KosovaLive360

Dhuna e tifozëve është karakteristikë e futbollit që po vërehet në të gjitha ligat kryesore dhe në skenën ndërkombëtare. Disa zyrtarë janë optimistë dhe nuk shohin shumë mundësi për një gjë të tillë në Kosovë, ndërsa të tjerët përgatiten për të paparashikueshmen.

“Futbolli është lojë dinamike dhe kurrë nuk mund ta dish çfarë do të ndodhë në tribuna”, tha Fadil Vokrri, një nga legjendat e futbollit në kohën e ish-Jugosllavisë dhe kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, përmes një përkthyesi.

Kosova aktualisht nuk organizon lojra si nikoqir, sepse nuk ka stadium që i plotëson standardet ndërkombëtare. Kjo do të ndryshojë së shpejti. Në Mitrovicë është përfunduar një stadium, ndërsa një në Prishtinë është ende në ndërtim e sipër dhe i treti po ndërtohet në Pejë.

Kryeshefi i sigurisë së ekipit kombëtar të Kosovës, Bylent Smakiqi, tha se ka shumë masa të sigurisë që merren parasysh për ndeshjet brenda vendit dhe për stadiumet e reja, por nuk hyri shumë në detaje.

“Ende nuk i kemi diskutuar detajet… por natyrisht se stadiumi do t`i ketë të gjitha kriteret e sigurisë çfarë kërkohen nga UEFA. Më shumë detaje do të jepen më vonë kur t`i afrohemi më shumë përfundimit…Po ashtu do të ketë një inspektim të stadiumit me të përfunduar. Do t`i përmbushim të gjitha kriteret e nevojshme” tha ai.

Ekipi i sigurisë dhe procedurat e UEFA-s mund të vendosen, por gjithmonë do të ketë pyetje lidhur me masat e tjera, duke përfshirë këtu si t’i kontrollojmë sjelljet e tifozëve.

Vokrri i sqaroi masat parandaluese të sigurisë për ndeshjet në Kosovë. Para secilës lojë, përgjegjësit e sigurisë e vlerësojnë nivelin e sigurisë, e thërrasin policinë, të cilët rrinë jashtë. Ata hyjnë në stadium vetëm në rrethana të rrezikshme, si për shembull trazira. Në hyrje kontrollojnë për gjësende të mprehta. Nuk lejohet asnjë armë. Zyrtarët e sigurisë janë duke planifikuar që gjatë punimeve të instalojnë detektues metali në stadiumin e Prishtinës. Të vetmet masa parandaluese kundër dhunës janë rojet e sigurisë të cilët i monitorojnë tifozët nga turmat dhe policia që mund të hyjë në stadion kurdo që ka nevojë.

Ata po ashtu marrin masa parandaluese ndaj brohorimave provokative si ajo që rezultoi me dënimin e Kosovës tash së fundmi.

“I ndalojmë të gjitha pankartat politike apo raciste”, tha Smakiqi. “Përpiqemi t`i ndalojmë te porta.”

Në rast se ka ndonjë tifoz me pankartë me mesazhe provokative politike apo raciste, mundësisht do të nxirret jashtë.

…”por, mund të jetë e vështirë të futesh në mes 2,000 tifozëve, kjo mund të shkaktojë problem edhe më të madh.Por nëse ofrohet mundësia, përpiqesh ta largosh… dhe ta lejosh ekipin të përqendrohet në futboll dhe merr masa parandaluese për ndeshjen tjetër,” tha ai.

Ai ishte mjaft i qartë sa u përket sjelljeve raciste.

“Mesazhet politike janë serioze, por racizmi është i papranueshëm,” tha ai.

Tani ekipi i Kosovës do të luajë në Shqipëri, ndërsa ekipi i Shqipërisë ka ndeshje jashtë vendit.

Gjatë ndeshjeve të tyre në Shqipëri, sigurimin e bën kryesisht policia shqiptare dhe një kompani sigurimesh në koordinim me Smakiqin dhe zyrtarë kosovarë të sigurisë.

