KosovaLive360

Sabrije Zeqaj nga fshati Strellc i Ulët i Deçanit qe 47 vjet është në karrocë.  Por jeta e saj e përditshme nuk i ngjan shumë jetës së personave me nevoja të veçanta. Ajo jeton një jetë me plot angazhime dhe ia del që vetë t’i kryejë të gjitha punët.

Sabrija rrëfen se pas aksidentit, të cilin e përjetoi si vajzë 19-vjeçare, ishte e zhgënjyer dhe nuk kishte mundur ta pranojë aq lehtë gjendjen e saj.

Nuk mund ta besoja që nuk do të mund të eci më. Tentova t’i jap fund jetës shumë herë dhe pesë vite nuk pranova të ulem në atë karrocë, duke mos qenë në gjendje ta pranoj fatkeqësinë time”, thotë Zeqaj.

Pasi që ishte më e vogla në familje, e rritur në mesin e katër vëllezërve, tregon se ishte më e privilegjuara. Përpjekjet e prindërve për ta rehabilituar kishin qenë të njëpasnjëshme, si nëpër të gjitha qendrat mjekësore më të njohura të Jugosllavisë së atëhershme, në Kinë e Rusi.

Megjithatë, gjendja e saj më së shumti është përmirësuar falë punës së saj me veten dhe mospranimit të aftësisë së kufizuar.

Sabrija e ka përfunduar shkollën fillore në fshatin Isniq të Deçanit, gjimnazin në shkollën “9 maji” – drejtimi stomatologji në Prishtinë, ndërsa në vitin 2014 ka diplomuar në Kolegjin Riinvest.

Ka edhe aftësime të tjera profesionale, ndërkohë që më 2010 ishte edhe gruaja e parë me nevoja të veçanta që u kandidua për deputete të Parlamentit të shtetit të Kosovës.

Dikur ishte 12 herë kampione e Kosovës në garat e shenjtarisë në kategorinë respektive, dhe 6 vjet kampione në ish-Jugosllavi.

Sipas Sabrijes, meritor kryesor për këto të arritura ka qenë angazhimi profesional në “Handikos” me nxitjen e Halit Ferizit dhe profesorit të saj dr. Nehat Kiserit. Me ta, dhe me një grup njerëzish të tjerë,  më 1979 kishte themeluar këtë shoqatë, dhe me disa vite rresht kishte qenë drejtoreshë për komunën e Deçanit.

Ata bënë përpjekje që në mënyrë indirekte të më angazhojnë me aktivitete. Detyra e parë që më dhanë ishte regjistrimi i personave me nevoja të veçanta në regjionin e Dukagjinit. Aty fillova ta ndiej veten të dobishme dhe të kuptoj se është detyrë e secilit prej nesh të bëjmë diçka për këtë shoqëri”, thotë ajo.

Me punën dhe angazhimin e saj në “Handikos” u shpall punëtorja më e mirë për tërë rrjetin e Kosovës dhe, e nga viti 2005 është drejtoreshë ekzekutive e “Handikos-it” për tërë rajonin e Dukagjinit, me seli në Pejë.

“Handikos” është organizatë joqeveritare që punon dhe vepron që nga viti 1983. Ka 14 zyra – qendra rajonale dhe 28 zyra lokale në tërë Kosovën dhe merret me rehabilitimin e personave me nevoja të veçanta, edukimin dhe aftësimin profesional, punësimin e tyre e të tjera.

Synim kryesor është rehabilitimi i fëmijëve me nevoja të veçanta prej moshës 1 deri 16-vjeçare, ku aftësohen për shkollim qoftë ai parafillor, fillor, i mesëm dhe i lartë. Fëmijët që nuk janë të aftë për shkollim aftësohen që sa më shumë të jenë të pavarur nga familjarët e tyre.

