KosovaLive360

Rogova e Hasit bëhet me Qendër të Kulturës. Sot është vënë gurthemeli i Qendrës, investim kapital ky i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vlerë prej 1.2 milionë euro, dhe që do të zgjasë dy vite në shuma të ndara 500 mijë euro për vitin 2018 ndërkaq për vitin pasues në këtë projekt kapital do të investohen 700 mijë euro.

Me finalizimin e këtij objekti, banorët e këtij fshati të Komunës së Gjakovës do të kenë hapësirën e nevojshme ku do t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre kulturore.

Me rastin e vënies së gurthemelit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se përmes ndërtimit të kësaj qendre po i kthehet dinjiteti kulturor banorëve të këtij fshati.

“Në Rogovë të Hasit sot po e vëmë gurthemelin e ndërtimit të qendrës kulturore. Me realizimin e këtij projekti krijohen kushte për zhvillimin e përgjithshëm të aktiviteteve kulturore në këtë rajon”, ka thënë ministri, duke e konsideruar edhe si një vend që ka pasur traditë të zhvillimit të aktiviteteve kulturore.

“Uroj që kompania që është duke i zhvilluar punimet të punoj intensivisht në mënyrë që në afat rekord ta përfundojmë këtë projekt”, tha ministri Gashi.

Ministri u shpreh se ky nuk do të jetë projekti i vetëm që po e investojnë në Rogovë të Hasit, pasi që mbesin të përkushtuar në zhvillimin e infrastrukturës sportive për këtë pjesë.

“Mbetemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë ngushtë me gjitha komunat e Kosovës, dhe t’i ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës në kulturë, rini dhe sport, sepse kështu krijohen mundësi dhe kushte të volitshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore”, ka premtuar ministri.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, duke shprehur i lumtur për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Rogovë, tha se ky projekt do të ketë ndikim në jetën kulturore të Rogovës dhe fshatrave për rreth.

“Është një projekt që ka qëndruar në sirtar për një kohë të gjatë, i ka ardhur radha edhe këtij projekti dhe unë jam shumë i lumtur si kryetar i komunës…Është një projekt që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën kulturore, por jo vetëm në jetën kulturore në Rogovë të Hasit dhe në fshatrat për rreth”, tha ai.

Sipas banorëvë, ndërtimi i kësaj Qendre Kulturore në Rogovë të Hasit i rrit vlerat kulturore, arsimore dhe shoqërore të kësaj ane.

I pranishëm në vënien e këtij gurthemeli ishte edhe deputeti i PDK-së, Andin Hoti, i cili tha se ky projekt do të ndikojë në fuqizimin dhe zhvillimin e kulturës në vend.

“Pikërisht kjo shtëpi e kulturës për fuqizimin e kulturës, për zhvillimin e kulturës, për ushtrimin e aktiviteteve kulturore do t’i ndihmojë juve dhe gjithë Kosovës”, tha ai.

Të Rekomanduara