Në Shkodër të Shqipërisë Kosova ishte dënuar me 30,000 franga zviceriane për pjesëmarrje të tifozëve në brohoritje raciste, të incizuar në një video, ku tifozët kosovarë dhe ata kroatë brohorisnin “Vritni serbët”.

Këto janë shqetësime në secilin vend ku futbolli është sporti kryesor. Por për një vend të ri si Kosova, me buxhet të kufizuar, i cili vetëm në maj të 2016-ës u aprovua nga FIFA dhe UEFA, shpenzimet mund të paraqesin problem.

Nacionalizmi dhe tifozët agresivë janë problem për shumë shtete. Një person në Islandë nuk guxonte të ecte në një rrugë protestante me fanelë të ekipit Celtic nga frika se do ta sulmonin fizikisht. Ishin trazirat në ndeshjen Crvena Zvezda-s së Beogradit nga Serbia kundër Dinamo-s së Zagrebit nga Kroacia,  të vitit 1990 ato që paralajmëruan shpërbërjen e shtetit jugosllav. Qysh atëherë, futbolli në vendet e Ballkanit kanë qenë dëshimtare të shumë episodeve të dhunës nacionaliste.

Në vitin 2014, tifozët kroatë dhe bullgarë u gjuajtën me pishtarë dhe gaz lotsjellës në tribuna kur shpërthyen trazirat. Një përkrahës i Levskit nxori një pankartë me mbishkrimin: “Serbët në litar” ndërkohë që tifozët kroatë duartokitën. Po të njëjtin vit, dikush e valoi  një flamur të Shqipërisë së Madhe gjatë një ndeshjeje kundër Serbisë, në kryeqytetin e saj Beograd, derisa një lojtar serb ta shqyente  atë, gjë që çoi në përplasje mes lojtarëve të dy ekipeve. Përleshjet shpërthyen edhe në një ndeshje futbolli në Bosnjë, ndërmjet Sloboda dhe FK Sarajevo në vitin 2016, të cilat “Balkan Insight” i raportoi si “të zakonshme”.

Edhe klubi kroat Hajduk është dënuar kohët e fundit për brohoritje raciste kundër serbëve në ndeshjen kundër klubit bullgarian Levski. Dhe vetëm disa ditë më parë, tifozët nga Hajduk dhe Everton u përplasën në një lojë në Angli.

“‘The Independent’ më 2013 rikujtonte një koment të një tifozi para një ndeshjeje mes një ekipi kroat me një ekip serb për herë të parë që nga lufta e vitit 1991 në mes dy shteteve. Shumica e njerëzve nuk brengosen për futboll, kjo ka të bëjë me urrejtje”, tha tifozi.

Politika është shumë e pranishme, jo vetëm në futbollin e Ballkanit, por në futbollin evropian në përgjithësi. Trendi i përgjithshëm i dhunës nacionaliste dhe brohoritjeve në ndeshjet e futbollit mund të shihet anekënd kontinentit.

Sidoqoftë, jo të gjithë besojnë se këto trende do të arrijnë në Kosovë në përmasa serioze.

Zyrtarët në Kosovë mbesin me shpresë se sjelljet e tifozëve në ndeshjet e tyre nuk do të jenë problem i madh.

 “Zakonisht tifozët janë të kulturuar dhe nuk bëjnë shumë problem”, tha Vokrri. “Por kurrë nuk mund ta dish se kur nxehen gjërat.” Ai vazhdoi duke thënë se ekipi “nuk ka pasur shumë probleme” dhe në rast të tifozëve problematikë, referi mund të kërkojë nga policia t`i nxjerrin jashtë”.

Vokrri e përdori shembullin e “5 apo 6 tifozëve” që brohoritën “Vrisni serbët” në ndeshjen tash së voni me Kroacinë.

“Autoritetet kosovare ‘i kanë emrat e tifozëve të cilët kanë vepruar ashtu dhe ata nuk do të lejohen të marrin pjesë në ndeshjet tjera. Sa i përket klimës politike që ‘i fryn erë’ dhunës në ndeshjet e futbollit në Ballkan dhe në përgjithësi në botë, kjo “nuk do të jetë problem”, tha ai.