“Handikos” është e vetmja organizatë në Kosovë e cila merret me pajisjen e me mjete ortopedike, sanitare dhe higjenike për personat me nevoja të veçanta. Posedon edhe ekipin mobil në terren ku në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale përkrahet me projekte, i cili viziton personat me nevoja të veçanta. Momentalisht në shoqatë punojnë 2 fizioterapeute, një psikologe, punëtore sociale dhe infermiere punëtore e terrenit.

Sabrija mendon se për tash stafi profesional i “Handikos”-it, mund t’i plotësojë nevojat e 872 anëtarëve.

Për punën e  palodhshme të Sabrijes dhe të arriturat e saj tregojnë mirënjohjet e panumërta që zënë vend në muret dhe raftet e zyrës së saj.

Mirënjohje ka marrë nga shoqata humanitare “Nënë Tereza” për kontributin e saj gjatë luftës ku, edhe pse me aftësi të kufizuara, ia doli që të jetë krah për krah me mjekët dhe aktivistët e kësaj shoqate, të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Gjysmëhënës së Kuqe, Handicap International, Oxfam e të tjera.

Të gjitha këto organizata ndihmuan personat me aftësi të kufizuar që gjatë luftës kishin mbetur në mëshirën e fatit dhe pa përkujdesje, duke u ofruar shërbime mjekësore dhe duke i pajisur me mjete të nevojshme.

Në gjendjen në të cilën ishim një njeri i shëndetshëm e ka pasur vështirë të mbijetojë dhe t’i bëjë ballë torturës. Lëre më personat me nevoja të veçanta të cilët ishin në gjendjen më të keqe”, thotë ajo.

Mirënjohjet nuk përfundojnë me kaq, në mesin e tyre edhe dekorimi me medaljen e ushtarit të NATO-s nga gjenerali i brigadës shumëkombëshe Massimo de Maggio, duke u bërë kështu e para grua me këtë medalje. Njëherësh, ka marrë mirënjohjen e OSBE-së për kontributin e dhënë për personat me nevoja të veçanta.

Për punën e “Handikos”-it në rajonin e Dukagjinit fjalë miradie ka edhe Muharrem Gacaferri, përgjegjës i Shoqatës së Luftëtarëve dhe Invalidëve të Deçanit.

Sabrije Zeqaj dhe zyra lokale në Deçan përveç përkrahjes emergjente me gjërat e nevojshme bashkë me “Handicap International”dhe “Handikos”, kanë bërë siç thotë ajo një projekt madhor me shifra milionëshe për rehabilitimin e ushtarëve të UÇK-së që kishin humbur gjymtyrët.

Ajo u përkujdes për marrjen e vizave në Maqedoni, biletat e aeroplanit, qëndrimin disajavësh në Ljubjanë, diagnozën dhe marrjen e masave për gjymtyrët e humbura apo të amputuara si dhe kthimin e tyre në Kosovë. Ishte një angazhim i lodhshëm ku më në fund 50 ushtarë u lehtësuan në gjendjen e tyre shëndetësore”, ka thënë Gacaferri.

Gjatë punës së saj Sabrija është përkushtuar edhe në avancimin e grave dhe vajzave me nevoja të veçanta.

Falë punës sime dhe projekteve kam bërë shtytjen e shumë femrave në aftësimet profesionale, kryerjen e kurseve të ndryshme për floktari, rrobaqepësi, kuzhinë, shkollimin e mesëm dhe universitar. Kam përkrahur në të gjitha sferat që kanë pasur nevojë. ‘Deserti’ i tërë kësaj është se falë angazhimit tim me to shumë femra kanë marrë edhe patent shoferë dhe vozisin makina”, tha Zeqaj.

Sabrija çdo ditë udhëton nga fshati Strellc në Pejë, vetë me veturën e përshtatur. Para gjashtë muajsh pati një aksident, u godit me makinë nga një bashkëfshatar dhe si pasojë pati dëmtime të rënda trupore.

Megjithatë ia doli që shpejt t’i kthehet punës dhe aktiviteteve të përditshme, në mos vetëm sa për të dëshmuar edhe një herë epitetin që e përcjellë, si ”gruaja e fortë”.

Fjolla Hajrizaj

Të Rekomanduara