kulturë dhe art. Ai e kuptoi nevojën për një vend ku mund të mendohej lirshëm, një vend ku mund të krijohej arti, një vend për të gjithë. Dhe pavarësisht se ideja ishte e Maliqit, edhe Spahija është lidhur me të.

Spahija, e cila studion psikiatri në Universitetin e Prishtinës përveç bashkëmenaxhimit të “M”, shpesh punon në ndërrim 18 orësh si kamariere, planifikuese ngjarjesh, madje edhe roje sigurie për klubin. Ajo thotë se duhet ta shkurtojë orarin e saj, por konsideron se “M” i duhet kulturës së sotme.

“Skenat kulturore këtu po ndahen çdo ditë”, tha Spahija. “Të gjitha klubet dhe baret këtu në Prishtinë e kanë stereotipin e zakonshëm të njerëzve që shkojnë aty. Aty shkojnë vajza tërheqëse në rroba të shtrenjta, njerëz që e duan muzikën jazz. Por neve na duhet një vend ku gjithkush mund të vijë dhe ta shfrytëzojë hapësirën, qoftë për të menduar apo punuar, për t`u kënaqur”.

“M” kryesisht është i fokusuar në muzikë, edhe pse Spahija thotë se ata organizojnë edhe ngjarje të shumta kulturore dhe shoqërore gjatë vitit. Mundësitë për të bërë muzikë në “M” janë të hapura. Spahija e bën një listë javore bazuar në atë se kush e kontakton dhe shprehë dëshirë për të performuar. Nëse nuk e gjen ndokë, Spahija pyet përreth apo u shkruan atyre që e di se duan të bëjnë muzikë.

Gjatë një performance live, atmosfera në “M” është e elektrifikuar. Njerëzit sillen përreth karrigeve të zëna dhe tavolinave plot, me të qeshurat që mbisundojnë zhurmën e bisedave të zjarrta. Artisti në skenë këndon hareshëm e me zë të lartë, e të tjerët e përcjellin dhe duartrokasin. Disa e ndjekin ritmin e muzikës, duke u luhatur nga njëra anë në tjetrën, dhe tundin kokën me ritëm. Buzëqeshjet duken sikur stolisin përherë fytyrat e tyre.

Muzikantët të cilët performojnë në “M” sillen  nga DJ vendorë deri tek individët të cilët thjesht duan ta ndajnë muzikën e tyre me rrethin. Madje edhe muzikantët nga shtetet e tjera e gjejnë udhën deri në “M”.

Visar Kasa, 23 vjeç, student i muzikës i cili jeton në Vjenë, thotë se “M” i dha mundësinë të performojë një version akustik të këngës që ka shkruar vetë.

“Mendoj se është një platformë shumë e mirë për artistët e rinj për të performuar, çkado që performojnë, mund të jetë çfarëdo”, thotë Kasa. “Vërtet është vendi më fleksibil që kam parë ndonjëherë. Ishte ndryshe sepse gjithmonë shkoja për argëtim dhe kjo ishte si një performancë private, kështu që na dha një ndjenjë tjetër mua dhe publikut”.

Kasa thotë se i njihte Maliqin dhe Spahijan shumë para klubit “M”, dhe ata janë një arsye e madhe pse “M” dallon nga ambientet tjera shoqërore në Prishtinë.

“Mendoj se vendi do të ishte krejt ndryshe me pronarë tjerë. Ata e bëjnë vendin më të pëlqyeshëm. I njoh qe një kohë të gjatë, pra janë miq të mi, miq të mirë.”

Kasa, tani pjesë e një grupi të quajtur BiCalko, është i emocionuar që do të kthehet në “M” dikur në të ardhmen e afërt. Ai thotë se BiCalko planifikon ta mbajë promocionin e albumit të tyre të ri në kopshtin e “M”.

Oda Haliti, një DJ diskotekash dhe e muzikës elektronike eksperimentale, thotë se energjia pozitive e njerëzve në “M” është ajo çka e bën të veçantë performancën atje.

“Më pëlqen komunikimi që kam me publikun. Mund të komunikoj me ta lehtë përmes muzikës. Dhe e ndiej më shumë atmosferën. Kjo, për mua personalisht si artiste, është mjaft e rëndësishme  për ta parë dhe për ta ndier për së afërmi ndjenjën e mirë, që njerëzit janë duke u kënaqur me muzikën tënde”.

