KosovaLive360

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Agjencisë për Regjistrim Civil, e mbështetur nga kompania gjermane “Veridos GmbH – Identity Solutions by Giesecke+Devrient and Bundesdruckerei”, ka lansuar sot në Prishtinë projektin: “Patentë-shoferi mobil”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, theksoi se është shumë krenar që Republika e Kosovës prezanton patentë shoferin e parë elektronik/mobil në botë, që do të zbatohet në të gjithë vendin dhe jo vetëm si pilot-program, por si projekt me shtrirje të plotë.

“Është kënaqësi t’iu prezantojë inovacionin tonë më të ri të identitetit për qytetarët tanë, aplikacionin RKSmobileID. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë patentë shofer të vlefshëm mund të shkarkojnë aplikacionin RKSmobileID dhe ta përdorin atë. Ai u ofron qytetarëve tanë një nivel të ri komoditeti dhe sigurie të të dhënave” theksoi Sefaj.

Ministri Sefaj vuri në dukje se  patentë shoferi elektronik-mobil, gjithashtu njeh standardin ndërkombëtar për patentë shofer, ISO/IEC 18013, dhe rrjedhimisht garanton siguri maksimale dhe pajtueshmëri universale me të gjitha produktet e ardhshme të kartave të identitetit.

Ai tha se patentë shoferi elektronik-mobil ka shumë përparësi pasi që mundëson saktësi më të madhe në procedurën e kontrollit të patentë shoferit. Ai po ashtu siguron efikasitet të përmirësuar pasi procesi është i shpejtë, transferon të dhënat dhe zgjatë vetëm disa sekonda si dhe është i sigurtë dhe i qëndrueshëm.  Po ashtu i mundëson policisë të verifikoj lehtë identitetin e shoferit dhe e fundit është se qytetarët gjithmonë e mbajnë me vete, mjafton të keni një telefon të mençur.

Në fund Sefaj tha patentë shoferi me dizajn te ri i Republikës së Kosovës është sipas direktivave te fundit te BE-së. Patentë shoferët e rinj kombinojnë dizajnin më bashkëkohor me teknologjitë më të fundit të sigurisë. Ai tha se jemi duke zbatuar të dy zgjidhjet, produktet së bashku me kompaninë gjermane Veridos.

Ndërsa shefi i operacioneve i kompanisë Verdios, dr. Hermann Sterzinger, përgëzoi Kosovën për patentë shoferin e parë elektronik/mobil në botë. Ai tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt një bashkëveprimi modern, ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve dhe drejt digjitalizimit të proceseve publike.

“Patentë shoferi elektronik/mobil nuk është vetëm një produkt shumë miqësor për përdoruesin, por gjithashtu është edhe produkt shumë i sigurt. Organet e zbatimit të ligjit mund të verifikojnë identitetin e poseduesit të patentë shoferit duke hyrë në të dhënat përkatëse në sistemin në prapavijë (back-end). Kjo e bën praktikisht të pamundur falsifikimin e patentë shoferit elektronik/mobil”, theksoi  Sterzinger.

Ai gjithashtu vuri në pah se kanë kontribuar në zgjidhje duke integruar produktin e tyre të testuar mirë me njohuritë praktike inovative, siç janë Softueri IMAGO i Veridos, i cili përdoret për marrjen, verifikimin dhe menaxhimin e të dhënave të përdoruesve. Bazuar në konfigurimin specifik të projektit, ai mbështet lloje të ndryshme të kartave të identitetit, duke përfshirë edhe patentë shoferët. IMAGO është në përputhje me të gjitha specifikimet ndërkombëtare në lidhje me dokumentet e identifikimit, llojet, formatet dhe cilësinë e të dhënave biometrike, si dhe me specifikacionet për sigurinë e të dhënave dhe përdorimin e dokumenteve elektronike të identifikimit.

Kosova është vendi i parë në botë që do të ketë këtë aplikacion për  patentë-shoferë, i cili do të jetë në dispozicion të të gjithë qytetarëve që kanë patentë-shoferë, dhe i cili mund të lexohet nga telefoni mobil.

Në këtë konferencë u bë edhe skenimi i aplikacionit Verifier në telefonin e mençur me  patentë shoferin fizik dhe ku tregohen të dhënat në telefonin e mençur.

Republika e Kosovës është një vend i ri dhe modern në mes të Evropës. Vendi ynë gjithmonë do të përpiqet të ofrojë produkte inovative, përmes strategjisë së teknologjisë së informacionit, e cila i mbështet këto nisma.

Ministri Sefaj prezantoi patentë shoferin me dizajn te ri dhe theksoi se nga java e ardhshme do të fillojë lëshimi i patentë shoferëve me dizajn te ri.

Po ashtu MPB i ka përfunduar të gjitha procedurat për lëshimin e patentë shoferëve profesional, ndërsa lëshimi i tyre do të filloj në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës.

Të Rekomanduara