Më e keqja që ai pret nga tifozët është “ndoshta ndonjë sharje apo diç e ngjashme, por asgjë serioze”.

I pyetur për ndeshjet kundër vendeve që nuk e njohin Kosovën ai tha se tensionet nacionaliste nuk do të luanin rol.

“Ndoshta nëse luajmë kundër Serbisë, por jo vendet që nuk e njohin Kosovën.”

Menaxheri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bajram Shala, u shpreh ngjashëm: “Nuk e kemi pasur këtë problem deri tani. Kemi organizuar tri lojë si nikoqir kundër Kroacisë më 6 tetor të vitit të kaluar, pastaj kemi pasur ndeshje kundër  Irlandës dhe Turqisë dhe nuk kemi pasur këso lloj problemesh me tifozët tanë.”

“Jo, faktikisht nuk jemi të shqetësuar, sepse kemi tifozë shumë të kulturuar. Ata dinë si ta përkrahin ekipin tonë, ata dinë si të na ndihmojnë dhe nuk janë me ne për të bërë probleme. Ata janë me ne për të na përkrahur, pra nuk jemi të shqetësuar aspak për këtë”, shtoi ai.

Disa janë më të shqetësuar se të tjerët. Shala tha: “E dimë situatën dhe krejt ato nëpër çka ka kaluar Kosova dhe i njohim shtetet të cilat janë kundër pavarësisë sonë, që do të mund ta bënin ndeshjen me rrezikshmëri të lartë.”

Shala tha se tifozët kosovarë nuk janë më pak nacionalistë sesa tifozët e vendeve tjera të Ballkanit.

“E ndiejmë krenarinë tonë kur i veshim fanellat tona, fanellat e Kosovës…Është më shumë se një ekip futbolli”, sqaroi ai.

Smakiqi i renditi shqetësimet e sigurisë më në detaje. Ai i ndau në tri kategori ndeshjet në të cilat mund të luajë Kosova. “Të rrezikut të lartë, të mesëm dhe të ulët.” Lojërat në të cilat ka luajtur Kosova në të kaluarën, kanë qenë “ndeshje me rrezik të ulët”, tha ai.

“Siguria në ndeshjet e kaluara ka qenë e mirë dhe natyrisht për sigurinë në ndeshjet e ardhshme…do të ketë sigurim të trajnuar që mund të merren me situata të këtilla.”

Për sa i përket asaj se çfarë e përbën një ndeshje me rrezik të lartë apo të ulët, sipas Smakiqit, varet se “çfarë nacionaliteti ka ekipi kundër të cilit luan”.

Ai e mori shembullin e Anglisë në Kampionatin EURO 2016.

“Në EURO 2016 ka pasur ndeshje ku Anglia ka luajtur kundër shteteve tifozët e të cilave kanë qenë mjaft agresivë…varet nga atmosfera”, tha ai.

Shala foli për rrezikun e mundshëm të ndonjë ndeshjeje me Malin e Zi ku nacionalistët shqiptarë do të kishin mundësi të përballen me nacionalistët serbë edhe pse nuk sheh ndonjë arsye për t`u shqetësuar.

“Nuk mendoj se kjo do të ishte lojë me rrezikshmëri të lartë. Nuk kemi shumë probleme me Malin e Zi. Do të ishte një lojë me rrezik mesatar,” tha ai.

Smakiqi sheh një arsye për alarm sa i përket nacionalizmit në ndeshjet e futbollit. “Çdo vend i ka huliganët e vet”, por ata “nuk do duhej ta përzinin futbollin me politikë”.

“Përpiqemi ta shmangim këtë dhe të mos mendojmë për politikë kur luajmë futboll”, tha ai.

(Austin Langdon është praktikant që shkruan për KosovaLive këtë verë në bashkëpunim me Univeristetin e Majamit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Përktheu dhe përshtati: Liridona Berisha)

Të Rekomanduara