KosovaLive360

Mentor Dida nga Prishtina, i cili para dhjetë viteve ishte zhvendosur në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arritur të realizojë iniciativa për ndryshime në shoqëri të cilat, sipas tij, kanë pasur ndikim jo vetëm tek të rinjtë në SHBA por edhe në Kosovë.

“Two dollar challenge” (Sfida dy dollarëshe), është lëvizja e cila për një javë ka bërë studentët e shumë universiteteve të SHBA që të provojnë jetesën me dy dollarë në ditë.

“Kemi ndërtuar strehë me kartona që studentët të shohin se si është të jetosh me vetëm dy dollarë në ditë pasi gjysma e botës jeton ashtu, edhe në Amerikë. Kjo është shumë e vështirë”, thotë Dida.

Rruga për ndryshime në shoqëri, për të, si ide kishte filluar përderisa studionte për inxhinieri me fokus energjitë alternative në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Sipas tij, gjithçka kishte ardhur si pasojë e kujtimeve të asaj që kishte përjetuar në moshën nëntë vjeçare: familja e tij atëbotë ishte marrë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe ishte dërguar në kampin e refugjatëve në Bllacë të Maqedonisë. Kujtimet e asaj kohe i kishin dhënë motiv për të ndihmuar të tjerët sot.

“Kam kuptuar dhe reflektuar kohën e luftës në Kosovë dhe mendova se cili mund të jetë ndryshimi mes ushtarit dhe vullnetarit. Vendosa të merrem me projekte që avancojnë punën vullnetare dhe që ngrisin dëshirën e njerëzve për të ndihmuar që të ketë më shumë vullnetarë sesa ushtarë”, u shpreh Dida.

Pasi marrjes së titullit master për ndërmarrësi sociale në Universitetin Shtetëror të Arizonës, ai u punësua në “Ashoka Youth Ventures”, organizatë kjo me rrjetin më të gjerë të sipërmarrësve social, me seli në Washington D.C.

“Nga ‘Ashoka’ kam mësuar shumë se si ndryshohet një sistem, si avancohen idetë e reja dhe si bëhen ndryshimet sociale. Jam duke punuar për ndryshime në sistemin e edukimit dhe nga aty ka ardhur si ide që në Kosovë t’i mobilizoj të rinjtë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku”, thotë ai.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, nga fundi vitit të kaluar dhe në janar 2017, Mentor Dida realizoi disa aktivitete në kuadër të projektit “#Kaardhëkoha” me idenë për ndryshime përmes vullnetarëve, në bashkëpunim me Annea Hapçiun themeluese e byrosë së vajzave “Global Girl Media”. Idea fillestare ishte përhapur përmes rrjeteve sociale me video, pas fjalimit që ai kishte mbajtur në ceremoninë e diplomimit në Universitetin e Arizonës.

“Pas publikimit të videos falenderuese ndaj atyre që përkrahën fjalimin tim, kam dhënë mesazhin për ndryshime me hashtag “#Kaardhëkoha”. Pas interesimit të shumë të rinjëve që më kontaktuan vendosëm të ndihmojmë njëri-tjetrin që të bëjmë ndryshime edhe në Kosovë”, tha ai.

Ndërkohë, Dida ka filluar realizimin e projektit me aktivitetin “Rrugëtimi i ndryshimtarëve” të mbajtur në teatrin “Oda” në Prishtinë ku 14 të rinj pjesëmarrës kanë shpalosur aktivitetet e tyre dhe përvojat që ata kanë kaluar për të arritur sukseset që kanë sot.

Organizata “Iniciativa për Prosperitet në Kosovë” (Prosperity Initiative in Kosovo) e njohur si PIKS, themelues i të cilës është Dida, në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Termokiss,” “Lumbardhi,” dhe vullnetarët e saj, ju kanë dhënë hapësirë disa të rinjëve që me anë të një prezantimi 5-6 minutësh të tregojnë për punën dhe suksesin e tyre.

Aktivitetet për të bërë ndryshime dhe të vetëdijësojnë të rinjtë të bëhen “changemakers” (ndryshimtarë), kanë vazhduar me “Poetry night” (natën e poezisë), tubimin “Merr frymë” dhe “Ndryshimtarët në bashkë-krijim”, që sipas Didës janë realizuar “me qëllim pë t’iu gjetur përgjigje problemeve që pengojnë të rinjtë të arrijnë qëllimet e tyre”.

Ai thotë se ka planifikuar kthimin e tij në Kosovë gjatë vitit 2018 dhe se do të fokusohet për ndryshim në fushën e arsimit, ndërkohë që për ka një mesazh për të gjithë të rinjtë që duan të bëhen ndryshimtarë:

“Ejani të bëjmë një Kosovë të hapur për të bashkëpunuar në ndryshime për të mirë të këtij vendi. Nëse po e lexon këtë dhe po inspirohesh eja të bëjmë diçka vullnetare për diçka më të madhe”, thotë Dida.

Doruntina Stojkaj

Të Rekomanduara