Përveç muzikës, “M” është po ashtu i njohur për mbajtjen e shumë ngjarjeve të ndryshme –  nga orët e jogas, në pritje të ambasadave, e deri te punëtoritë e ndryshme trajnuese.

Një ngjarje e tillë është tregu i gjërave të vjetra i organizuar nga tri vajza kosovare në të njëzetat. Edhe pse kryesisht i fokusuar në modë, tregu tani përfshin çkado që njerëzit dëshirojnë të shesin. Disa e mbajnë fitimin për vete, ndërsa të tjerët e dhurojnë për bamirësi të ndryshme. Nuk shkëmbehen para ndërmjet “M” dhe atyre që e kanë hapur tregun e gjërave të vjetra, por Spahija thotë se përfitimi është që ngjarjet si kjo sjellin “njerëz të rinj dhe të ndryshëm të cilët mund të ndajnë së bashku pjesë të jetës së tyre të përditshme”.

Arjola Lushi, studente 21-vjeçare, thotë se ndjenjat e përkatësisë shoqërore në “M” zhvillohen thjesht edhe me ndejat brenda shtëpisë.

“Kurrë nuk ka shumë tollovi, nuk ka fare presion”, thotë ajo.

Lushi ka vizituar “M” herë pas here për disa javë. Dhe përderisa fillimisht kishte mësuar për “M” përmes klubit të natës, tani preferon të vijë në mbrëmje për ushqim dhe për ngjarjet muzikore live. E relaksuar në një divan në dhomën e ndejës dhe duke pirë makiato, Lushi thotë se ndihet sikur i përket “M”.

“A e di, kur hyn në një dhomë dhe njerëzit t’i ngulin sytë përderisa ulesh apo takohesh me dikë?, pyet Lushi. “Kjo nuk ndodh këtu. Thjesht mund të rri në divan apo në ndonjë tavolinë vetëm ose me shokë. Askush nuk të gjykon. Mund të kyçesh në bisedë me persona të rastësishëm apo të dëgjosh. Mendoj se kjo është arsyeja pse më pëlqen ky vend.”

Gjatë ditës vizitorët ngjiten shkallëve të ngushta për në katin më të lartë, në bibliotekën e vogël që i përket xhaxhit të Maliqit, Shkelzen Maliqit, një kritik i njohur i artit, analist politik dhe filozof. Disa vepra të vogla arti varen përgjatë mureve të kaltërta – disa nga artistët vendorë, posterë tjerë me thënie dhe poezi të zgjedhura në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

“Është e çuditshme ta shohësh këtë vend ditën”, thotë Adrian Ramadani. Ramadani, i cili ka qenë vetëm në skenën e natës në “M”, ecën drejt dollapit të librave, nëpër dyshemenë e drurit. “Mendoj se vij në klubin e natës për të ikur, për t`u kënaqur”. Ai sqaron se kënaqet me jetën e natës në “M” sepse atmosfera është e gjallë, dhe kur ai vallëzon, nuk brengoset për asgjë tjetër.

“Por mendoj se do të filloj të vij ditën”, thotë Ramadani. “Për të medituar”.

Ka disa sfida që e presin “M” në të ardhmen. Përveç se duhet të bëhet më stabil financiarisht, Spahija dëshiron të zvogëlohet stigma e një klubi nate dhe fokusi të kthehet më shumë nga aspektet kulturore.

“Ngjarjen e parë që kishim, u keqkuptuam plotësisht sepse edhe tani njerëzit ende mendojnë se është një klub nate”, thotë Spahija.

Për t’iu kundërvënë kësaj, Spahija planifikon ta organizojë dhe zhvillojë programin kulturor të “M” gjatë ditës, duke mos e kufizuar veten thjesht në ofrimin e hapësirës dhe përgatitjes së ushqimit për të tjerët. 

Planet e Spahijas dhe Maliqit për “M” janë ambicioze dhe i pret shumë punë përpara. Por Spahija është krenare me atë se çka është bërë “M”. “Përderisa e mbajmë shtëpinë në funksion dhe ndjenjën si në shtëpi”, thotë ajo, “jam e kënaqur me këtë”.

(Kierra Sondereker është praktikante që raporton për KosovaLive këtë verë në bashkëpunim me Universitetin e Majamit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Përktheu dhe përshtati: Liridona Berisha)

Të Rekomanduara