KosovaLive360

F.S, një viktimë e dhunës nga gjinia e kundërt, kishte raportuar në polici rastin: i dashuri i saj kishte ushtruar dhunë mbi të. Ajo e kishte denoncuar.

“…policia e ka mbajtur vetëm 48 orë në paraburgim. Kur është liruar ka ardhur përsëri dhe më ka rrahur.“

Kësaj radhe ajo ka hequr dorë edhe nga institucionet mbrojtëse pasi, sipas saj nuk merren masat e duhura në këto raste.

Policia e Kosovës në tre vitet e fundit (2013/2015) ka pasur gjithsej 3.349 raste të raportuara të dhunës në familje, prej të cilave në rreth 2.500 raste viktimat kanë qenë të gjinisë femërore.

Sipas Zyres për Informim e Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2015 janë raportuar 1,038 raste të dhunës në familje, nga to në 869 raste femra ka qenë viktimë/ankuese.

M.K 35 vjeçare, banore e Ferizajt nëna e një vajze, e cila ka vite që duron dhunë fizike nga burri i saj, tregon se të jetuarit me frikë se kur do të ushtrohet përsëri dhunë mbi të është një ferr i vërtetë për të dhe për familjen e saj.

Mirëpo, ajo në njëfarë mënyrë e arsyeton bashkëshortin se ndonjëherë nga stresi i varfërisë mund të ushtrojë të gjithë këtë dhunë.

“Ndonjëherë mendoj me vete nuk ka faj se e gjithë kjo varfëri e ky nuk ka mundësi me bë asgjë, e unë gjithë ditën duke u ankuar“, thotë ajo.

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, pas një hulumtimi të kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës i financuar nga UNICEF-i në periudhën 2013/2014 për dhunën në familje, po ashtu ka vërejtur ndërlidhjen e dhunës në familje me gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike.

Sipas këtij rrjeti, nga ana tjetër, problemi nuk duhet parë vetëm te burrat, por edhe te vetëdijësimi i grave.

Nga hulumtimi i përmendur më sipër, rezulton se rreth 33 për qind e femrave të anketuara kosovare (mosha 15-49 vjeç) ndjejnë se burri arsyetohet të rrah apo godet gruan e tij në së paku një nga pesë situatat. Përqindja dukshëm më e madhe (68%) e femrave që nuk kanë arsimim pajtohen se burri arsyetohet nëse godet apo rrah.

Femrat që arsyetojnë dhunën e bashkëshortit, në shumicën e rasteve pajtohen dhe arsyetojnë dhunën në rastet kur gruaja neglizhon fëmijët apo nëse ajo demonstron autonominë e saj, me shembullin kur ajo del pa i treguar burrit apo fjaloset me të. Rreth një e dhjeta e femrave besojnë se rrahja e gruas justifikohet nëse ajo refuzon të bëjë seks me bashkëshortin dhe pesë përqind nëse ajo djeg ushqimin.

Nëse kësaj liste u shtohen edhe disa “gabime” të tjera, norma e tolerancës ndaj dhunës nga gratë kosovare rritet në 42.4 për qind. Këto rrethana shtesë janë: nëse ajo nuk kujdeset për punët e shtëpisë dhe higjienën, nëse nuk kujdeset për prindërit e tij, nëse ajo e bën burrin xheloz, nëse merr vendime për familjen pa u konsultuar me të.

Arsyetimi në secilën prej pesë situatave është më i pranishëm në mesin e atyre që jetojnë në ekonomitë familjare më të varfra, më pak të shkolluara dhe femrave aktualisht dhe ish të martuara.

Me rritjen e nivelit të arsimimit, femrat kanë më pak të ngjarë të arsyetojnë rrahjen apo goditjen e gruas nga burri i tyre.

Nga ana tjetër, meshkujt kanë më pak të ngjarë të arsyetojnë dhunën se sa femrat me 15 për qind të meshkujve që arsyetojnë rrahjen e gruas për cilëndo nga pesë situatat. Në këtë hulumtim rreth 22% e burrave të anketuar mendojnë se dhuna ndaj grave është e domosdoshme.

Arif Hajdari (52), baba i katër fëmijëve, qytetari i Ferizajt, ndërkohë konsideron se dhuna nuk duhet ushtruar ndaj askujt.

“Asnjë dhunë nuk është e tolerueshme, e sidomos ndaj gjinisë së kundërt asnjëherë nuk duhet ngritur dorë. Të gjithë kemi të drejta të barabarta dhe ato nuk duhet cënuar nga askush“, thotë Hajdari.

Për avokatin Qëndrim Rama, për dhunën ndaj femrave duhet të flitet më shumë në mënyrë që të dihen e të mbrohen të drejtat e tyre.

“Dhuna në shoqërinë tonë është shumë e përhapur, por shumë pak flitet për të në publik dhe kjo lloj heshtjeje e legjitimon dhunën. Prandaj ne si shoqëri duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim nëse dëshirojmë të jetojmë në një shoqëri më të mirë“, thotë Rama.

Xhenete Hasani

 

Të Rekomanduara