KosovaLive360

6 Dhjetor 2016
Një dhomë, një mësues, dy klasa…

Hapësira në të cilën mbajnë mësim paralelet e ndara të shkollës fillore “Liria“në fshatin Bilinicë të komunës së Gjilanit ka vetëm tri dhoma. Njëra shfrytëzohet nga mësuesi Armend Rexhepi , i cili mëson klasën e parë dhe të tretë e tjetra nga Milikije Osmani Latifi, mësuese e klasës së dytë dhe të katërt. Kurse dhoma e tretë konsiderohet si një sallë e këtyre dy mësuesve e që janë të vetmit në këtë hapësirë joadekuate për një shkollë.

Mësuesi Rexhepi derisa merr dy ditarët në dorë dhe niset tek tetë nxënësit e tij thotë se mësimi i dy klasëve është punë dhe mund i dyfishtë.

Klasa e parë dhe e tretë ndajnë të njëjtën hapësirë në të njëjtën kohë pavarësisht plan programit mësimor krejtësisht të kundërt. Pasi angazhon nxënesit e klasës së parë për të lexuar, ai fillon t’i shpjegojë detyra të matematikës për klasën e tretë. Në 15 minutat e mbetur përderisa 8 vjeçarët përshkruajnë detyrat është radha e 6 vjeçarëve të tregojnë për mësimin e abetares.

Kështu nxënësit zhvillojnë mësim me murë imagjinarë, derisa Viola 6 vjeçare lexon tregimin e shkronjës  “ZH”, Driloni 8 vjeçar tregon se çka di për gjashtëkëndëshin.

Edhe bisedat në mes vete i kanë të ndaluara me rregullat e mësuesit. Madje as shëndet Viola nuk mund t’i thotë shoqës së saj të vetme Eronës, që është ftohur dhe që vijon klasën e tretë.

“Mundohem që t‘u krijoj ambientin sikur janë vetëm në një klasë”, thotë mësuesi  i tyre Rexhepi.   

Në klasën ku mban mësim janë tetë nxënës, tre nga klasa e parë dhe pesë nga klasa e tretë. Ata ulen me shpinë nga njëri tjetri dhe secila “klasë“ ka tabelën e vet. Mësuesi këtë e bën me qëllim për të përmirësuar cilësinë e mësimit.

Prindërit të cilët po prisnin fëmijët e tyre pasi të përfundojë mësimi thonë se janë të kënaqur me punën të cilin e bën mësuesi Rexhepi, mirëpo edhe ata janë të vetëdijshëm se ky mësim i kombinuar iu shkakton vështirësi në mësimnxënie.

Klasët e kombinuara pa dyshim ndikojnë në cilësi jo të mirë në procesin mësimor dhe shkaktojnë vështirësi në shkollimin para univeristar.

 “Momentalisht arsimi për popullsinë rurale (APR) në Kosovë është i dobët dhe kërkon reformim. Përmirësimet janë të nevojshme në qasje, cilësi dhe lidhje të shkollimit të obliguar me trajnime për punën me popullsinë rurale, shkollim i cili duhet të jetë jodiskriminues dhe gjithëpërfshirës dhe të ofrojë mundësi të mësimit cilësor për të gjithë,” thuhet në dokumentin e strategjisë për arsimin rural të Ministrisë së Arsimit.

Nga ana tjetër, prindërit thonë se fëmijët duhet të kenë përqëndrim shumë më të lartë dhe vullnet për të mësuar në mënyrë që të jenë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre nga shkollat e tjera.

Për mundin dhe përkushtimin ndaj nxënësve flet edhe mësuesja Milikije Osmani- Latifi e po të njëjtës shkollë: edhe ajo punon me klasë të kombinuar, mëson klasën e dytë dhe të katërt.

“ Është punë e cila kërkon shumë vullnet dhe përgatitje profesionale. Ne mundohemi të bëjmë më të mirën që këta nxënës të jenë të përgatitur në nivel sa më të mirë dhe të mos kenë ngecje në shkollimin e mëtutjeshëm“, thotë Latifi.

Klasa e saj përbëhet nga afro 20 nxënës që i shkakton vështirësi në rregullimin e klasës pasi hapësira nuk është e mjaftueshme. Rrjedhimisht, as që bëhet fjalë që secilit nxënës individualisht t‘i kushtojë vëmendje të mjaftueshme.

Xhenete Hasani

 

Të Rekomanduara