KosovaLive360

Njëri nga themeluesit e kompanisë kosovare Formon, Drin Hadri, kompani që prodhon printerë 3D, tregon se idea fillestare kishte qenë që të ofrojnë printimin si shërbim, mirëpo pasi u pajisën me një printer  të tillë, erdhën në përfundim se më shumë interesim kishte për vet printerin se sa për shërbimin. Ata krijuan prototipin e printerit me konceptin dhe një dizajn të ri, porositën pjesët e nevojshme dhe me ndihmën e një investitori privat filluan prodhimin e 100 printerëve, shumica nga të cilët tashmë janë të porositur. Ekipi që fillimisht përbëhej nga tre persona, arriti në dhjetë. Mbështetje në arritjen e këtij suksesi patën nga Innovation Center Kosovo (ICK).

“ICK na ka ndihmuar shumë sidomos me shitjen, marketingun, ofrimin e hapësirave dhe lidhjet që na kanë krijuar”, thotë Hadri.

Qendra Inovative e Kosovës, e njohur me shkurtesën ICK, ka pesë vite që promovon fushën e teknologjisë dhe informacionit dhe të ndërmarrësisë. Për pesë vite, ICK ka pranuar rreth 500 aplikacione me ide të reja, rreth 150 prej tyre kanë prezantuar para një komisioni dhe afërsisht 100 prej tyre kanë përdorur shërbimet e inkubatorit të ICK-së.

 “ICK është një qendër e cila synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës duke i përkrahur të rinjtë me ide inovative për t’i shndërruar ato ide në biznise të qëndrueshme. Ideja është krijimi i vendeve të reja të punës, zhvillimi ekonomik i bazuar në të ardhmen, do të thotë i bazuar në dije dhe në teknologji”, thotë Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Innovation Center Kosovo ( ICK).

ICK funksionon në dy shtylla. Inkubatori i Biznesit – që ndër të tjera, iu ofron bizneseve këshilla nga mentorë të ndryshëm, hapësira pune, ndihmë me gjetjen e burimeve dhe financave dhe Departamenti i Trajnimeve dhe Aktiviteteve nëpërmes të cilave organizojnë trajnime specifike për ta përmirësuar zbraztinë që ekziston në tregun e punës. Në mesin e aktiviteteve të zhvilluara, janë edhe ato të karakterit global si Startup Weekend Prishtina, Global Entrepreneur Prishtina dhe Nasa Space Apps.

“Mund të bëhet shumë më shumë sidomos në krijimin e kushteve më të favorshme. Ne mund të ndihmojmë vetëm një pjesë. Luajnë rol edhe shumë komponente tjera si përmirësimi i nivelit të edukimit dhe qasja në financa, që mbesin dy probleme shumë të mëdha të cilat fatkeqësisht nuk janë gjithmonë nën kontrollin tonë”, thotë Begu.

Blerta Thaçi së bashku me Zana Idrizin në vitin 2014 vendosën të themelojnë një organizatë që nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme ofron punë praktike që u mungon studentëve të inxhinierisë kompjuterike në Prishtinës gjatë studimeve. Organizata joqeveritare që e quajtën “Girls Coding Kosova” për qëllim ka fuqizimin e femrës nëpërmjet programimit.

Pasi filloi punën si programere, Thaçi kishte vërejtur që në vendin e punës ishte e rrethuar me meshkuj edhe pse në studime kishte pasur një numër të konsiderueshëm të vajzave që kanë studiuar të njëjtin drejtim. Duke marrë model vendet e huaja ato filluan të bëjnë aktivitete joformale dhe në vitin 2015 filluan punën me qëllim fuqizimin e vajzave me aktivitete pak më ndryshe nga përpjekjet e mëhershme të organizatave të ngjajshme.

“Kemi dashur të ofrojmë aktivitete që ndihmojnë me rritjen e numrit të vajzave në këtë fushë sepse shumica nuk është se nuk kanë dashur ose nuk kanë mundur por iu është dashur pak shtytje apo pak orientim”, thotë ajo.

Thaçi mendon se gjatë kësaj kohe kanë ndihmuar me promovimin e fushës së shkencave kompjuterike – programimit tek vajzat. Në komunitetin e tyre ato tani kanë rreth 700 vajza që janë pjesë e aktiviteteve të ndryshme. Pas çdo projekti, ato regjistrojnë pjesëmarrëset me qëllim të krijimit të një rrjeti ku këto vajza mund të informohen rreth aktiviteteve më të reja, të njoftohen me njëra tjetrën dhe të bashkëpunojnë.

“Targeti jonë janë vajzat qe studiojnë shkenca kompjuterike ose inxhinieri kompjuterike, gjithashtu edhe moshat pak më të hershme sepse është e rëndësishme të fillohet herët”, thotë ajo.

Shefi i Departamentit të Kompjuterikës në Fakultetin Teknik, Blerim Rexha, beson se studentët e këtij drejtimi në Universitetin e Prishtinës janë mjaft të përgatitur për tregun e punës. Ai pohon se pothuajse të gjithë studentët e nivelit master në këtë drejtim janë të punësuar dhe shumë studentë të UP-së tani punojnë për firma të ndryshme evropiane, pas kryerjes së praktikave profesionale në këto firma.

Begu i ICK-së, nga ana tjetër kritikon mungesën e punës praktike dhe mendon se UP duhet të jetë më fleksibil dhe të bashkëpunojë me sektorin privat, me atë publik dhe me OJQ-të, që të gjejë programe dhe mënyra për të aftësuar studentët për treg të punës.

Me të pajtohet edhe Blerta Thaçi, e cila thotë se pas studimeve, studentët kanë një sfidë tjetër që është aftësimi për kërkesat e tregut. Megjithëse interneti është një mjet shumë lehtësues, ajo mendon se puna praktike është gjithashtu shumë e nevojshme. Këto projekte përpos që u ndihmojnë studentëve duke i përgatitur për një karierë, gjithashtu ndihmojnë që t’i mbajnë të motivuar.

“Nëse vetëm programojmë shembuj dhe teori të cilat vetëm se i kanë bërë më herët, atëherë është shumë vështirë të qëndrojmë të motivuar… Pjesa më e mirë që e mundëson ky profesion është mënyra e qasjes që është online dhe mundet të punohet në platforma të mëdha në botë”, thotë Thaçi.

Bulza Çapriqi

 

Të Rekomanduara