KosovaLive360

Në vazhdën e përkrahjes së drejtpërdrejtë për federatat e sportit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot memorandume të bashkëpunimit edhe me gjashtë federata tjera të sportit, duke përkrahur financiarisht këto federata për realizimin e planeve për vitin 2017.

Vlera e përgjithshme e përkrahjes për gjashtë federatat arrin shumën e 404 mijë eurove. Me nga 70 mijë euro për këtë vit do të mbështeten Federata e Boksit e Kosovës, përkatësisht e Shenjëtarisë. Federata e Mundjes dhe ajo e Auto Sporteve, secila do të përkrahen me nga 68 mijë euro, ndërkaq Federata e Çiklizmit me 65 mijë euro dhe Federata e Notit me 63 mijë.

Duke nënshkruar memorandumet, MKRS-ja i ndihmon federatat dhe u krijon lehtësira për pavarësimin financiar të tyre që ato të funksionojnë me efikasitet dhe të sigurojnë ngritje cilësore.

Ministri Shala përgëzoi federatat për nënshkrimin e memorandumeve. Ai u shpreh se MKRS-ja është e fokusuar për të ndihmuar sportin duke përkrahur federatat financiarisht, e cila menaxhmentit të federatave në fjalë u mundëson planifikim më të mirë dhe operim më të lehtë.

Ndër tjera, ministri tha se, sfidë mbeten rezultatet dhe përfaqësimi sa më konkurrues në nivelin e garave qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, të cilat ndikojnë në përmirësimin e sportit por edhe të imazhit të Kosovës, dhe kjo mënyrë e mbështetjes nga ministria do të ketë edhe këtë funksion.

Ndërkaq, drejtuesit e federatave përkatëse e falënderuan ministrin Shala për bashkëpunimin dhe përkrahjen. Ata vlerësuan se kjo formë e bashkëpunimit mes MKRS-së dhe federatave të tyre e bën më të lehtë planifikimin vjetor të aktiviteteve dhe u mundëson menaxhim më të mirë të mjeteve financiare.

Në anën tjetër, kjo mënyrë e mbështetjes nga ministria është dëshmuar se ka krijuar lehtësira për veprimtarinë e federatave dhe për avancimin cilësor të sportit të Kosovës.

Të Rekomanduara